Dirigjentet shqiptare në hije në Maqedoninë e Veriut, por me shkop të fuqishëm për ndryshim

Dirigjentet shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë pothuajse të padukshme. Ato pak gra që kanë guxuar të ngjiten në podium me shkopin e dirigjentit, shpesh mbeten në hije, të anashkaluara nga publiku dhe mediat. Rruga e tyre është e mbushur me pengesa që lidhen jo vetëm me sfidat e profesionit, por edhe me barrierat gjinore që vazhdojnë ta kufizojnë praninë e grave në këtë fushë. Megjithatë, tri dirigjente shqiptare tregojnë përvojat e tyre për Portalb.mk, duke dëshmuar se pasioni dhe talenti mund të sfidojnë kufijtë e vendosur.

Në Maqedoninë e Veriut, dirigjentet gra përbëjnë një numër shumë të vogël në krahasim me kolegët e tyre burra. Në një bisedë për Portalb.mk, ata folën se kjo mungesë e përfaqësimit shihet nga vetë dirigjentet si një problem që nuk lidhet me mungesë talenti apo përgatitjeje profesionale, por me paragjykime të rrënjosura dhe me mungesë mbështetjeje institucionale.

Dirigjentja Agona Çupi thotë se nga përvoja e saj personale si dirigjente dhe profesoreshë në Universitetin e Tetovës, ka vërejtur se vajzat shqiptare shpesh përballen me paragjykime që vijnë si nga ambienti i gjerë shoqëror, ashtu edhe nga brenda institucioneve arsimore dhe kulturore. Sipas saj dirigjimi nuk është “profesion burrash” por është profesion i çdo kujt që ka talent, vullnet dhe vision.

Foto nga arkivi personal i dirigjentes Agona Çupi. Foto: Agona Çupi
Foto nga arkivi personal i dirigjentes Agona Çupi. Foto: Agona Çupi

“Por ky problem nuk është diçka që na tangon vetëm neve si shtet por është një problem global. Kjo sigurisht që nuk lidhet me mungesën e talentit apo potencialit, por me një sërë faktorësh shoqërorë, kulturorë dhe institucional. Tradicionalisht, arti i dirigjimit është parë si një fushë më “burrërore” për shkak të autoritetit dhe rolit udhëheqës që bart, gjë që shpesh e ka penguar afirmimin e vajzave dhe grave të reja që kanë dashur të ndjekin këtë profesion…. Për më tepër, mungesa e shembujve paraprakë, sepse kemi filluar ti kemi më vonë në historinë tonë e sidomos në art, e bën edhe më të vështirë rrugën për gjeneratat e reja. Ky është një problem i thellë që prek jo vetëm fushën e muzikës, por edhe mënyrën se si shoqëria e koncepton rolin e gruas në art dhe udhëheqësi. Fatmirësisht kohëve të fundit gjërat po ndryshojnë, ngadalë, por për mirë ”, tha Çupi.

Dirigjentja Fjolla Roshi thotë se shumë vajza dhe gra nuk marrin mbështetjen e nevojshme që në fëmijëri, prandaj rrallë guxojnë të ndjekin profesionet që kërkojnë ekspozim publik, lidership dhe autoritet, siç është roli i dirigjentes.

Foto nga arkivi personal i dirigjentes Fjolla Roshi. Foto: Fjolla Roshi
Foto nga arkivi personal i dirigjentes Fjolla Roshi. Foto: Fjolla Roshi

“Ky fakt lidhet kryesisht me mentalitetin shoqëror, ku shpeshherë roli i gruas shihet i kufizuar dhe profesioni i saj shihet si diçka e paarritshme ose e pamundur jashtë “shablloneve” tradicionale. Shumë vajza dhe gra nuk marrin mbështetjen e nevojshme që në fëmijëri, prandaj rrallë guxojnë të ndjekin profesionet që kërkojnë ekspozim publik, lidership dhe autoritet, siç është roli i dirigjentes. Mendoj se ndryshimi duhet të nisë nga familja, e cila është faktori kryesor në formimin e karakterit të vajzës. Vajzat duhet të edukohen që në moshë të hershme që të jenë të lira të shprehin mendimet, të zgjedhin vetë rrugën e tyre dhe profesionin që duan ta ushtrojnë gjatë jetës. Shoqëria jonë duhet të dalë nga kufizimet tradicionale dhe të kuptojë se gruaja është një qenie e fortë, e aftë të arrijë çdo qëllim kur ka mbështetjen e duhur. Nëse krijohet një kulturë ku vajzat shqiptare inkurajohen dhe përkrahen në art, muzikë dhe profesionet e lidershipit, atëherë do të kemi më shumë gra shqiptare dirigjente”, tha Roshi.

Ndërkaq dirigjentja Anita Alili thotë se syri ndër vite gradualisht është i ushtruar dhe adaptuar të shohë gjithmonë burra në role udhëheqëse.

Foto nga arkivi personal i dirigjentes Anita Alili. Foto: Anita Alili
Foto nga arkivi personal i dirigjentes Anita Alili. Foto: Anita Alili

“Në vendin tonë besoj është më e nevojshme fokusi të jetë tek brezat e rinjë që të kemi pak ndryshim në këtë pikëpamje, në zhanret muzikore që i konsumojmë në përditshmëri, të mbjellim tek ata dashurinë për muzikë të mirëfilltë dhe për këndim të bukur (çdo vepër apo zhanër muzikor ndryshon në interpretim dhe kërkesat e saj). Sa i përket mungesës së dirigjenteve gra në skenën e muzikës, syri ndër vite gradualisht është i ushtruar dhe adaptuar të shoh gjithmonë burra në role udhëheqëse. Gjithashtu të cekim gjë që është shumë me rëndësi dhe shfaq problem jo vetëm në sferën e muzikës por edhe më gjerë, hapësirat e punësimeve, gjegjësisht pjesa financiare, qasemi çdo ditë e më shumë me këto mungesa, gjë që dëmton dukshëm një popull dhe shlyen çdo gjë për rreth, askush edhe më pak artistët nuk munden të mbijetojnë me frymëmarrje apo duartrokitje dhe mirënjohje. Të gjitha këto komponent na detyrojnë të kemi shumë mungesa në sferën e artit shqiptar në Maqedoni”, tha Alili.

Rrëfimet e tri dirigjenteve shqiptare tregojnë se pas talentit dhe pasionit të tyre fshihen edhe sfida të mëdha, nga paragjykimet gjinore e deri te mungesa e mbështetjes institucionale. Megjithatë, zëri i tyre është dëshmi se arti mund të sfidojë kufijtë dhe se ndryshimi, sado i ngadalshëm, është i mundur.