Çuçul: KSHPK nuk ka kompetenca të ndërhyjë në vendimet e Prokurorisë

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Adem Çuçul, deklaroi sot se institucioni që ai drejton nuk ka autoritet ligjor për të komentuar ose ndërhyrë në vendimet e Prokurorisë. Ky reagim vjen pas vendimit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) për të ndaluar procedurën në rastin që lidhet me prokurimin e mazutit për Termocentralin e Negotinës, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ishte i befasuar nga ky vendim i Prokurorisë, Çuçul bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional.

“Nuk do të komentoja vendimin e Prokurorisë Publike për rastin e mazutit, duke marrë parasysh se Komisioni Shtetëror nuk është kompetent për të ndërhyrë në punën e Prokurorisë. Ne jemi të mendimit se duhet të ketë bashkëpunim më të madh midis organeve të tilla, siç janë Komisioni dhe Prokuroria, veçanërisht në fazën e përgatitjes së iniciativave, në mënyrë që ato të jenë më të qëndrueshme”, tha ai.

Lidhur me iniciativën e KShPK-së për rastin e mazutit, e cila u refuzua, kryetari i Komisionit Kundër Korrupsionit kujtoi se iniciativa në fjalë ishte paraqitur nga përbërja e mëparshme e Komisionit.

Ai theksoi edhe një herë se Prokuroria është i vetmi organ që merr vendimin përfundimtar mbi iniciativat e paraqitura dhe se nuk do të përfshihet në komente.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndërpreu procedurën në rastin në lidhje me furnizimin me mazut për TC Negotinë, sepse hetimi, i cili zgjati një vit, nuk vërtetoi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë ndjekur penalisht.

Për rastin në fjalë, listën e dyshuarve e përbënin gjithsej 13 persona. Drejtori i RKM Ratko Kapushevski, i cili njihet në opinion si person i afërt i Nikolla Gruevskit ishte në ndër emrat më të njohur, ndërkaq bashkë me të ishte  i përfshirë edhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski apo pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski. Në listën e të dyshuarve ndodhej edhe emri i ish drejtori të EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak të rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”. Më tej, padi penale ishte dorëzuar edhe kundër ish drejtorit të EMV-së apo funksionarit të BDI-së Ardijan Muça, por edhe kundër Erxhan Sullkoskit, biznesmeni të njohur në opinion si partner biznesi i dhëndrit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj. Krahas tyre, përmendeshin edhe persona të tjerë si Ruzhdi Ramadani, Nikolla Stojanovski, Danço Stojanovski, Emil Pecakov, Marija Neshkovska, Bllagica Markoviq, Dushica Seizovska Jovanoviq dhe Dobrilla Stefanovska.