Charles III u kurorëzua si mbret i Britanisë së Madhe

Mbreti Charles III  u kurorëzua si mbret sot në Westminster Abbey përmes ceremonisë solemne. Gruaja e tij, Camila u shpall mbretëreshë, transmeton Portalb.mk.

Në kokën e mbretit u vendos kurora e Shën Eduardit, e cila është simbol i artë i monarkisë.

Kurorëzimi i mbretit Charles III, foto: Anadolu Agency
Kurorëzimi i mbretit Charles III, foto: Anadolu Agency

Britania e Madhe pas 70 viteve mbajti ceremoni të kurorëzimit mbretëror, e fundit ishte në vitin 1953 që iu bë mbretëreshës Elizabeth. Mbreti 74 vjeçar, Charles kurorëzohet si mbret pas vdekjes së nënës së tij vitin e kaluar, e cila shërbeu si mbretëreshë për shtatë dekada.

Që në orët e hershme të mëngjesit, dashamirët e monarikisë dhe qytetarët u grumbulluan në qendër të Londrës. Por, nga ana tjetër kundërshtarët e monarkisë protestuan, sipas tyre shteti nuk duhet të shpenzojë miliona për këtë ceremoni kur ka qytetarë që përballen me probleme elementare.

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak përmes një postimi në Twitter kurorëzimin e sotëm e ka konsideruar si krenari të jashtëzakonshme kombëtare.

“Është shprehje krenarie e historisë, kulturës dhe traditave tona. Është demonstrim i gjallë i karakterit modern të vendit tonë. Dhe një ritual i dashur përmes të cilit lind një epokë e re”, shkroi Sunak.

Në këtë ceremoni janë të ftuar krerë të shteteve anekënd botës, mes të cilëve edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe të tjerë. Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden nuk merr pjesë në këtë ceremoni por në vend të tij është bashkëshortja, Jill Biden.