Debati për rritjen e pensioneve, Mickoski në ‘luftë’ me Gjykatën Kushtetuese

Pavarësisht se kryeministri Mickoski u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për shfuqizimin e rritjes lineare të pensioneve, nga Gjykata Kushtetuese e demantuan se vendimi nuk është sjellë ende. Rritja lineare e pensioneve nuk është shfuqizuar, dhe edhe nëse shfuqizohet, pensionistët nuk do të marrin pensione më të ulëta, por do të marrin rritje sipas harmonizimit ligjor. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe partia e tij dolën me pretendimin se rritja lineare është shfuqizuar dhe se pensionistët do të marrin pensione më të ulëta nga muaji i ardhshëm. Gjykata Kushtetuese nuk e ka shfuqizuar rritjen lineare të pensioneve, ende është në proces vlerësimi i vendimit.  Nuk është e vërtetë se 70% e pensionistëve pensione më të ulëta nga muaji i ardhshëm, pensionistët do të marrin rritje sipas harmonizimit ligjor , transmeton Portalb.mk.

Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetjet e deputetëve, theksoi se sipas informacioneve të fundit, gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, e ka nënshkruar vendimin për shfuqizimin e rritjes lineare të pensioneve për pensionistët.

“Informacionet e fundit janë se vendimi tashmë është marrë dhe është nënshkruar nga ajo, dhe se pensionistët nuk do të vazhdojnë të marrin rritje lineare të pensioneve, por sipas përqindjeve të përcaktuara me ligj. Dhe kjo, vetëm si informacion, nënkuptonte që 70 për qind e pensionistëve do të marrin pension më të ulët nga muaji i ardhshëm, për shkak të kësaj iniciative të kësaj gjyqtareje që është pjesë e Gjykatës Kushtetuese, tha ai.

Gjykata Kushtetuese informoi se nuk është marrë ende vendim përfundimtar në për rritjen lineare të pensioneve.

“Gjykata thekson se në seancën e 24-të të mbajtur më 19.11.2025, me shumicë votash, shprehu dyshime në lidhje me kushtetutshmërinë e nenit 2 të Ligjit. Faza e dytë e procedurës është duke u zhvilluar, në të cilën kërkohen mendime nga hartuesi dhe propozuesit e Ligjit, pas së cilës do të pasojë vendimi përfundimtar”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.

Nga Kushtetuesja njoftuan se nuk do t’i rishqyrtojnë dispozitat të cilat përfshijnë rritjen e pensioneve dy herë nga 2500 denarë dhe kështu nuk do të ketë asnjë ulje të pensioneve nga muaji i ardhshëm.

Në të njëjtën seancë, ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, dhe deputetja aktuale nga LSDM-ja opozitare, Jovanka Trençevska, dha alarmin se situata me Fondin e Pensioneve është shqetësuese.

“Nuk ka para për pagesën e pensionit të dhjetorit as në buxhetin e Ministrisë së Politikës Sociale dhe as në Fondin e Pensioneve. Zëri nga i cili transferohen fondet nga ministria në fondin e pagesës së pensioneve është realizuar 100%, d.m.th. nuk ka para në atë llogari. Dhe nuk ka para në Fond sepse të gjitha fondet që kishte Fondi u përdorën për të paguar pensionet në nëntor. Nuk ka fonde për pensionin e dhjetorit”, tha Trençevska.

Ajo shtoi se qeveria bëri rritje pa llogaritje dhe pa plan, dhe se kjo nuk është reformë, por një lojë me qytetarët për hir të përfitimit politik.

Pse është kontestuese rritja lineare?

Gjykata vlerëson se modeli i harmonizimit linear mund t’i shkelë parimet kushtetuese të drejtësisë sociale, barazisë dhe sigurisë juridike. Dilema është nëse të gjithë pensionistët trajtohen barabartë apo nëse një pjesë e tyre “ndëshkohet” për stazh dhe kontribute më të larta. Nëse shfuqizohet rritja lineare, pensionistët do të marrin rritje sipas harmonizimit ligjor. Llogaritjet tregojnë se pensionet më të ulëta do të merrnin rreth 1.300 denarë, ndërsa ato më të larta,edhe më shumë.

Sipas Qeverisë, rritja lineare e ul varfërinë te pensionistët. Gjykata vlerëson se modeli linear krijon pabarazi, ë gjithë marrin të njëjtën rritje, që proporcionalisht është shumë më pak për ata me pensione më të larta.

Ligji për rritjen e re lineare u miratua në Kuvend me 79 vota “pro” më 24 korrik dhe parashikohet rritje prej 1.000 denarë në shtator dhe rritje prej 1.000 denarë në mars 2026. Më herët, pensionistët morën dy shtesa lineare prej 2.500 denarësh .

Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rishqyrtojë vendimin për 5.000 denarët e paguar vitin e kaluar për pensionistët. Por është duke e shqyrtuar vendimin për pagesën e 1.000 denarëve në shtator dhe mars.

Pra, nëse shfuqizohet vendimi për rritjen lineare të pensioneve, kjo nuk do të thotë pensione më të ulëta. Atëherë pensionistët do të marrin rritje sipas harmonizimit ligjor e cila llogaritet individualisht.

Në pritje të vitit të ri 2026, në të cilin aktualisht është e paqartë nëse pensionet do të rriten me përqindje apo në mënyrë lineare, ekonomistët theksojnë se rritja lineare e pensioneve është një faktor që ndikon në nxitjen e inflacionit në kushte të rritjes së PBB-së më të ulët se 4%, por që tashmë po ndikon edhe në gjendjen financiare të FSPIM-së.

“Shpenzimet aktuale po rriten, të paktën pjesërisht (9% në vitin 2024), për të financuar shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, rritjen e rrogave në sektorin publik, rritjen e pensioneve dhe rritjen e transferimeve tek fondet dhe komunat. Kjo skemë e planifikimit dhe formulimit të buxhetit duhet të braktiset brenda vitit”, vlerësuan nga “Finance Think”.

Në vitin 2026, sipas parashikimeve të reja të buxhetit, shuma për pagesat e pensioneve do të rritet për 10,7%, transferimet në FSPIM do të jenë gjithashtu më të larta, të cilat do të kenë një pjesëmarrje prej gati 41% në të ardhurat totale të fondit shtetëror. Kontestimi i mundshëm i modelit linear të rritjes së pensioneve nuk do të ketë vetëm peshë financiare, por edhe sociale, e cila do të lidhet me besimin në sistemin e pensioneve, nën ombrellën e të cilit ndodhet një nga kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve – pensionistët.