Regjisoret shqiptare në hije: Pse burrat dominojnë skenën kulturore në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut, gratë regjisore janë të pranishme dhe krijojnë, por dukshmëria e tyre mbetet e kufizuar. Shumë projekte filmike e teatrale vazhdojnë të drejtohen nga burra, ndërsa emrat e regjisoreve gra rrallë shfaqen në qendër të vëmendjes. Kjo nuk lidhet me mungesën e talentit apo vizionit, por me mungesën e hapësirës dhe mbështetjes që ato marrin. Në këtë realitet gjashtë regjisore shqiptare për Portalb.mk ndanë përvojat dhe mendimet e tyre. 

Ato flasin për pengesat që u sjell mentaliteti patriarkal, mungesa e mbështetjes institucionale dhe financiare, por edhe për përpjekjet për të ndërtuar hapësira të reja krijuese. Zërat e tyre tregojnë jo vetëm vështirësitë e të qenit grua në një fushë të dominuar nga burrat, por edhe energjinë dhe vizionin për një skenë më të barabartë kulturore.

Foto nga arkivi personal i Diellza Miftarit. Foto: Diellza Miftari
Foto nga arkivi personal i Diellza Miftarit. Foto: Diellza Miftari

Regjisorja e parë shqiptare e diplomuar në Universitetin e Tetovës në klasën e prof. Isa Qosja, Diellza Miftari thotë se mentaliteti patriarkal dhe stereotipat gjinore mbizotërojnë edhe në kulturë, sipas saj ende perceptohet se drejtimi i filmit apo teatrit është punë burrash. 

“Mungesa e shembujve të shumtë referues krijon ndjesinë e izolimit. Kjo më ka krijuar vërtet shumë pengesa gjatë punës time si regjisore. Po ka mjaftë hapësirë për gratë regjisore sepse e gjithë bota kinematografike tash më ka prekur suksese të grave që përveç punës në teren ato edhe e ndjejnë projektin. Projektet e grave shpesh perceptohen si më pak komerciale ose më intime duke pasur më pak gjasa të marrin mbështetje. Kur një regjisore grua trajton çështje si seksualiteti, barazia gjinore apo dhuna ndaj grave, shpesh përballet me kritika të ashpra nga qarqe konservatore”, tha Miftari. 

Për regjisoren Merita Cocoli vështirësia fillon kur kërkon të bësh formate më të mëdha të filmit dokumentar, apo atij artistik. Sipas saj, një regjisore grua “duhet të provojë më shumë” për t’u marrë seriozisht.

Foto nga arkivi personal i Merita Cocolit. Foto: Merita Cocoli
Foto nga arkivi personal i Merita Cocolit. Foto: Merita Cocoli

“Gjithashtu, financimi dhe mbështetja institucionale nuk janë gjithmonë të balancuara, burrat kanë shpesh më shumë qasje në rrjete mbështetëse dhe burime të financimit. Sigurisht që duhet të ketë potencial vajzash të talentuara, por hapësira nuk është e lehtë të fitohet. Nga gratë shqiptare në Maqedoni nuk kam parë ndonjë interes për tu shkolluar në gjininë e filmit, apo të jetë marrë me regjinë e filmit në përgjithësi. Ka ndonjë regjisore të re të shkolluar për regji që ka realizuar shfaqe në Teatër, ndërsa realizim të filmit artistik , apo dokumentar (ndoshta edhe ka), por unë akoma nuk kam parë”, tha Cocoli. 

Regjisorja Afërdita Nuhiju thekson se ndjen pengesë që mbase nga fakti që është grua njerëzit mendojnë që është më lehtë e manipulueshme për të hequr dorë nga disa gjëra që mbase institucionalisht ju pengojnë ose ju duken jo fort të kapshme ose ju kushtojnë më shumë, por këto tendenca janë afatshkurta pasi që kur përballen me vendosmërinë e saj, e shohin që e kanë të pamundur për të ndikuar.

