D-r. Arsova për masakrën në Beograd: Kontaktet e fëmijës me armët ia kanë shkaktuar mendimet për vrasjet

Serbia u përball me shtatëmbëdhjetë viktima dhe dhjetëra të plagosur si rezultat i dy masakrave që u bënë brenda vetëm 48 orëve, e para kur një nxënës i klasës së shtatë në Vraçar vrau tetë nga shokët e tij të klasës dhe rojën e shkollës të mërkurën dhe e dyta vetëm një ditë më pas kur një djalë 21-vjeçar në Mlladenoc vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë. Ajo që për këto rajone ishte diçka e panjohur, me këto dy ngjarje tragjike u bë realitet, u bë diçka që në opinion hapi shumë çështje, si në aspektin e komponentit arsimor tek të rinjtë, ashtu edhe për dështimin sistemik sa i përket parandalimit, por edhe në drejtim të kontrollit të armëve. Për motivet e mundshme që e shtyjnë një fëmijë të marrë në dorë armë, për strukturën e personalitetit të tij dhe nëse ka mundur të bëhet diçka për t’i parandaluar ngjarjet e këtilla, Meta.mk bisedoi me D-r. Sllavica Arsova, psikiatre dhe profesoreshë në Katedrën e Psikiatrisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Sipas përvojës tuaj, si mund të jetë profili i një personi, i një fëmije, që ka planifikuar dhe që pastaj kreu një akt kaq monstruoz?

Arsova: Në atë moshë nuk mund të flasim për strukturën e personalitetit, mund të flasim për zhvillim. Për strukturën e personalitetit mund të flasim vetëm kur bëhet fjalë për një person të pjekur. Në moshën 13-14 vjeç është ende herët. Por disa gjëra të caktuara, disa elemente më pas, në moshën madhore – kur ne bëjmë vlerësim nëse bëhet fjalë për persona me strukturë adekuate apo joadekuate të personalitetit, i vlerësojmë pikërisht nga zhvillimi. Kjo do të thotë se nëse ne dyshojmë se dikush ka një strukturë joadekuate, që në përkthim do të thotë psikopat, vlerësojmë se personi nuk ka të zhvilluar ndjenjën e empatisë, është i paaftë ose ka pak ndjeshmëri për dhimbjen e njerëzve të tjerë, mungesë të plotë ose pothuajse të plotë të pendimit, një person që gjatë zhvillimit shpesh herë ka pasur marrëdhënie konfliktuale me moshatarët ose me autoritetet, një person që reagon me impulsivitet, ose siç thuhet tek ne që ka një “fitil të shkurtër”. Në disa situata nuk është e thënë të jetë vetëm kjo, sepse kur flasim për individë me strukturë joadekuate të personalitetit, ata nuk është e thënë të jenë vetëm ata me “fitil të shkurtër”, por ka mundësi të jenë edhe ata që nuk kanë qenë mjaft të shoqërueshëm, që kanë qenë të tërhequr, të pa socializuar, ata që nuk kanë krijuar marrëdhënie ose që kanë krijuar marrëdhënie sipërfaqësore. Kur themi marrëdhënie, fjalën e kemi për marrëdhëniet me miqtë (dhënie, marrje, ndarje, lojë), pastaj më pas për krijimin e marrëdhënieve intime ose pamundësinë për të krijuar çfarë do lloj marrëdhënieje.

Sa kapacitetet kanë fëmijët e moshës 13-14 vjeç për të qenë të vetëdijshëm për veprimet dhe pasojat e tyre dhe cili mund të jetë “shkaku” që ata të devijojnë nga sjelljet normale sociale?

Arsova: Këtu bëhet fjalë për një fëmijë në adoleshencën e hershme, kur vlerësojmë se ai duhet të ketë kapacitet për të bërë dallim mes të mirës dhe të keqes, asaj që lejohet dhe asaj që është e ndaluar, mes të pranueshmes dhe të papranueshmes nga shoqëria dhe të ketë kapacitet për të krijuar marrëdhënie. Në atë periudhë fëmijët kanë një nevojë të madhe që të përkasin në grupe, për t’u shoqëruar me bashkëmoshatarët. Nëse një fëmijë nuk mund të futet në grupin që është “popullor” ose në një grup me cilësi pozitive, ai mund të anojë kah identifikimi me ato “djemtë e këqij”, kah një grup që ka sjellje të papranueshme, jo adekuate. Në shkollë kjo mund të nënkuptojë mosbindje ndaj rregullave të shkollës, mospërfundim të detyrave shkollore, mosrespektim të autoriteteve, mësuesve dhe prindërve.

