Për 13 vite objekti hotelerik në RMV punoi pa u kontrolluar, padi kundër tetë inspektorëve
Njësia e Punëve të Brendshme Koçan ngriti sot kallëzim penal kundër tetë personave në Prokurorinë Themelore Publike në Koçani, nën dyshimin se kanë kryer vepër penale “kryerje e pakujdesshme e detyrës”, transmeton Portalb.mk.
Siç informon Ministria e Punëve të Brendshme, janë raportuar: S.Sh.S. (53) nga Makedonski Brod, S.G. (59) nga Shkupi, si dhe Z.M. (64), S.Z. (61), T.K. (42), N.D. (43), G.P. (41) dhe M.Z.S. (44), të gjithë nga Koçani. Sipas kallëzimit, ata, si zyrtarë të punësuar në Inspektoratin Shtetëror të Punës në periudhën nga viti 2022 deri më 16 mars 2025, nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore për mbikëqyrje inspektuese.
Ministria e Brendshme thotë se, megjithëse ishin të detyruar të kryenin inspektime në përputhje me Ligjin për Mbikëqyrjen Inspektuese, të pandehurit kurrë nuk kanë iniciuar ose zhvilluar një procedurë sipas detyrës zyrtare për të përcaktuar gjendjen faktike në një objekt hotelierie në Koçan. Sipas policisë, kjo ndodhi pavarësisht faktit se objekti ishte i vetmi i këtij lloji në zonën e Komunës së Koçanit për një periudhë prej 13 vitesh.
Në kallëzim thuhet se të dyshuarit nuk e kanë penguar funksionimin e paligjshëm të objektit dhe në këtë mënyrë i kanë ekspozuar vazhdimisht personat e punësuar ndaj rrezikut, sepse objekti nuk është inspektuar dhe kontrolluar në aspektin e respektimit të të drejtave të punëtorëve, si dhe masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, ky veprim i ka mundësuar objektit të hotelerisë të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të paligjshme, duke rezultuar në përfitim të paligjshëm pasuror në shumën totale prej 1.255.977 denarësh.