Çfarë do të thotë gjendje krize?

Qeveria dje pasdite shpalli gjendje krize në Gostivar. Në njoftimin drejtuar opinionit publik nuk la shumë hapësirë për interpretime lidhur me arsyen e këtij vendimi, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh se vetëqeverisja lokale nuk mund të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, Qeveria mori këtë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës me qëllim të koordinimit më të shpejtë të institucioneve, rikthimit në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“360 Gradë” iu drejtua kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivarit pas këtij vendimi të Qeverisë. Ndër të tjera, pyetën nëse pajtohen me vlerësimin e Qeverisë se pushteti lokal nuk është në gjendje ta menaxhojë vetë situatën. Deri në momentin e publikimit nuk është marrë përgjigje.

Qeveria merr drejtimin

Në historinë e afërt të Maqedonisë së Veriut, Qeveria ka shpallur gjendje krize në disa raste, nga kriza e migrantëve deri te pandemia e COVID-19. Kjo do të thotë se, në fushën për të cilën shpallet gjendja e krizës, menaxhimin e situatës e merr pushteti qendror, në vend të pushtetit lokal.

Veprimi në kushte të gjendjes së krizës rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Krizave, i cili përcakton mekanizmat, koordinimin institucional dhe mënyrën e marrjes së vendimeve kur rrezikohen shëndeti, siguria ose pasuria e qytetarëve. Një gjendje e tillë shpallet kur nuk ekzistojnë kushtet për shpalljen e gjendjes ushtarake ose të jashtëzakonshme.

Sipas ligjit, gjendja e krizës shpallet për të parandaluar dhe menaxhuar në kohë rreziqe të përmasave më të mëdha dhe për të siguruar funksionimin efikas të sistemit. Formohen organe dhe trupa të posaçëm që duhet të marrin vendime dhe të reagojnë shpejt e në mënyrë të koordinuar në të gjitha nivelet.

Kush e koordinon krizën?

Rolin koordinues në sistemin e menaxhimit të krizave e ka Komiteti Drejtues, organ i Qeverisë. Ai përbëhet nga ministrat e Punëve të Brendshme, Shëndetësisë, Transportit, Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe drejtuesi i grupit për vlerësim të situatës. Në punën e tij marrin pjesë edhe një përfaqësues i Kabinetit të Presidentit dhe një përfaqësues i Kuvendit nga radhët e opozitës.

Ligji parashikon që kryeministri cakton personin që do ta drejtojë Komitetin, ndërsa sipas nevojës mund të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në rastin e Gostivarit Komiteti do të përbëhet nga:

  • ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski;
  • ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski;
  • ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski;
  • ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski;
  • ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski;
  • drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

Anëtarë të jashtëm do të jenë:

  • ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha;
  • ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski;
  • drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (ShPPP), Ivica Tomovski;
  • drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska;
  • drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov;
  • drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ivana Ginovska;
  • kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL).

Vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës e merr Qeveria, e cila përcakton saktësisht zonën ku zbatohet dhe propozon mekanizmat për tejkalimin e saj.

Sa mund të zgjasë?

Vendimi i Qeverisë nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë. Nëse është e nevojshme vazhdimi i gjendjes së krizës, Qeveria duhet të kërkojë miratimin e Kuvendit ose të propozojë shpalljen e gjendjes ushtarake ose të jashtëzakonshme.

Për çdo vendim të marrë, Qeveria është e detyruar të njoftojë menjëherë Kuvendin dhe Presidentin e shtetit. Ajo gjithashtu duhet të dorëzojë raporte me shkrim një herë në javë, si dhe një raport të detajuar 30 ditë pas përfundimit të krizës.

Çfarë kompetencash ka Qeveria?

Gjatë gjendjes së krizës, Qeveria ka të drejtë të aktivizojë burimet e institucioneve shtetërore, komunave dhe Qytetit të Shkupit. Përdorimi i tyre duhet të jetë proporcional me natyrën dhe intensitetin e krizës.

Përveç kapaciteteve shtetërore, ligji parashikon që mund të angazhohen edhe burimet e ndërmarrjeve publike, kompanive private dhe qytetarëve, mbi bazën e marrëveshjeve ose në mënyrë vullnetare.

Për përdorimin e burimeve private paguhet kompensim ditor deri në 30 për qind të pagës mesatare neto mujore në shtet. Nëse mjeti dëmtohet ose shkatërrohet, kompensimi nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tij në treg. Qytetarët dhe kompanitë mund të heqin dorë me shkrim nga ky kompensim.

Burimet e njësive zjarrfikëse dhe forcave të shpëtimit drejtohen nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, me kërkesë të Shtabit Kryesor.

Mund të angazhohet edhe Armata

Në gjendje krize mund të angazhohet edhe Armata e Maqedonisë së Veriut. Ajo ofron mbështetje për policinë nëse rrezikohet siguria dhe organet shtetërore nuk kanë burime të mjaftueshme për ta parandaluar ose menaxhuar situatën.

Komiteti Drejtues i propozon Qeverisë nevojën për angazhimin e një pjese të Armatës, duke përcaktuar numrin e ushtarëve, qëllimin, detyrat dhe kohëzgjatjen e angazhimit.

Me propozim të Qeverisë, vendimin përfundimtar për angazhimin e Armatës e merr Presidenti i shtetit, i cili në çdo kohë mund ta rishqyrtojë këtë nevojë.

Lidhur me atë nëse Qeveria ka vendosur tashmë se cilat nga këto masa do të aktivizohen, “360 Gradë” kërkoi qëndrim nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili është pjesë e Komitetit Drejtues. Deri në publikimin e këtij teksti nuk u mor përgjigje as nga Angellov, as nga autoritetet përkatëse.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.