Dirigjentja Agona Çupi dhe kompozitorja Arta Abazi: Dy gra pionere në skenën e muzikës shqiptare të Maqedonisë së Veriut

Skena muzikore në Maqedoninë e Veriut zhvillohet nga viti në vit në një larmi dhe dimensione të ndryshme zhanresh dhe ngjarjesh muzikore. Ndër veprimtaritë kryesore që dallohen që nga shekulli i kaluar janë institucionet kryesore muzikore në vend, por edhe krijimi i hapësirave të reja artistike në periudhën e fundit.

Intervistat janë realizuar nga Nora Bajrami, muzikologe

Duke pasur parasysh mungesën e shkollave dhe të arsimimit muzikor në gjuhën shqipe për një periudhë të gjatë, paraqitja e muzikantëve shqiptarë në periudhat e mëhershme ka qenë relativisht e vogël. Ata pak që ekzistonin shkolloheshin ose në vendet fqinje, ose studimet i kryenin në gjuhën maqedonase në institucionet vendore.

Megjithatë, në vitet e fundit ky realitet ka filluar të ndryshojë. Është rritur numri i pedagogëve teoricienë të muzikës  që ligjërojnë artin muzikor në gjuhën shqipe në shkollat fillore dhe të mesme në vend. Po ashtu, është krijuar edhe arsimi i mesëm profesional muzikor, nga i cili kanë dalë disa instrumentistë që sot veprojnë dhe punojnë në institucionet kryesore kulturore të vendit.

Kjo natyrshëm ka ndikuar që vendi të pasurohet me artistë të rinj shqiptarë, të cilët sjellin energji, ide dhe qasje të reja në artin muzikor.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, ende ka fusha ku përfaqësimi mbetet i kufizuar, sidomos sa i përket gjinisë femërore.

Në këtë kontekst, dhe me rastin e muajit mars, kur shënohet festa e të drejtave të grave, sjellim një bashkëbisedim me dy personalitete të veçanta: dirigjenten e parë femër shqiptare në RMV dhe kompozitoren e parë femër shqiptare në vend.

Foto nga arkivi personal i dirigjentes Agona Çupi. Foto: Agona Çupi
Foto nga arkivi personal i dirigjentes Agona Çupi. Foto: Agona Çupi

Dirigjentja Agona Çupi paraqet një profil të plotë akademik, duke përfshirë të gjitha ciklet e studimit deri në nivelin e doktoraturës. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve Muzikore në Shkup (2017) në drejtimin e dirigjimit orkestral në klasën e Prof. Borjan Canev. Magjistraturën e parë e përfundoi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup (2018) në drejtimin e dirigjimit koral në klasën e Prof. Sasho Tatarçevski, ndërsa magjistraturën e dytë e kreu në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje (2019) në drejtimin e dirigjimit orkestral në klasën e Prof. Najden Todorov. Ajo së fundmi ka përfunduar edhe ciklin e tretë të studimeve, atë doktoral në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në drejtimin “Performanca muzikore dhe kompozimi – dirigjim koral”, nën mentorimin e Prof. Sasho Tatarçevski dhe Prof. Trena Jordanoska.

Ajo ka qenë bashkëthemeluese e ansambleve si Orkestra e Rinjve, Korit Femëror “Lorenc Antoni” dhe Orkestra “Griffon”, dhe ka interpretuar me orkestrat dhe koret kryesore në rajon. Përveç angazhimeve artistike, ka shërbyer si pedagoge dhe docente në Universitetin e Tetovës dhe ka qenë pjesë e bordit drejtues të institucionit Ansambli muzikor në Tetovë. Që nga viti 2021, ajo punon si gazetare për kulturën në Radion e Maqedonisë, duke promovuar muzikën klasike dhe aktivitetet kulturore.

