Dita e 21 e protestës në Tiranë, Rama nuk e ka ndërmend të tërhiqet

Për të 21-tën ditë me radhë në Tiranë vijon protesta masive e qytetarëve të cilët janë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për mjedisin dhe hetimeve për pronësinë e tokës. Protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, raporton Portalb.mk.

Protestuesi kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e Qeverisë së Ramës.

Protestuesit theksojnë se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së fundmi tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushner dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Projekti në Zvërnec është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas të dhënave zyrtare, siç raproton Radio Evropa e Lirë, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.