Çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni me çmim të ri

Nga sonte në mesnatë, karburantet do të shiten me çmime të reja më të ulëta, transmeton Portalb.mk.

Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), benzina do të lirohet për dy denarë, ndërsa nafta për 3,5 denarë për litër.

Kështu, benzina Eurosuper BS-95 nga mesnata do të kushtojë 82 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 do të shitet për 84 denarë. Çmimi i naftës do të jetë 88,5 denarë për litër.

Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulet për 2,50 denarë për litër dhe do të shitet për 98 denarë.

Çmimi i mazutit ulet për 0,204 denarë për kilogram dhe nga mesnata do të shitet për 48,110 denarë.

Nga KRRE thonë se në vendim është zbatuar vendimi i Qeverisë për uljen e normës së TVSH-së për eurodizelin në 10 përqind, si dhe uljen e akcizës për një denar te benzina dhe për katër denarë te nafta.

Prej atje theksojnë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës që do të vlejnë nga mesnata, por tregtarët me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport mund t’i caktojnë çmimet e produkteve të veçanta edhe më të ulëta se çmimet maksimale të përcaktuara.