Dirigjentja Agona Çupi  ka realizuar dhjetëra koncerte korale dhe orkestrale, ka marrë pjesë në konferenca dhe festivale ndërkombëtare, ka publikuar studime muzikologjike dhe ka kontribuar aktivisht në edukimin dhe promovimin e grave në kulturë.

Arta Abazi, kompozitorja e parë femër shqiptare në RMV, edhe pse krijimtaria dhe eksperienca profesionale e së cilës është ende në fillimet e saj, ajo është një nga figurat që po pasuron skenën muzikore me veprat e saj, ku sidomos veçohen projekte teatrale e filmike. Ajo ka diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në degën e Kompozimit, dhe ka përfunduar edhe Fakultetin Pedagogjik në të njejtin universitet, dega përgatitje pedagogjike-psikologjike dhe metodike. Përgjatë studimeve është fituese e disa çmimeve për veprat e saj, por edhe interpretimin e tyre në festivalet kryesore në vend dhe rajon, si festivali “Denovi na Makedonska Muzika”, “Skena e muzikës serioze shqipëtare”, dhe “Chopin Piano Fest Prishtina”.

Duke u ndërlidhur me paraqitjen e dy profileve më lart, duhet theksuar se të dy fushat dirigjimi dhe kompozimi historikisht janë konsideruar si fusha të dominuara nga burrat, ku gratë kanë pasur pak mundësi të shfaqin talentin dhe të marrin vend të barabartë në skenë. Ky dominim pasqyronte normat shoqërore dhe stereotipet gjinore, që shpesh nuk vlerësonin aftësitë dhe talentin individual të secilit.

Në këtë kontekst, rrugëtimi i Agona Çupit, dirigjentes së parë femër shqiptare në RMV dhe krijimtaria e kompozitores së parë femër shqiptare, Arta Abazi, paraqesin shembuj të rëndësishëm të guximit, vendosshmërisë dhe pasionit për muzikën. Përmes eksperiencës së tyre, ato jo vetëm që sfidojnë stereotipet gjinore, por edhe frymëzojnë gjeneratat e reja të grave të cilat duan të ndjekin këto profesione.

Në vijim, prezantojmë një bashkëbisedim me të dyja, ku ato ndajnë rrugëtimin e tyre, përvojat personale, sfidat dhe vizionin për të ardhmen e grave në artin muzikor.

Bashkëbisedim me Agona Çupi

Nora Bajrami: Si ka ndikuar fakti që jeni grua në rrugëtimin tuaj drejt dirigjimit, në një fushë që historikisht ka qenë e dominuar nga burrat?

Agona Çupi: Dirigjimi për shumë vite është perceptuar si një profesion i lidhur me figurën mashkullore, prandaj rrugëtimi im në këtë fushë ka qenë edhe një proces i vazhdueshëm për të dëshmuar se arti dhe lidershipi muzikor nuk kanë gjini. Në fillim shpesh ndihesha sikur duhej të provoja dyfish aftësinë dhe seriozitetin tim, por kjo më bëri edhe më të vendosur në punën time.  Pas një kohe, kur arrita pjekuri më të madhe profesionale dhe emocionale u bë diçka që nuk më ndikonte dhe nuk e mendoja më. Për mua dirigjimi është një formë komunikimi artistik dhe emocional me muzikantët dhe publikun, dhe besoj se ndjeshmëria, intuita dhe vizioni artistik janë cilësi që nuk përcaktohen nga gjinia. Sot e shoh këtë rrugëtim edhe si një mundësi për të hapur dyer për vajza të tjera që duan të ndjekin këtë profesion.

Nora Bajrami: A mendoni se një grua duhet të punojë dyfish më shumë për t’u marrë seriozisht në dirigjim, apo kjo po ndryshon gradualisht në shoqërinë tonë?

