Dorëheqja e ministrit serb të arsimit Ruzhiq: Tragjedinë do ta mbaj si vulë në shpirt
Ministri serb i Arsimit, Branko Ruzhiq, ka dorëzuar sot pasdite dorëheqjen në Qeveri, pak ditë pas ngjarjes së tmerrshme në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit, kur një nxënës i klasës së shtatë vrau tetë shokë të klasës dhe rojen e shkollës me armën e të atit dhe plagosi gjashtë nxënës dhe një mësues, transmeton Portalb.mk.
Në dorëheqjen, të cilën e ka publikuar në rrjetet sociale, shkruhet se e ka ofruar në të njëjtën ditë kur ndodhi masakra në shkollë.
🇷🇸 @socijalisti pic.twitter.com/LiWKLTnj83
— Branko Ružić (@brankoruzicsps) May 7, 2023
“Shfrytëzoj rastin edhe një herë për të shprehur ngushëllimet e mia më të thella për të dashurit e viktimave, në dhimbje të papërshkrueshme, engjëjt e vegjël u prefshin në paqe dhe Zoti na ndihmoftë që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë. Pamjet dramatike të ngjarjeve në shkollë, lotët e derdhur duke u shprehur ngushëllime prindërve të pangushëllueshëm, do t’i mbaj si vulë në shpirt për gjithë jetën. Në heshtjen e zisë treditore kombëtare, si person përgjegjës, profesionist në kryerjen e të gjitha detyrave të mëparshme publike, si prind dhe si qytetar i Republikës së Serbisë, që gjithmonë e kam në vend të parë dhe në përputhje me nenin 23 të Ligjit për Qeverinë kam marrë të vetmin vendim racional dhe të ndershëm sipas rrethanave. Po paraqes dorëheqje të parevokueshme nga pozita e ministrit të Arsimit në Qeverinë e Republikës së Serbisë”, shkruan Ruzhiq në letrën e dorëheqjes.
Ai shton se dorëheqja është akt personal por edhe politik.
“Në shoqëritë e zhvilluara demokratike është tipar fuqie, por te ne shpesh është tipar dobësie. Le të gjykojë publiku”, thotë Ruzhiq.