Diellza Miftari: Mungon kritika dhe debati publik për artin dhe politikat kulturore

Në një kohë kur kufijtë mes gazetarisë, artit dhe rrëfimit vizual po bëhen gjithnjë e më të ndërthurur, zërat që arrijnë t’i mbajnë bashkë këto tri botë janë të rrallë. Diellza Miftari, regjisore dhe gazetare, i takon pikërisht këtij profili krijues që e sheh gazetarinë jo vetëm si informim, por edhe si akt reflektimi, ndërsa regjisë i qaset si formë e thelluar e tregimit të realitetit. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për gazetarnë kulturore në vend, sfidat e pavarësisë editoriale, mungesa e strategjisë në industrinë audiovizuale dhe nevoja që arti të mbetet i lidhur me kohën dhe shoqërinë.

Portalb.mk: I keni kushtuar një jetë të tërë gazetarisë, kulturës dhe regjisë, si u ndërtua ky kombinim dhe si e shihni evoluimin e tij ndër vite, nga dita kur ia filluat e deri më sot?

Diellza Miftari: Gazetaria, kultura dhe regjia për mua nuk kanë qenë kurrë fusha të ndara, por pjesë e së njëjtës nevojë për të treguar histori dhe për të kuptuar shoqërinë. Fillimisht erdha nga gazetaria si mjet informimi dhe ndërgjegjësimi, ndërsa kultura më dha thellësinë kritike dhe emocionale. Regjia erdhi natyrshëm si vazhdim vizual i rrëfimit. Me kalimin e viteve kam parë se sa e rëndësishme është të mos mbetesh vetëm te lajmi i shpejtë, por të ndërtosh përmbajtje me kuptim, kontekst dhe ndjeshmëri. Evoluimi ka qenë nga raportimi drejt interpretimit dhe më pas drejt krijimit artistik.

Portalb.mk: Gazetaria kulturore në Maqedoninë e Veriut shpesh trajtohet si rubrikë dytësore dhe jo si hapësirë kritike publike. Si e vlerëson ti gjendjen aktuale të raportimit kulturor: a po prodhojmë analizë dhe debat, apo vetëm promovim aktivitetesh?

Diellza Miftari: Fatkeqësisht, gazetaria kulturore tek ne ende trajtohet kryesisht si promovim aktivitetesh dhe jo si hapësirë analitike. Ka pak kritikë të mirëfilltë, pak debat publik për politikat kulturore dhe për cilësinë artistike. Në shumicën e rasteve raportimi kufizohet në njoftime, kronika ceremoniale dhe intervista promocionale. Kultura ka nevojë për gazetari që pyet, analizon dhe problematizon, jo vetëm që pasqyron.

Portalb.mk: Në një treg të vogël mediatik dhe me presione politike e financiare, sa hapësirë reale ka gazetaria e kulturës për të qenë e pavarur dhe kritike ndaj institucioneve kulturore? A ekziston autocensurë edhe në këtë fushë?

Diellza Miftari: Në një treg të vogël si ai i Maqedonisë së Veriut, pavarësia mediatike është sfidë serioze, dhe kjo vlen edhe për gazetarinë kulturore. Varësia nga fondet publike, projektet institucionale dhe sponsorët krijon shpesh një formë autocensure të heshtur. Gazetarët hezitojnë të kritikojnë institucionet kulturore nga frika se mos humbasin bashkëpunime apo qasje. Pra presioni ekziston, edhe pse është më i butë se në politikë.

Portalb.mk: Industria e filmit dhe produksionit audiovizual në vend përballet me mungesë fondesh dhe strategjie afatgjate. A mendon se problemi është vetëm financiar, apo edhe strukturor, në mënyrën si menaxhohen fondet, si ndërtohen ekipet dhe si shpërndahet përkrahja?

Diellza Miftari: Problemi nuk është vetëm financiar, edhe pse mungesa e fondeve është reale. Ka gjithashtu probleme strukturore: mungesë strategjie afatgjate, shpërndarje jo gjithmonë transparente e mjeteve, ekipe që ndërtohen shpesh mbi baza miqësore dhe jo profesionale. Pa politika të qarta kulturore dhe pa mbështetje për zhvillimin e autorëve të rinj, industria mbetet e fragmentuar dhe e pasigurt.

Portalb.mk: Sa e përfaqësuar është perspektiva e grave në regji dhe në rrëfimin filmik në përgjithësi? A kemi ndryshim real në qasje dhe narrativë, apo prania e grave shpesh mbetet simbolike?

Diellza Miftari: Ka më shumë gra sot në regji dhe në produksion se sa më parë, por përfaqësimi ende nuk është i barabartë dhe shpesh mbetet simbolik. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është vetëm numri, por qasja: shumë herë gratë duhet të përshtaten me modele narrative ekzistuese mashkullore për të mbijetuar në industri. Ndryshimi real vjen kur perspektiva femërore reflektohet në temat, në mënyrën e rrëfimit dhe në ndjeshmërinë artistike.

Portalb.mk: Raporti mes artit dhe realitetit shoqëror është gjithmonë i ndërlikuar. A duhet regjia të mbajë qëndrim të qartë shoqëror e politik, apo arti rrezikon të instrumentalizohet kur bëhet shumë i drejtpërdrejtë?

Diellza Miftari: Unë besoj se arti nuk mund të jetë i shkëputur nga realiteti shoqëror. Regjia, veçanërisht dokumentari dhe filmi social, kanë përgjegjësi të adresojnë padrejtësitë, heshtjet dhe problemet kolektive. Por ka një vijë të hollë mes qëndrimit artistik dhe propagandës. Kur mesazhi bëhet shumë didaktik, rrezikon të humbasë fuqinë artistike. Arti duhet të pyesë dhe të nxisë reflektim, jo të predikojë.

Portalb.mk: Duke parë ndërthurjen mes medias dhe filmit, a mendon se publiku ynë është mjaftueshëm i edukuar për ta konsumuar dhe kërkuar përmbajtje cilësore kulturore, apo edhe vetë publiku është formësuar nga një treg që ofron më shumë argëtim sesa art?

Diellza Miftari: Publiku ynë është në masë të madhe produkt i ofertës që i është dhënë ndër vite. Kur mediat ofrojnë kryesisht argëtim të lehtë dhe sensacionalizëm, është normale që shijet të formësohen në atë drejtim. Megjithatë, sa herë që ofrohet përmbajtje cilësore kulturore, shohim se ekziston interes real. Pra problemi nuk është mungesa e kapacitetit të publikut, por mungesa e investimit serioz në kulturë dhe edukim mediatik.