Agona Çupi: Historikisht ka qenë e vërtetë që gratë në dirigjim kanë ndjerë nevojën të dëshmojnë më shumë për t’u marrë seriozisht. Megjithatë, mendoj se kjo po ndryshon gradualisht. Sot ka gjithnjë e më shumë dirigjente në skenat ndërkombëtare dhe kjo ka ndihmuar që publiku dhe institucionet ta shohin dirigjimin si një profesion ku rëndësi ka vizioni artistik dhe profesionalizmi, jo gjinia. Edhe në shoqërinë tonë po shohim një hapje më të madhe, edhe pse ende ka sfida. Ajo që mbetet thelbësore është puna serioze, përkushtimi dhe ndërtimi i një identiteti artistik të qartë.

Nora Bajrami: A ka pasur ndonjë moment në karrierën tuaj kur jeni ndjerë e nënvlerësuar vetëm sepse jeni grua, dhe si ju ka ndikuar kjo emocionalisht?

Agona Çupi: Në fillimet e karrierës time ka pasur momente kur kam ndjerë një lloj skepticizmi ose dyshimi që lidhej më shumë me faktin që isha grua në podiumin e dirigjentit. Këto situata nuk kanë qenë gjithmonë të drejtpërdrejta, por ndonjëherë shfaqeshin në formën e pritshmërive më të ulëta ose habisë nga ana e të tjerëve. Emocionalisht, në fillim ishte një sfidë, por me kalimin e kohës e kam parë si motivim për të punuar edhe më shumë dhe për të lejuar që puna dhe rezultatet artistike të flasin vetë. Në fund, muzika është argumenti më i fortë. Por realisht mund ta them që gjeja që më ka ndihmuar më shumë është se kurr nuk i kam lejuar që momentet e tilla të zënë vend të rëndësishëm tek unë.

Nora Bajrami: Cili ka qenë momenti më prekës për ju si grua në këtë profesion? Një moment që ju ka bërë të kuptoni se ia vlejti gjithë rrugëtimi?

Agona Çupi: Ka pasur shumë momente emocionuese në skenë, por një nga më të veçantët është kur pas një koncerti sheh reagimin e publikut dhe ndjen se muzika ka arritur të krijojë një lidhje të thellë emocionale, ka prekur zemrat e tyre. Për mua është shumë prekëse edhe kur vajza të reja më thonë se fakti që më shohin në podium i motivon të mendojnë se edhe ato mund ta ndjekin këtë rrugë. Në ato momente kupton se puna jote nuk ka vetëm një dimension artistik, por edhe një ndikim më të gjerë në shoqëri. Një përjetim i veçantë tjetër që mund ta ndajë janë edhe koncertet që i kam realizu përderisa kam qenë shtatzënë me vajzat e mia kanë qenë diçka që edhe po të tentoj ta shpreh me fjale nuk do t’i bëjë drejtesi. Nga momentet më të çmuara!

Nora Bajrami:  A mendoni se fakti që jeni gruaja e parë shqiptare dirigjente në RMV ju jep më shumë përgjegjësi apo më shumë presion?

Agona Çupi: Mendoj se sjell të dyja: edhe përgjegjësi, edhe një lloj presioni. Përgjegjësia vjen nga fakti se çdo hap që bën mund të shërbejë si një njësi matëse për gjeneratat që vijnë pas. Nga ana tjetër, përpiqem ta shoh këtë jo si presion negativ, por si motivim për të punuar me fisnikëri dhe përkushtim. Në fund, ajo që ka rëndësi është të mbetesh besnike ndaj artit dhe vizionit tënd muzikor.

Nora Bajrami: Çfarë duhet të ndryshojë në shoqërinë tonë që më shumë vajza të guxojnë të bëhen dirigjente?

Agona Çupi: Mendoj se ndryshimi fillon nga edukimi dhe nga krijimi i modeleve pozitive. Kur vajzat shohin shembuj realë të grave që drejtojnë orkestrat ose koret, bëhet më e lehtë për to ta imagjinojnë veten në atë rol. Pa dyshim mbeshtetja e fmailjes dhe motivimi janë thelbesore në këtë udhëtim. Po ashtu, institucionet kulturore dhe arsimore duhet të mbështesin më shumë talentin e ri, pa paragjykime gjinore. Muzika është një gjuhë universale dhe dirigjimi duhet të mbetet një hapësirë ku vlerësohen talenti, puna dhe pasioni.

