Derbi i Milanos futet në histori

Derbi i Milanos është futur në histori ende pa u luajtur. Sfida e së dielës mbrëma në “San Siro” do të marrë vendin e parë si ndeshja me të ardhurat më të mëdha nga shitja e biletave. Pritet që shuma të arrijë rreth 8 milionë euro, duke kaluar duelin e 22 shtatorit të vitit të kaluar, ku u arkëtuan 7.6 milionë euro, shkruan TVKlan.

Por ka edhe një detaj që e bën këtë shifër akoma më të rëndësishme: ky do të jetë derbi i parë në histori që Interi dhe Milani e luajnë si bashkëpronarë të stadiumit “San Siro”, pasi e blenë zyrtarisht nga komuna e Milanos.

Ky është derbi i parë i sezonit dhe zikaltrit kërkojnë të thyejnë tersin e pesë ndeshjeve pa fitore.

“Kam përjetuar shumë derbi si lojtar, ndërsa ky është i pari si trajner. Shpresoj që të jetë një spektakël. E dimë mirë rëndësinë e kësaj sfide dhe duhet ta përgatisim siç duhet për të bërë krenarë tifozët tanë”, tha Christian Chivu, trajner i Interit.

Nga ana tjetër, për trajnerin Masimiliano Alegri, zikaltrit janë favoritët për titullin, ndërsa ai zbuloi edhe një prapaskenë të merkatos.

“Në një natë më duhej të vendosja nëse do të rikthehesha te Juventusi, të shkoja te Reali apo te Interi. Këtë e dinë të gjithë. Zikaltrit janë favoritët për titullin kampion. Ne synojmë një vend në katërshe. Derbi është një sfidë e zjarrtë dhe shpresoj që ta fitojmë”, tha Masimiliano Alegri, trajner i Milanit.

Ndeshja Inter–Milan do të luhet të dielën, në orën 20:45.