“Dita e Çlirimit” të Kosovës po shënohet me aktivitete të shumta

Te Shtëpia e Kulturës në Shtime në Kosovë, vazhdon të jetë e hapur ekspozita “Gratë në Rrugën e Lirisë”. Kjo ekspozitë u hap me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit, shkruan Portalb.mk.

Në këto fotografi nuk shohim vetëm fytyra, por edhe dhimbje të pathëna dhe dashuri për atdheun, që nuk kërkon lavdi, por sakrificë. Ka gra që lanë gjithçka për një ëndërr që nuk e panë kurrë të plotë Kosovën e lirë. Për ne, brezin që rritemi në paqe, kjo është një kujtesë se liria nuk u fitua lehtë. Dhe ne nuk guxojmë të harrojmë, e as të heshtim.

Ekspozita “Gratë në Rrugën e Lirisë” do të mbetet e hapur deri të hënën për të gjithë vizitorët që duan ta prekin me sy dhe me shpirt një pjesë të së vërtetës sonë më të shtrenjtë.

Nga organizatorët ftojnë të shëtisni ndërmjet fotografive dhe të ndaleni pranë secilit imazh, sepse aty flet historia, aty flasin gratë, nënat, motrat, bashkëluftëtaret tona që ndriçuan rrugën drejt lirisë.

Fotografi nga ekspozita “Gratë në Rrugën e Lirisë”. Foto: Emine Jetishi
Fotografi nga ekspozita “Gratë në Rrugën e Lirisë”. Foto: Emine Jetishi

Me rastin e 12 Qershorit, Dita e Çlirimit të Kosovës, Zymer Kodra ka botuar librin “Përtej plumbave”. Pjesë e këtij libri janë rrëfimet autentike të ushtarëve të UÇK-së, të cilët nuk flasin shpesh, por brenda vetes mbajnë histori të cilat nuk guxojnë të mbeten të harruara.

Autori Zymer Kodra për Portalb.mk tha se me shumë përgjegjësi e ka përuruar këtë libër.

“Me shumë mall e përgjegjësi e kam përuruar këtë libër. Libri “Përtej Plumbave” s’është vetëm një libër por është një amanet i shkruar. Në të kam sjellë rrëfimet autentike të ushtarëve të UÇK-së, të cilët nuk flasin shpesh, por brenda vetes mbajnë histori të cilat nuk guxojnë me mbet të harruara. Në këtë libër ka dhimbje, ka kujtime, ka zëra që s’janë më. Është libër për ata që kanë folur me pushkë, e sot s’mund të flasin me gojë. E kam shkruar jo për t’u lavdëruar, por për me dëshmuar që brezat të mos harrojnë se liria jonë ka emra, ka fytyra dhe ka plagë”, tha Kodra.

Ai shtoi se ideja e këtij libri i ka ardhur në një tubim me shokët e luftës.

“Në një tubim me shokë të luftës, derisa ishim në një përkujtim, takova një shok që e njihja si trim të betejave, por ai nuk ishte më ai që kisha njohur. Ishte i heshtur, ishte i thyer, me sytë e lodhur prej kujtimesh. Pyeta veten, pse askush nuk shkruan për këta trima, pse askush nuk shkruan për të bëmat e tyre. Dhe aty thash: nëse unë që kam mundësi të shkruaj, nuk shkruaj e nuk flas për këta burra, kush do ta bëjë? Nuk desha të hesht më. E mora lapsin jo për të bërë letërsi, por për t’i dhënë zë atyre që s’kanë më gojë të flasin. Dhe kështu, amaneti i tyre m’u bë barrë në zemër”, tha Kodra.

Zymer Kodra fotografi nga përurimi i librit Foto: Zymer Kodra
Zymer Kodra fotografi nga përurimi i librit Foto: Zymer Kodra

Kodra tha se ishte shumë vështirë grumbullimi dhe përzgjedhja e rrëfimeve.