 

Dirigjentja Agona Çupi dhe kompozitorja Arta Abazi, Foto: Nora Bajrami
Dirigjentja Agona Çupi dhe kompozitorja Arta Abazi, Foto: Nora Bajrami

Bashkëbisedim me Arta Abazi

Nora Bajrami: Si e përjetoni faktin që jeni gruaja e parë kompozitore shqiptare në RMV, dhe çfarë do të thotë kjo për ju si grua në muzikë?

Arta Abazi: Nuk mendoj se të jesh i/e pari/ë në diçka në shekullin 21 është diçka e veçante. Këto kategorizime ishin të vlefshme në një tjetër kohë.  Për mua e rëndësishme është se, mua  mu mundësua të detektoj dhe zhvilloj talentin tim. Dhe kjo nënkupton edhe përgjegjësi, pasi talenti  duhet dëshmuar dhe zhvilluar me krijimtari, me vepra.

Nora Bajrami: Sa mbështetje keni gjetur nga profesorët, familja apo kolegët në rrugëtimin tuaj në muzikë?

Arta Abazi: Mbështetja është shumë thelbësore, dhe më duhet të them se jam me fat që pikë së pari kjo mbështetje më erdhi nga familja, e më pas edhe në fakultet. Në njëfarë mënyre nga faza e kujdesit prindëror kalova nën kujdesin apo mentorimin profesional në fakultet. Ishte para së gjithash privilegj por edhe përgjegjësi pasi pata rastin që mjeshtërinë e kompozimit ta mësoj nga profesorët Thoma Gaqi dhe Fatos Lumani, që janë emra eminent në muzikë. Tani si kompozitore jetoj në një familje ku muzika mund të thuhet se është oksigjen i domosdoshëm, dhe kjo, jo vetëm për shkak se bashkëshorti im është muzicient, por është thjeshtë oksigjen.

Nora Bajrami: A mendoni se të qenit grua ka ndikuar në mënyrën se si është pritur ose vlerësuar puna juaj si kompozitore?

Arta Abazi: Nuk mendoj se ka pas dhe mund të ketë ndonjë ndikim. Ajo që mendoj se mund të ketë ndikim është muzika që unë e krijoj, stili, në disa raste ndoshta i ka befasuar disa persona që e kanë këtë mendësi.

Nora Bajrami: A mendoni se një grua duhet të punojë dyfish më shumë për t’u marrë seriozisht në kompozim, apo kjo po ndryshon gradualisht në shoqërinë tonë?

Arta Abazi: Duhet dyfish të punoj jo vetëm në kompozim, por në të gjitha lëmit. Siç dihet botërisht, gruaja gjatë historisë ka qenë e shtypur, dhe ato që kanë  pasur pak depërtim në “boten e burrave” u është dashur shumë punë e sakrificë, për të dëshmuar vetën dhe talentin e tyre. Por është edhe mënyra se si historia në këtë rast të muzikës, nuk i ka regjistruar apo thjesht i ka fshirë nga historia kompozitoret. Dhe nuk kemi gjurma që do dëshmonin vlerën e shumë kompozitoreve gjatë historisë që kanë kontribuar me veprat e tyre. Kjo, nuk është vetëm në muzikë, por edhe në filozofi, ne shkence, etj. Askund nuk përmenden emra të rëndësishëm si kompozitorja në kohën e Bizantit; si Kassia ose kompozitorja dhe dirigjentja me influencuese e  shek. XX Nadia Boulanger, që ka shkolluar dhe ndikuar tek shumë kompozitorë të mëdhenj si Philip Glass, Leonard Bernstein, Igor Stravinsky, etj. Por kemi edhe raste si Alma Mahler, gruaja e kompozitorit të madh Gustav Mahler, ajo po ashtu ka qenë kompozitore, por kompozimi asaj iu ndalua  nga burri i saj, me qëllim që t’i dedikohet burrit dhe se nuk kishte nevojë për dy kompozitorë në shtëpi, vetëm një ishte i montueshëm.

