Liria e shprehjes në kohën e algoritmeve dhe IA-së: nevojitet qasje gjithëpërfshirëse për sfidat e reja
Nëse teknologjia përdoret në mënyrë të duhur atëherë ajo mund të ndihmojë shumë në zhvillimin e të drejtave njerëzore si dhe në ruajtjen dhe përmirësimin e lirisë së shprehjes. Përndryshe, nëse keqpërdoren, algoritmet e Inteligjencës Artificiale (IA) mund të shkaktojnë pasoja më të mëdha në një shoqëri, duke e shkatërruar strukturën demokratike të udhëheqjes së saj. Ishte kjo një nga temat që u hapën sot në sesionin e titulluar “Liria e shprehjes në kohën e algoritmeve dhe të IA-së”, në kuadër të Konferencës së nëntë të medias në Evropën Juglindore, me titull “Në udhëkryq – Mbrojtja e lirisë së medias për mbrojtjen e demokracisë” organizuar nga përfaqësuesja për lirinë e medias së OSBE, në bashkëpunim me Misionin e Organizatës në Shkup, shkruan Portalb.mk.
Në këtë panel, pjesëmarrësit folën për sfidat që sjell inteligjenca artificiale në sferën e informimit.
Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari tha se teknologjia në parim nuk është e dëmshme, por mund të keqpërdoret dhe të përdoret si armë kundër të drejtave të njeriut.
“IA mund të ndihmojë dhe të lehtësojë personat që kanë qëllime të këqija të kryejnë veprime të dëmshme. Shembuj të tillë kemi parë në botë dhe te ne kur teknologjia përdoret për të penguar lirinë e mediave dhe shprehjen e lirë. Ne në Fondacionin Metamorfozis e kemi parë këtë rrezik dhe kemi konstatuar se keqpërdormi i teknologjisë sjell deri te dëmtimi i sistemit demokratik në përgjithësi, duke mbjellë mosbesim në institucionet e vendit, duke shpërndarë gjuhë urrejtjeje, dezinformata dhe censurë. Duhet të punojmë së bashku të luftojmë keqpërdorimin e teknologjisë ” tha mes tjerash, Jashari.
Sipas tij, sa i përket zgjidhjes së kësaj çështje, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse, ku të gjitha palët e përfshira do të angazhohen për përmirësimin e algoritmeve të inteligjencës artificiale dhe të pengojnë përdorimet e ndryshme të teknologjisë për qëllime të këqija, shkruan Portalb.mk.
“Në rastin e Maqedonisë së Veriut, gjatë angazhimit, duhet të kihet parasysh dhe konteksti lokal i shoqërisë sonë e cila ka qasje tekno-fobike nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër i përdor shumë rrjetet sociale dhe internetin në përgjithësi. Ky paradoks është si rezultat i fushatave dezinfomative kundër teknologjisë së re, kundër 5g, si rezultat i teorive të konspiracionit kundër çdo përparimi teknologjik të cilat shtrihen në çdo sferë të shoqërisë, kurse përforcohen nga algoritmet e ndryshme. Prandaj, është më rendësi që problemit t’i qasemi në çdo sferë, dhe palët e përfshira siç janë organizatat joqeveritare, sektori i biznesit, institucionet shtetërore të konsultohen mes vete, me ekspertë dhe me opinionin që të marrin përkrahje dhe udhëzime për të vendosur rregullativa për përdorimin e IA-së” tha Jashari.
Ai përmendi dhe faktin se iniciativa e Qeverisë, në kuadër të së cilës është formuar grup punues për Strategjinë Nacionale për Inteligjencë Artificiale për momentin nuk ka ecur përpara dhe se duhet që e njëjta të ri-aktivizohet.
Noah Giansiracusa, profesor i matematikës dhe shkencës së të dhënave në Universitetin e Bentley-s, tha se ka mënyra sesi mund të ndikohet në përmirësimin e punës së IA-së.
“Inteligjenca artificiale krijon algoritmet në bazë të dhënave që ne ia japim si shoqëri. Duke e ditur që shoqëria jonë është diskriminuese dhe e njëanshme, IA gjeneron informacion diskriminues, për shembull në raste kur kërkon fotografi nga drejtorë, IA do të gjenerojë foton e mashkullit të bardhë drejtor, duke anashkaluar gratë dhe racat tjera. Kjo ndodh si pasojë e asaj që IA merr të dhënat nga e kaluara e jonë e cila është e mbushur me raste të tilla, andaj nuk mund të fajësojmë IA për historinë tonë.
Për të rregulluar këtë, që mos të jetë IA e njëanshme, krijuesit e saj kanë bërë një ndërhyrje shumë interesante teknologjike: shtohen në prapavijë fjala grua dhe fjalë përfshirëse të racave tjera kur dikush kërkon me termin: drejtor. Në këtë mënyrë gjenerohen rezultate të shumëllojshme dhe kështu nuk kemi njëanshmëri. Kjo është vetëm një mënyrë sesi mund të përmirësohet puna e IA-së.” tha ai.
Giansiracusa theksoi se gazetarët kanë rol kyç në përcjelljen e informatave kur ka keqpërdorime që të rrisin vetëdijen e publikut për atë se cili rrjet social apo kompani keqpërdor teknologjinë që të mund konsumuesit të dënojnë praktikat e këtilla të këqija dhe të largohen nga konsumimi i tyre shkruan Portalb.mk.
Në panel mori pjesë dhe Bojana Kostiq, studiuese e të drejtave të njeriut dhe teknologjisë e cila mes tjerash foli për problemin e shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes në internet posaçërisht ndaj grave. Sa i përket rregullimit të IA-së, ajo përmendi se duhet të përmirësohet njëherë rregulltiva e mediave, relacioni i tyre me rrjetet sociale, si dhe rregullativa sa i përket shpërndarjes së gjuhës kërcënuese, të urrejtjes dhe diskriminuese.
Në konferencën dyditore që mbahet në Shkup, mbahen panel diskutime, punëtori, shfaqje filmash dhe aktivitete të tjera që fokusohen, ndër të tjera, në lirinë e mediave, mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të medias, vetërregullimin, edukimin digjital, gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, si dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në të gjitha aspektet e punës mediatike.
Konferenca e OSBE-së: Vetëm gazetarët e lirë mund të mbrojnë gazetarinë