“Shumë e vështirë, më shumë se sa e kam menduar. Jo se nuk kisha rrëfime e material por sepse secili prej tyre ma nxirrte shpirtin nga dhimbja, mërzija dhe emocioni. Ka pas raste kur pasi e filloja një tregim, e mbyllsha laptopin, e s’mundesha të vazhdoj për ditë të tëra. Dikush fliste për shokun që i vdiq në krah, dikush për nënën që e priti kot, për djalin , për vajzën…uff…mërzi e madhe më kaplonte. Largohesha për disa ditë nga shkrimi. E pas disa ditësh, mirrja frymë thellë jo si shkrimtar, po si ushtar që kthehet prapë në vendin ku ka luftuar, dhe kthehesha te llaptopi për të vazhduar rrëfimin. Pse, sepse e ndjeja sikur po më thërrisnin shokët nga varri, sikur nënat e tyre më thonin të vazhdoja, sikur bijtë e bijat e tyre kërkonin të dinin më tepër për prindërit e tyre dëshmorë. Dhe unë nuk munda me i lanë në heshtje”, tha Kodra.

Ai shtoi se të gjitha rrëfimet i kanë lënë gjurmë në shpirt.

“Nuk mund të veçoj vetëm një, se secili rrëfim m’i ka lënë gjurmë në shpirt. Por po i përmend disa që më kanë lëkundur thellë:

Në Pashtrik, një djalë i ri tregon për një betejë ku ranë disa shokë të tij ai e përshkruan momentin kur mbeti vetëm me pushkën dhe betimin që “ose dal i gjallë, ose e vras vetën e nuk bi në duart e armikut. Ai doli i gjallë, por e ndjen veten gjithmonë si pjesë e atyre që mbetën atje.

Një tjetër rrëfim është i një mërgimtari që la Gjermaninë, punën, jetën e u kthye për të luftuar. Ai s’kishte as fjalë të mëdha, as pretendime. Thjesht tha: “I lash krejt veç mos me i lanë me na shkelë prapë.” Sot jeton me plagë të heshtura dhe pa kërku asnjë falënderim.

Pastaj janë djemt që dolën nga shkollat me libra në çantë e pushkë në dorë e që në vend të ditarëve, lanë emrin në pllakën e një lapidari.

Edhe rrëfimi për komandantin që me jetë i mbrojti ushtarët. E ushtari që ma tregoi atë histori, më tha: “Ai ra për me na shpëtuar neve, e unë jetoj me barrën që nuk rashë me të”. Janë rrëfime që s’të lënë të flesh rehat. Janë dëshmi që tregojnë se për disa, lufta s’mbaroi në ’99 por vazhdoi me zërat e atyre që s’mundën të flasin më. E unë, veç sa kam hapur rrugën me këtë libër. Rruga e kujtesës nuk guxon të ndalet”, tha Kodra.

Fotografi nga libri “Përtej plumbave. Foto: Zymer Kodra
Fotografi nga libri “Përtej plumbave. Foto: Zymer Kodra

Ai tha se në libër janë të përfshira 30 rrëfime.

“Në këtë libër janë të përfshira 30 rrëfime autentike, rrëfime të vërteta, të treguara nga vetë ushtarët dhe bashkëluftëtarët e mi. Secili rrëfim është një jetë më vete. Nuk janë të shkruara me stil letërsie. Të thjeshta, të drejtpërdrejta, të dhembshme… por të vërteta. Ky libër është zëri i atyre që zakonisht heshtin, por që brenda vetes mbajnë histori që nuk guxojnë me u harru”, tha Kodra.

Ai potencoi se ky libër do të jetë arhivë për brezat e rinj.

“Po, unë besoj fort që ky libër është dhe duhet të jetë një arkiv për brezat që vijnë. E kam shkruar pikërisht për këtë qëllim, që djemtë e vajzat e së nesërmes të mos e njohin luftën vetëm si datë në kalendar, por si histori të gjallë, të përjetuar. Nëse ky libër i mëson të rinjtë se liria nuk erdhi vetë, se flamuri nuk u ngrit nga era por nga gjaku,  atëherë ai e ka kry punën që duhet.

Ky nuk është libër për t’u lavdëruar unë por është libër për t’u ndier krenarë ata që dhanë gjithçka dhe s’kërkuan asgjë. Nëse një i ri e lexon dhe ia ndien zemra, mjafton! Si shkruhet: Qëllimi im përmbushet”, tha Kodra.