Por, atëherë është më e rëndësishme që fëmijët t’i përkasin popullatës bashkëmoshatare. Ne jemi qenie shoqërore dhe kemi nevojë të përkasim, ky është instinkti jonë shoqëror.

Nga ajo që po dëgjoj dhe lexoj, që janë informacione shumë sipërfaqësore, fëmija nuk ka pasur një rreth më të gjerë miqësor dhe nuk e dimë nëse ka qenë apo jo pjesë e ndonjë grupi . Por që të përkasësh diku duhet të kesh kapacitetin për të dhënë – të japësh diçka e të ta kthejnë, për t’i dhënë diçka dikujt tjetër, gjithçka është veprim – reagim, të japësh, të ndash, dhe emocione dhe përjetime, të ndash gjithçka që ke me atë që e ke të afërt.

Po çfarë ndodh nëse fëmija nuk e gjen veten në asnjë grup?

Arsova: Nëse kjo nuk ndodh, fëmija mund të ndihet i papranuar, i padëshiruar, të mendojë se nuk është i bukur aq sa duhet, nuk është i zgjuar aq sa duhet, se nuk vlen aq sa duhet. Ndjenja se ju duan dhe ju pranojnë është e rëndësishme, por jo gjithmonë është adekuate me realitetin, domethënë përjetimi, interpretimi mund të shtrembërohet – “ata më urrejnë, nuk më respektojnë, nuk jam mjaft interesant, mjaft tërheqës, mua më poshtërojnë”. Ajo jo gjithmonë është në përpjesëtim të drejtë me realitetin, domethënë mund të jetë vetëm një interpretim personal i fëmijës.

Në situatën në fjalë nuk kemi informacion se fëmija në të vërtetë ka qenë i përjashtuar nga shoqëria dhe se ka qenë viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve, sepse ka edhe informacion se e kanë ftuar në takime nga bashkëmoshatarët, prandaj këtu duhet pasur kujdes edhe tek interpretimi – nëse bëhet fjalë për një interpretim personal të llojit “mua nuk më duan, më refuzojnë, më poshtërojnë, më shikojnë çuditshëm” apo për një situatë reale.

Megjithatë, ka një dallim të madh nga interpretimi personal i të qenit i refuzuar dhe kalimit drejt realizimit të një akti të tillë monstruoz.

Arsova: Kjo është gjëja më ekstreme. Në atë periudhë mund të ketë dhunë dhe mund të interpretohet përmes zënkave të shpeshta me bashkëmoshatarët, profesorët, ikjes nga mësimi, mosrespektimit të autoriteteve, përdorimit të fjalorit joadekuat etj. Por ky është një ekstrem ku qëllimi është të lëndosh dikë, të dëshirosh vdekjen e dikujt, qoftë tënden apo të dikujt tjetër, impulset agresive e arrijnë nivelin më të lartë.

Impulse ekstreme ka secili nga ne- nëse ata synojnë diçka pozitive, ajo quhet ambicie. Nëse nuk do të kishim impulse agresive, të cilat janë të drejtuara drejt ndërtimit, atëherë nuk do të ishim ambiciozë, do të mbetnim përgjithmonë në klasën e parë, por kur i drejtojmë drejt krijimit, ato përfaqësojnë ndërtimin dhe ambicien. Kur i drejtojmë drejt shkatërrimit, ato përfaqësojnë  shkatërrim. A bëhet fjalë për shkatërrim të mjedisit, pra të gjithçkaje që na rrethon, apo është lëndim i vetëdijshëm i dikujt, pra dhunë. Kjo do të thotë “dua të lëndoj dikë” dhe mund të jetë e drejtuar ose ndaj vetes, pra të duash të vrasësh veten, ose të jetë dëshirë për vrasje, pra të vrasësh.

Sido që të jetë, mendimi është joadekuat, i sëmurë, i pashëndetshëm. Nëse kalon në realizim, asgjë nga kjo, në asnjë rast, nuk mund të interpretohet si e shëndetshme. A bëhet fjalë për një fëmijë që nesër do të zhvillohet në një person me strukturë joadekuate, pra në psikopat që del përtej asaj që është e pranueshme nga shoqëria dhe nuk respekton asnjë ligj, normë dhe rregull, apo është rezultat i një çrregullimi tjetër të rëndë mendor që mund të fillojë gjatë asaj periudhe – në çdo rast është pjesë e disa përmbajtjeve jo të shëndetshëm mendore që më pas kalojnë në realizim.

