Deponia e veturave të vjetra prapa Gjykatës së Kumanovës u la në harresë, institucionet nuk e pastrojnë
“Deponia” me veturat e vjetra që ndodhen në hapësirat prapa objektit të Gjykatës Themelore afër Stacionit Policor në Kumanovë nuk është pastruar ende, pavarsisht se Inspektorati Komunal para gjashtë muajsh u zotua se do ta pastronte, shkruan Portalb.mk.
Hapësira prapa Gjykatës Themelore dhe afër Stacionit Policor në Kumanovë, në rrugën ‘11 Tetori’, e cila përdoret edhe si parking nga qytetarët, vazhdon të mbetet e papastruar nga automjetet e vjetra të cilat qëndrojnë aty prej kohësh.
Nga Komuna e Kumanovës theksuan se, sipas nenit 40 të Ligjit për automjetet, çështja është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Detyrimi për çregjistrim neni 40, (12) Gjatë çregjistrimit të automjetit në përputhje me paragrafit (11) të këtij neni, Ministria e Punëve të Brendshme – sektori i regjistrimit ku automjeti është i regjistruar, lëshon një vërtetim se automjeti është çregjistruar dhe mund të dërgohet në skrap për automjete. Përderisa nuk marrim vërtetim nga MPB-ja se këto automjete janë çregjistruar, gjegjësisht nga sektori përkatës i regjistrimit të automjeteve, nuk mund t’i trajtojmë këto automjete si të dëmtuara, dhe nuk mund të vazhdojmë me procedurën tonë. Sipas informatave që kam marrë nga MPB-ja, këto automjete janë konfiskuar nga Policia Pyjore dhe nuk kanë asnjë informacion nëse zhvillohet apo jo ndonjë procedurë penale ”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Nga Komuna e Kumanovës bëjnë të ditur se, nëse merret vërtetimi i nevojshëm që këto automjete janë çregjistruar, ata do të veprojnë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Nga ana tjetër, nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) thonë se hapësira pas Gjykatës Themelore të Kumanovës është pronë private.
“Parkingu që ndodhet pas Gjykatës Themelore të Kumanovës është pronë private. Sipas kompetencave ligjore, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë nuk ka autorizime për të larguar automjetet e vjetra nëse një gjë e tillë nuk kërkohet nga pronari”, thanë nga Sektori për Punë të Brendshme.
Kujtojmë se, me 19 janar, nga Inspektorati Komunal i Kumanovës për Portalb.mk theksuan se janë në fazë përfundimtare të nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me një operator për menaxhimin e mbetjeve të veçanta.
“Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, do të iniciohet largimi i të gjitha automjeteve të braktisura të cilat nuk janë në gjendje të rregullt (dhe janë deklaruar si mbetje të automjeteve gjegjësisht të fshira nga evidenca e Ministrisë së Brendshme)”, patën thënë nga Inspektorati Komunal me 19 janar.
Ata theksuan se automjetet që ndodhen në parkingun prapa Gjykatës Publike në Kumanovë në pjesën më të madhe janë automjete të sekuestruara nga Policia Pyjore, dhe pasi të marrin informacione për gjendjen e këtyre automjeteve do të nisin procedurat për largimin e tyre.
- LEXO: Deponi veturash të vjetra afër Policisë dhe Gjykatës në Kumanovë, autoritetet premtuan zgjidhje
Ndryshe, kaosi në trafik vazhdon të mbetet i pranishëm në Kumanovë, problem mbetet parkimi jo i rregullt i automjeteve dhe mungesa e parkingjeve, edhe gjatë sezonit të verës dhe të dimrit.