Copa e integruar e Maqedonisë së Veriut në “Qiellin unik evropian” dhe përgjegjësia për të

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Viteve të fundit u debatua shumë rreth asaj nëse shtetet e rajonit duhet të pranojnë diçka si “Fusha Ekonomike Evropiane”, ose më thjeshtë, pjesëmarrje në tregun e përbashkët evropian, si një zëvendësim ose si një gjysmë hapi drejt anëtarësisë në BE. Madje edhe përfaqësuesit e qeverisë që në fillim ishin shumë skeptikë tani angazhohen për këtë opsion si një “gjysmë hap”, e madje edhe tanët, e madje edhe tani “kur BE-ja është si asnjëherë më afër”.

Kjo është vetëm një hyrje, por jo edhe tema jonë kryesore për sot. Tema kryesore është paralelja që e bëjmë me një fushë evropiane në të cilën tashmë jemi ose të paktën duhet të jemi në masë të madhe të integruar në BE, e që është qielli evropian.

Në vitin 2006 shtetet e Ballkanit Perëndimor aderuan së bashku me shtetet e “Fushës Ekonomike Evropiane” në marrëveshjen e quajtur “Fusha e përbashkët e transportit ajror evropian”. Me këtë ato u bënë pjesë e tregut të përbashkët evropian në fushën e transportit ajror, por morën edhe obligime që ta ndërmarrin dhe ta zbatojnë legjislaturën evropiane në atë fushë, të njohur nën emrin “Qielli unik evropian”. Ato obligime janë shprehimisht të parapara në aneksin e Marrëveshjes dhe janë të klasifikuara në fushat: qasja në treg, menaxhimi me transportin ajror, siguria, sigurimi, mbrojtja e mjedisit jetësor edhe nga zhurma, aspektet sociale dhe mbrojtja e konsumatorëve. Në nivel të BE-së funksionon Agjencia Evropiane për Siguri në Komunikacionin Ajror, ku ne jemi mbikëqyrës, dhe e cila midis tjerash, zbaton projekte për mbështetjen e reformave të kësaj fushe në rajon.

Dhe tani vijmë deri te i përmenduri më së shpeshti Eurokontrolli, Organizata Evropiane për Siguri në Navigimin e Transportit Ajror. Eurokontrolli është një organizatë ndërkombëtare e themeluar që në vitin 1963 me qëllimin më të përgjithshëm që të vendoset një sistem i njëjtë evropian për menaxhimin e transportit ajror. Maqedonia është anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate prej vitit 1998. Kjo është vetëm një ose dy vite pas shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, e më shumë vite para shteteve të tjera të rajonit, e madje edhe para shteteve baltike, tani shtete anëtare të BE-së. Sipas Konventës themeluese të kësaj organizate shtetet anëtare marrin pjesë në financimin e saj sipas një formule të veçantë përllogaritjeje të përcaktuar në Konventën e saj themeluese, por edhe numri i votave varet nga pjesëmarrja procentuale në buxhet.

Eurokontrollit, Bashkimi Evropian me akte të veçanta i ka besuar detyra të rëndësishme të paketës “Qielli Unik Evropian”, të përfshira në funksionin “Menaxhues i Rrjetit”.

Eurokontrolli publikon raporte të detajuara vjetore mbi implementimin e “Qiellit Unik Evropian” tek anëtarët e tij. Raporti i fundit i tillë (i detajuar) për vitin 2022 është publikuar në prill të vitit 2023. Sipas Raportit të fundit të Komisionit Evropian, Maqedonia mban një “nivel të mirë” të harmonizimit me Acquis-in për transportin ajror, por megjithatë është “pjesërisht” e harmonizuar në raport me sigurinë e transportit ajror.

Tani kemi mundësi që të sqarojmë edhe më shumë, por për këtë rast mjafton që të ndalojmë këtu. Për të gjithë ato që interesohen më shumë mbi arkitekturën e transportit ajror evropian ka të dhëna të hapura mjaftueshëm nga burime relevante.

Ajo që është më me rëndësi për ne është se Maqedonia në fushën e transportit ajror tashmë është thellë e integruar me BE, rrugë në të cilën u nis relativisht herët në periudhën e tranzicionit. Sigurisht se relevant është edhe anëtarësimi ynë në NATO. Pjesëmarrja prej thuajse tridhjetë vitesh si anëtare me të drejta të plota në Eurokontroll, pjesëmarrja në fushën e përbashkët evropiane të transportit ajror, projektet e numërta të realizuara, deri tani do të duhej të kishin siguruar një rritje të sigurt.

Mirëpo përkundrazi, në vend të kësaj, jemi dëshmitarë të një shkeljeje të ashpër të rregullave themelore që vlejnë në fushën skajshmërisht të ndjeshme të transportit ajror. Dhe për këtë publiku kërkon përgjegjësi. Mirëpo, jemi dëshmitarë edhe të thirrjeve nga nivelet më të larta qeveritare që problemet të na i zgjidhin ato institucione evropiane ku duhet të jemi me të barabartë, të integruar deri në masën më të lartë të mundur dhe të denjë për këtë nivel integrimi. Dhe për këtë absurditet është e domosdoshme përgjegjësia.