A ka ndonjë mënyrë për t’i sanksionuar, siguruar apo trajtuar këta persona, me qëllim që të parandalohen këto krime?

Arsova: Personat me strukturë joadekuate të personalitetit, pra nuk bëhet fjalë për sëmundje, shumë shpesh e shkelin ligjin, në të shumtën e rasteve përfundojnë në burg, qoftë për grabitje, vjedhje, zënka apo për vepra më të rënda, siç është vrasja. Nëse bëhet fjalë për zhvillimin e ndonjë çrregullimi që ka filluar gjatë asaj periudhe, atëherë ka trajtim dhe shërim që mund të ketë si rezultat reduktimin e atyre përmbajtjeve psikopatologjike.

D-r. Sllavica Arsova, foto: Meta.mk
D-r. Sllavica Arsova, foto: Meta.mk

A mendoni që prindërit apo mësuesit kanë mundur të bëjnë ndonjë gjë për ta parandaluar një ngjarje kaq tragjike?

Arsova: Sigurisht që po. Në këtë rast ajo që bie në sy është se kemi armë. Një rregull bazë është që armët të mos mbahen në shtëpi, sepse kjo paraqet një hap më afër vetëvrasjes ose vrasjes. Arma është mjet me të cilin shkaktohet lëndim, ky është funksioni i saj. Nëse profesioni juaj e kërkon që të mbani armë, ekzistojnë masa adekuate për mbrojtje, po nëse jo, ideja e mbajtjes së armëve është e pakuptimtë. Pse janë mbajtur armë në shtëpi? Për këtë arsye rreziku që diçka e tillë të ndodhë është i lartë. Nga ana tjetër, fëmijës i është ofruar arma,  pra e kanë çuar në poligonin e qitjes. Pra ai ka qenë në kontakt të ngushtë dhe i familiarizuar me armën. Nëse kjo nuk do të ishte kështu, nuk është se nuk do të kishte ndodhur diçka e keqe, një gjë e tillë ndoshta do të ishte kthyer kah vetja, nëse do të ishte rezultat i ndonjë çrregullimi mendor që nuk është vënë re ose për të cilin nuk është reaguar në kohë. Rreziku më i madh do të ishte të ngrinte dorën mbi vete, në një mënyrë tjetër. Por me vetë faktin që në shtëpi ka pasur një armë, të cilën i është lejuar ta mbante, të ndihej i afërt me atë armë, ekziston një rrezik i madh për një tragjedi të tillë. Gjatë kontakteve të afërta me armët, fëmijës i  ka lindur edhe ajo ide patologjike, për çfarëdo arsye, për çfarëdo motivi. Ajo ide që i ka lindur, “të lëndojë dikë”, është zhvilluar falë faktit që në shtëpinë e tij ka pasur armë, dhe pastaj ai e ka realizuar atë akt monstruoz të cilin e ka menduar. Nuk ka rëndësi nëse kjo është bërë si pasojë e një sëmundjeje apo i një strukture joatekuate të personalitetit në të ardhmen.

Nuk e di pse e gjithë kjo nuk është vënë re në kohë, por është fakt se nuk është vënë re as nga prindërit, as nga stafi pedagogjik, por fillimisht nga shtëpia.

Cilat janë sinjalet për të cilat duhet të kemi kujdes?

Arsova: A flen fëmija, a flen shumë, a ka oreks, a ha shumë, a lahet,  a e mirëmban higjienën personale, a ka rënë në mësim, a është bërë me nevrik.

Përveç kësaj, një nga treguesit e mundshëm në shumë hulumtime është se më të prirur ndaj dhunës janë fëmijët që kënaqen duke i torturuar kafshët, macet, qentë… Ne si njerëz nuk kemi nevojë të shkaktojmë dhimbje dhe ta shijojmë këtë gjë. Por njerëzit që do të zhvillojnë një strukturë joadekuate të personalitetit,  si fëmijë kanë përvojë në përjetimin e kënaqësisë gjatë torturimit të kafshëve ose bashkëmoshatarëve më të dobët. Kjo mund të jetë fizike, sidomos ndaj kafshëve, ose psikologjike, përmes nënçmimit të bashkëmoshatarëve.

Sido që të jetë fëmija e ndryshon sjelljen e tij, kjo gjë bie në sy,  dhe kjo sjellje e ndryshuar shpesh zgjat edhe pas një viti. Në rastin konkret kjo gjë ka zgjatur mjaft kohë, fëmija ka kërkuar që të ndërrojë klasën e tij, pse vallë ka kërkuar një gjë të tillë? Pra, fëmija ka manifestuar ndryshime në sjellje, të cilat jo gjithmonë mund të jenë si pasojë e keqtrajtimit nga mjedisi. Tani, e gjithë kjo tregon se diçka ka ndodhur me atë fëmijë, pse nuk është vepruar në kohë?