Foto nga arkivi personal i Afërdita Nuhijut. Foto: Afërdita Nuhiji
Foto nga arkivi personal i Afërdita Nuhijut. Foto: Afërdita Nuhiji

“Pengesë më të madhe kam mungesën e mbështetjes financiare institucionale që për mua është një nga problematikat më të mëdha për realizimin e ideve të mia kreative deri në fund. Realisht ne nuk është se jemi në numër shumë regjisore në Maqedoni, flas për komunitetin shqiptar, jemi 3 nëse nuk gabohem madje kam përshtypjen që momentalisht jam vetëm unë aktive. Dhe megjithë këtë nuk mendoj që ka mjaftueshëm hapësirë. Besoj që ka hapësirë që shteti të paktën të siguroj vende pune fillimisht sepse jemi shumë pak në numër dhe veç kësaj mendoj që ka hapësirë për të pas punë shumë më të ngjeshur. Por sigurisht ne bërtasim pa zë sepse zërat në këtë shtet shkojnë në vesh të shurdhër”, tha Nuhiju. 

Për regjisoren e re, Besa Tusha pengesë e madhe është mungesa e seteve filmike të mjaftueshme, ose më saktë, ekzistenca e seteve të vogla të ndërtuara me njerëz që tashmë njihen mes vete, çka e vështirëson hapësirën për të tjerët. Ajo thotë se pasi studioi në Stamboll, pas kthimit në Shkup e kishte të vështirë të përshtatej në këtë realitet. 

Foto nga arkivi personal i Besa Tushës. Foto: Besa Tusha
Foto nga arkivi personal i Besa Tushës. Foto: Besa Tusha

“Nuk e di se a do ishte e drejtë të them se a ka hapësirë të mjaftueshme, ngaqë nuk ka mjaftueshëm për asnjërën palë, mirëpo më duhet të them se gratë regjisore në Maqedoninë e Veriut janë të pakta për të mos thanë fare. Vazhdoj të mendoj se nuk i jepet rëndësi industrisë së filmit dhe teatrit ose thanë më shkurt artit në Maqedoni. Së pari ky sektor llogaritet “fukara” nga aspekti që nuk ka të ardhura të mjaftueshme nga që s’ka punë të mjaftueshme e më pas vjen edhe në pyetje mentaliteti i popullit tonë që gruan nuk e sheh adekuate për këtë punë”, tha Tusha. 

Foto nga arkivi personal i Jehona Ajdinit. Foto: Jehona Ajdini
Foto nga arkivi personal i Jehona Ajdinit. Foto: Jehona Ajdini

Regjisorja Jehona Ajdini thekson se pengesë është vetë mungesa e modeleve regjisoreve gra, ajo thotë se në një terren ku nuk ekziston shembull i ngjashëm, shpesh duhet ta hapësh vetë shtegun. 

“Hapësira është e kufizuar, por kjo e bën edhe më të vlefshme punën e grave që hyjnë në këtë fushë. Sa më shumë gra të krijojnë, aq më shumë hapet edhe vetë industria. Raporti nuk është gjithmonë i barabartë, por arti fiton vetëm kur bashkëpunojmë si të tillë. Unë e shoh veten duke kontribuar që ky ekuilibër të bëhet realitet”, tha Ajdini. 

Foto nga arkivi personal i Arbëresha Alijit. Foto: Arbëresha Aliji
Foto nga arkivi personal i Arbëresha Alijit. Foto: Arbëresha Aliji

Pak më ndryshe se koleget e saj mendon Arbëresha Alija, ajo mendon se hapësira ekziston dhe është në rritje. Sipas saj, sot vlerësohet më shumë talenti dhe puna cilësore, pavarësisht gjinisë, gjë që e bën terrenin më të hapur për gratë regjisore. 

“Në fillimet e studimeve ndjeja ndonjëherë vështirësi, sepse për shkak të qetësisë sime disa mendonin se mungesa e të folurit nënkuptonte mungesë aftësie. Madje në një moment mendova të heq dorë. Por me kohën kuptova se puna flet më shumë se fjalët, dhe kjo më ka dhënë forcë e siguri për të vazhduar. Sot mendoj se raporti mes kolegëve burra e gra është shumë i shëndetshëm kur mbështetet mbi profesionalizëm, respekt të ndërsjellë dhe përkrahje artistike”, tha Alija. 

Zërat e gjashtë regjisoreve shqiptare dëshmojnë se sfidat janë të mëdha, por edhe se ekziston vullneti dhe vizioni për t’i kapërcyer ato. Nga mentaliteti patriarkal e deri te mungesa e mbështetjes institucionale, pengesat mbeten reale, por secila prej tyre tregon se arti i grave nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i pazëvendësueshëm për zhvillimin kulturor. Për sa kohë që hapësira nuk ndahet në mënyrë të barabartë, publiku humb shumë histori dhe perspektiva të vlefshme.