ANALIZË: Transfer historik, 1 miliardë euro për pensione, Gjykata Kushtetuese po vlerëson rritjen “lineare” të pensioneve (Infografik)

“Transferi nga buxheti i shtetit për vitin 2026 në Fondin Shtetëror të Sigurimeve Pensionale u rrit për gati 200 milionë euro, duke arritur në një shumë historike prej mbi 1 miliard eurosh.  Shuma për pagesat e rregullta të pensioneve në vitin e ardhshëm u rrit – për shkak të rritjes së pensioneve dhe numrit të pensionistëve. Transferimet buxhetore te Fondi i Sigurimit Shëndetësor mbeten në të njëjtën pozicion siç janë edhe këtë vit.  Analiza ekonomike javore e Portalb.mk i analizon “financat” e dy fondeve më të mëdha shtetërore.  

Shpenzimet buxhetore të FSPIM-së dhe FSShM-së

Gjithsej 1.138.000.000 euro nga thesari i shtetit në vitin 2026 do të transferohen në llogarinë e dy fondeve shtetërore – FSPIM-së dhe FSShM-së. Shuma e transferit në Fondin për Sigurim Pensional ka arritur kulmin historik, duke tejkaluar vlerën për 1 miliard euro, ndërsa Fondi i Sigurimit Shëndetësor do të marrë 118.100.000 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vitin e ardhshëm, buxheti i përgjithshëm i fondit të dytë më të madh shtetëror – FSShM-së do të arrijë në 887.750.000 milionë euro krahasuar me këtë vit është rritur për 21.500.000 euro.

Llogaritja e bërë nga Portalb.mk tregon se krahasuar me këtë vit, transferi nga buxheti qendror te FPSIM-ja është rritur për 200.000.000 euro të tjera (193,5 milionë euro më shumë). Rritja e transfereve nga buxheti qendror e ka rritur edhe buxhetin e vetë FSPIM-së.

Vitin e ardhshëm, për pagesën e “përfitimeve sociale”, FSPIM-ja do të shpenzojë 2.440.000.000 euro , dhe kjo shumë këtë vit është rritur për 226.500.000 euro krahasuar me këtë vit, kurse pjesa më e madhe, ose 1.900.000.000 euro, praktikisht është për pagesën e pensioneve.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vitin tjetër “rritje lineare” apo rritje e pensioneve sipas metodologjisë?

Vitin e ardhshëm, 2026, pensionistët do të kenë një rritje të re të pensioneve të tyre – sipas njoftimeve për buxhetin, llogaritja do të bazohet në harmonizimin ligjor me inflacionin dhe rritjen e rrogës mesatare, por sipas njoftimeve të Ministrisë së Financave, në prill, pensionistët do të marrin rritje prej 1.000 denarësh, që tregon se bëhet fjalë për rritje “lineare”.

“Për pagesat e pensioneve janë planifikuar 116,8 miliardë denarë, duke përfshirë efektin e rritjes së realizuar të pensioneve nga viti 2025 dhe një rritje shtesë të pensioneve për vitin 2026, në përputhje me zgjidhjen ekzistuese ligjore”, thuhet në Buxhetin e vitit 2026.

Ja çfarë tha para do kohësh ministrja e Financave:

“Pensionistët kanë marrë një mijë denarë tani, sipas llogaritjeve, e njëjta shumë do të jetë edhe në mars të vitit të ardhshëm dhe në shtator, duke marrë parasysh edhe se rroga mesatare do të rritet natyrshëm.” Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe të gjithë procesit natyror që po ndodh në ekonomi, presim që do të ketë një rritje të mëtejshme të pensioneve, por kjo do të jetë në përputhje me ligjin”, tha Gordana DimitrieskaKoçoska.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese njoftoi se është e mundur të vlerësohet kushtetutshmëria e “rritjes lineare” të paralajmëruar prej 1.000 denarësh në mars dhe në shtator të këtij viti.

“Gjykata Kushtetuese, në këtë fazë të procedurës, shprehu dyshime se neni 2 i kontestuar i shkel parimet kushtetuese të drejtësisë sociale, barazisë së qytetarëve, si dhe sigurinë juridike dhe pritjet legjitime si parime ligjore”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Në pritje të vitit të ri 2026, në të cilin aktualisht është e paqartë nëse pensionet do të rriten me përqindje apo në mënyrë lineare, ekonomistët theksojnë se rritja lineare e pensioneve është një faktor që ndikon në nxitjen e inflacionit në kushte të rritjes së PBB-së më të ulët se 4%, por që tashmë po ndikon edhe në gjendjen financiare të FSPIM-së.

“Shpenzimet aktuale po rriten, të paktën pjesërisht (9% në vitin 2024), për të financuar shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, rritjen e rrogave në sektorin publik, rritjen e pensioneve dhe rritjen e transferimeve tek fondet dhe komunat. Kjo skemë e planifikimit dhe formulimit të buxhetit duhet të braktiset brenda vitit”, vlerësuan nga “Finance Think”.

Në vitin 2026, sipas parashikimeve të reja të buxhetit, shuma për pagesat e pensioneve do të rritet për 10,7%, transferimet në FSPIM do të jenë gjithashtu më të larta, të cilat do të kenë një pjesëmarrje prej gati 41% në të ardhurat totale të fondit shtetëror. Kontestimi i mundshëm i modelit linear të rritjes së pensioneve nuk do të ketë vetëm peshë financiare, por edhe sociale, e cila do të lidhet me besimin në sistemin e pensioneve, nën ombrellën e të cilit ndodhet një nga kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve – pensionistët.