Më momentin Serbia po përballet me dy ngjarje të ngjashme tragjike që ndodhën brenda 48 orëve. Pse ngjarjet e tilla në një farë mënyre shkaktojnë reaksione zinxhir?

Arsova: Ky është një fenomen, nuk është i panjohur dhe nuk është i kohëve të fundit. Në shekullin XVIII dhe XIX në Rusi, shkrimtarët e famshëm rusë filluan të kryenin vetëvrasje njëri pas tjetrit, si një manifestim i pakënaqësisë dhe rezistencës ndaj rregullimeve shoqërore të asaj periudhe. Pastaj, kjo gjë në njëfarë mënyre  vazhdoi të ngërthehet edhe në periudha të tjera shoqërore dhe kohore në vende të ndryshme. Për shembull, nëse keni ndjenjën se shteti nuk kujdeset për ju, ju filloni të kujdeseni për veten ashtu siç dini vetë. Atëherë është i mundur përshkallëzimi i fenomeneve negative shoqërore, dhe kjo është dhuna. Nëse do të manifestohet kjo gjë kështu dhe do të përhapet te të tjerët, ose dikush do të kthehet kundër vetes – vetëvrasje si manifestim revolte dhe i vetmi shpëtim nga ajo që nuk është e mirë, të gjitha këto bëjnë pjesë në dhunë. Dhe pse ndodh kjo? Ndonjëherë kjo ndodh për shkak të identifikimit me agresorin ose me dikë që në një mënyrë të tillë është përballur me zhgënjimet personale.

Hulumtimet tregojnë se vitet e fundit çdo i treti i ri në vendin tonë ka përjetuar episode depresive apo ankthi. Sa është rritja e depresionit tek të rinjtë?

Arsova: Sigurisht që tek të rinjtë ka një rritje të depresionit dhe ankthit. Dhe situata nuk është e  tillë vetëm këtu, të dhëna shqetësuese ka nga kudo, si në SHBA ashtu edhe në Australi, kudo. Duhet pranuar që ne kemi qenë pak më mirë për shkak të dallimeve kulturore, ka më shumë shoqërim, takime familjare, marrëdhënie me të afërmit, festa familjare, ditëlindje, jemi të prirur për tu shoqëruar pak më shumë.

Ka shumë faktorë se pse depresioni dhe ankthi janë në rritje, sidomos në vendin tonë. Në 30 vitet e fundit vazhdimisht po jetojmë në krizë, mbaron njëra e fillon tjetra. Të gjitha këto kriza, shëndetësore, ekonomike dhe politike ndikojnë tek ne dhe sa më i varfër të jetë vendi, aq më të mëdha janë këto kriza. Kategoritë më të cenueshme sigurisht që janë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët dhe gratë. Pra, këto janë kategori qytetarësh të rrezikuar nga çrregullimet e shëndetit mendor në kushte krize. Dhe ne nuk kemi dalë nga  kriza. Sa më i varfër të jetë vendi, aq më i vogël është kapaciteti për t’u përballur me një krizë të caktuar. Nëse duam t’i mbrojmë fëmijët fillimisht  duhet t’i mbrojmë mësuesit, edukatorët, mësimdhënësit, në institucionet parashkollore, në shkolla…

Nëse kujdesemi për shëndetin e fëmijëve, duhet të kujdesemi edhe për shëndetin e prindërve të tyre. Nëse kujdesemi për shëndetin e nënave, duhet të kujdesemi për to kur ato janë shtatzënë, pastaj kur lindin, tu mundësohet atyre të kujdesen për veten, e më pas për fëmijën. Nëse ajo jeton në frikë se nëse nuk shkon në punë do të humbasë vendin e punës, e prandaj i duhet të kthehet në punë vetëm pas 3 muajsh, kjo normalisht që i krijon ankth dhe depresion, sepse ajo nuk mund t’i kryejë të gjitha detyrat e saj. Prandaj fillimisht të kujdesemi për prindërit, sepse nëse ato janë të shëndetshëm, do të kujdesen për fëmijët. Është hipokrizi të themi se kujdesemi për institucionet, e të mos kujdesemi për ata që punojnë në këto institucione parashkollore. E njëjta gjë vlen edhe për shkollat.