Delegacioni i RMV-së takim me përfaqësues të UNESCO-s në Paris, në fokus ruajtja e statusit të rajonit të Ohrit

Një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski ndodhet në vizitë pune dy-ditore në Paris, gjatë së cilës do të takohet me drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s, Khaled El-Enani, dhe përfaqësues të tjerë të organizatës. Takimet, siç është njoftuar nga Qeveria, do të theksojnë përpjekjet për të ruajtur statusin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, transmeton Portalb.mk.

“Do të theksohet gjithashtu se shteti po krijon sistem mbrojtjeje që garanton ruajtjen e integritetit dhe autenticitetit të rajonit të Ohrit si një vlerë e jashtëzakonshme universale”, shtoi Qeveria.

Prandaj, ata theksojnë se gjatë takimeve, delegacioni qeveritar do të trajtojë edhe masat që po merren në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të misioneve reaktive të UNESCO-s dhe Planit Strategjik të Rehabilitimit.

Përveç Nikolloskit, pjesë e delegacionit qeveritar që ndodhet në vizitë pune në Paris sot dhe nesër janë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha, kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov dhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Kujtojmë se Rajonit të Ohrit i është dhënë një shans i tretë. Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris të enjten (10.07.2025) shtyu vendosjen e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe Historike Botërore në Rrezik.

Ohrit dhe Maqedonisë i është dhënë një vit tjetër për të përmbushur një sërë detyrimesh dhe për të vepruar sipas rekomandimeve të vërejtura në raportet e mëparshme të Misioneve të Monitorimit Reaktiv, për të cilat ata do të duhet të paraqisnin një raport në UNESCO deri më 1 shkurt të këtij viti. Më parë, Qeveria u ngarkoi të gjithë anëtarëve të delegacionit maqedonas në Paris që së bashku të paraqesin një amendament për tërheqjen e Projektvendimit të Komitetit, i cili propozonte që rajoni të vendoset në listën e trashëgimisë së rrezikuar.