Nora Bajrami: Cili ka qenë momenti më prekës për ju si grua në këtë profesion? Një moment që ju ka bërë të kuptoni se ia vlejti gjithë rrugëtimi?

Arta Abazi: Do të thosha premiera e shfaqjes “Daja Vanja” në Teatrin Shqiptar në Shkup. Në  regji të  Vlladimir Milcin, ku rolin e Daja Vanjës ishte babai im Refet Abazi. Që në moshë të re kam pasur mundësinë ta shoh se si ai punon në përgatitjen e roleve që ka punuar, por atëherë nuk e kisha qasjen se si ajo që ai e punon zë vend në skenë. Gjatë procesit të shfaqjes mu dha mundësia ta shohë edhe dimensionin tjetër të procesit të krijimit dhe si ai e zhvillon personazhin.  Kërkesat e regjisorit më ndihmuan shumë që muzika e kompozuar nga unë të jetë pjesë e shfaqjes, duke pas parasysh se Çehovi është autor shumë specifik. Isha në shumë prova dhe komunikimi i regjisorit me aktorët ishte si një proces i hapur krijimtarie, ku në atë proces unë u zhyta me përkushtim dhe mendoj se ia arrita që edhe muzika të jetë komponent e rëndësishme kreative në shfaqje. Dhe kuptohet në premierë, dalja në skenë bashkë me babain tim ishte emocion shumë i veçantë. Po ashtu edhe bashkëpunimi me regjisorin e filmit Hanis Bagashov ishte shumë i rëndësishëm,, ku kompozova muzikën për filmin e shkurtër dokumentar “Kërpudhat rriten në kujtime”. Filmi trajton gjërat, në këtë rast kërpudhat edhe si metaforë, lindin dhe rriten në kujtime të një kohe që nuk është më. Kjo më mundësoi të meditoj dhe të gjej të njëjtën gjë edhe brenda meje. Fatmirësisht kjo rezultoi me sukses dhe muzika u bë pjesë ë rëndësishme e filmit dokumentar.

Nora Bajrami: A mendoni se fakti që jeni gruaja e parë shqiptare kompozitore në RMV ju jep më shumë përgjegjësi apo më shumë presion?

Arta Abazi: Ndoshta te dyja, por unë jam rritur në një shtëpi ku për fat nuk ka pasur asnjëherë tema të këtilla  në shtëpinë tonë. Ne jemi, së pari njerëz dhe pastaj kemi gjini. Tani që eksitojnë paragjykime, diskriminime të llojllojshme ndaj shumë gjërave, mendoj se duhet të mundohemi që mbi të gjitha,  të jemi dhe mbetemi njerëz, sepse gjinia nuk ka të bëjë me intelektin, talentin apo shpirtin. Çdo njeri lind i lirë, që do të thotë i barabartë dhe  nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë lloji të diskriminimit apo shtypjeje.

Nora Bajrami: Çfarë duhet të ndryshojë në shoqërinë tonë që më shumë vajza të guxojnë të bëhen kompozitore?

Arta Abazi: Shtypja dhe presioni ndaj gruas në përgjithësi duhet të largohet si dhe ndoshta do ishte mirë sa për fillim përmendja, integrimi i të gjitha grave që kanë dhënë kontribut të madh e ndonjëherë edhe më të madh në shumë lëmi gjatë historisë. Nëse gjeneratat e reja do e njohin kontributin e tyre, besoj se nuk do mund të vazhdojnë apo të rriten me këtë mendësi të ngufatjes apo anashkalimit të gruas.