CIA publikoi një video duke inkurajuar rusët të japin informacion, reagoi Kremlini
Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit (CIA) publikoi një video në kanalin e saj në Youtube, ku inkurajon rusët të krijojnë kontakte me agjencinë përmes një sistemi anonim të informacionit “Tor”, raporton VOA. Videoja e shkurtër e shoqëruar edhe me tekst në gjuhën ruse thotë se “CIA dëshiron të dijë të vërtetën për Rusinë dhe ne po kërkojmë njerëz të besueshëm që e dinë dhe mund të na thonë këtë të vërtetë. Informacioni juaj mund të jetë më i vlefshëm nga sa mendoni”.
“Jeni oficer ushtarak? A punoni në fushën e zbulimit, diplomacisë, shkencës, teknologjisë së lartë, apo merreni me njerëz që e bëjnë këtë? A keni informacion për ekonominë apo udhëheqjen e lartë të Federatës Ruse? Na kontaktoni. Ndoshta njerëzit përreth jush nuk duan të dëgjojnë të vërtetën. Ne duam”, thuhet në videon e CIA-s, teksa shihen individë të vetmuar duke peshuar vendimet e tyre: një burrë që ecën nëpër borë, një grua që shikon përmes një dritareje.
Në fund të videos së CIA-s, një burrë dhe një grua shfaqen në skena të ndara, ndërsa gishtat e tyre rrinë gati pezull mbi ekranet e celularëve ku duket një faqja e internetit e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës: Kontakto CIA-n.
I pyetur për videon nga agjencia e lajmeve Reuters, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk i kishte kushtuar vëmendje.
“Ne të gjithë e dimë shumë mirë se CIA dhe shërbimet e tjera të inteligjencës perëndimore nuk po e zvogëlojnë aktivitetin e tyre në territorin e vendit tonë”, tha zoti Peskov, duke theksuar se “ishte i bindur se shërbimet speciale ruse po gjurmonin aktivitetin e spiunazhit perëndimor”.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa rusë reaguan në mënyrë skeptike ndaj videos në mediat sociale, duke thënë se ajo dukej si një “provokim” nga shërbimi rus i sigurisë FSB.
Rusia ka një ndër ligjet më të rrepta për tradhti dhe vetëm muajin e kaluar parlamenti miratoi një rritje të dënimit, nga 20 vjet burg në burgim të përjetshëm.
Në rreth 15 muaj luftë në Ukrainë, kjo nuk është herë e parë që CIA kërkon ndihmën e qytetarëve rusë. Edhe një vit më parë, CIA publikoi disa udhëzime se si qytetarë rusë nga Rusia mund ta kontaktojnë agjencinë në mënyrë të sigurt duke përdorur programin Tor.
Duke përdorur programin Tor, përdoruesit shmangin gjurmimin gjatë navigimit. Programi i navigimit Tor u krijua fillimisht me mbështetjen e Laboratorit Kërkimor të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe menaxhohet nga një organizatë jofitimprurëse që nga viti 2006.
Programi është përdorur prej kohësh nga ata që kërkojnë më shumë privatësi: disidentët në vendet autoritare dhe njerëzit që duan të shmangin sensorët dhe programet ndaluese.