Norvegjia vendos pothuajse ndalim të plotë të inteligjencës artificiale në shkolla
Norvegjia po vendos ndalim pothuajse të plotë të përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale për nxënësit e shkollave fillore, ndërsa po e kufizon përdorimin e tyre në arsimin e fëmijëve më të rritur për të parandaluar ndikimin negativ, transmeton Portalb.mk.
Për shkak të rënies në rezultatet e testimeve, qeveria norvegjeze në vitin 2024 ndaloi telefonat inteligjentë në shkolla.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale rrit rrezikun që fëmijët e vegjël të anashkalojnë hapa të rëndësishëm në arsimimin e tyre. Gjëja më e rëndësishme në shkollë është që fëmijët tanë të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të llogarisin”, deklaroi kryeministri Jonas Gahr Store.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të shtatën, të moshës 6 deri në 13 vjeç, në përgjithësi nuk duhet të përdorin inteligjencën artificiale.
Ndërkaq, nxënësit e ciklit të lartë të arsimit fillor, nga 14 deri në 16 vjeç, mund t’i përdorin me kujdes këto mjete nën mbikëqyrjen e mësuesit, njoftoi qeveria.
Në arsimin e mesëm, nga 17 deri në 19 vjeç, nxënësit duhet të mësojnë ta përdorin siç duhet inteligjencën artificiale, në mënyrë që të jenë të përgatitur për studime të mëtejshme dhe për tregun e punës.
Kryeministri norvegjez tha se këto masa do të hyjnë në fuqi nga viti i ri shkollor, i cili fillon në fund të gushtit.
Norvegjia filloi të fusë kompjuterët në klasa që në vitet 1990, ndërsa tabletët u përhapën pas vitit 2010, duke ulur varësinë nga librat dhe shkrimi me dorë.