‘Folea’ që nuk po bëhet strehë, zvarritet hapja e çerdhes në Komunën e Tearcës
Çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës ende nuk i ka hapur dyert, as pas mbi tre viteve që nga fillimi i punimeve. Kjo për shkak se institucionet i kanë zvarritur dhe ende nuk i kanë përfunduar procedurat, shkruan Portalb.mk.
Ky objekt duhej të ishte gati që në vitin 2023 mirëpo zvarritja e procedurave nga ana e autoriteteve ka bërë që kjo çerdhe ende të jetë e mbyllur për fëmijët.
Prindërit e mbi 150 fëmijëve me vite presin që çerdhja t’i hapë dyert.
Komuna e Tearcës për Portalb.mk theksoi se janë në pritje të pëlqimeve nga Ministria e Politikës Sociale për miratimin e dokumenteve si: Rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës, Rregullorja për sistematizimin e brendshëm të vendeve të punës dhe Analiza funksionale e çerdhes.
“Pasi të marrim pëlqim nga ana e ministrisë përkatëse, të gjitha dokumentet e lartpërmendura do të dërgohen deri te Ministria e Administratës për të marrë pëlqim”, thanë nga Komuna e Tearcës.
Por, nga Ministria e Politikës Sociale për Portalb.mk thonë se në periudhën e kaluar, aktet për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës u harmonizuan dhe u miratuan nga kjo ministri dhe pasi të marrin miratimin nga Ministria e Administratës Publike, ato do të hyjnë në fuqi.
“Plani vjetor i punësimit për vitin 2025 është miratuar gjithashtu nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, por ende duhet të miratohet nga Ministria e Administratës Publike”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Nga kjo ministri sqaruan se pas miratimit përfundimtar të akteve për organizimin dhe sistematizimin e brendshëm dhe planit vjetor të punësimit, pra përcaktimit të vendeve të punës në çerdhe, mund të fillojë procedura për sigurimin e miratimit financiar për punësim nga Ministria e Financave (MF).
“Kërkesa drejtuar Ministrisë së Financave do t’i paraqitet Ministrisë së Financave menjëherë pasi tabela e punësimit të jetë përafruar saktësisht me numrin e vendeve të punës të nevojshme për të filluar funksionimin e kopshtit dhe fondet e siguruara në bllok dotacione. Pas marrjes së njoftimit nga Ministria e Financave në lidhje me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2025, kopshti do të jetë në gjendje të fillojë procedurën e punësimit dhe rrjedhimisht të fillojë pranimin e fëmijëve dhe punën”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Në ndërkohë, Ministria e Administratës Publike informoi për Portalb.mk se më 14 maj 2025, Ministria e Administratës Publike harmonizoi elektronikisht lëndën dhe aktet e dokumentuara (Analizën Funksionale, Rregulloren e Sistematizimit dhe Organizimin e Brendshëm).
“Megjithatë, deri më sot, versioni në letër i çështjes nuk është dorëzuar ende në institucionin tonë, gjë që është një hap i nevojshëm për dhënien përfundimtare të pëlqimit. Arsyeja e mosdorëzimit të materialit në letër nuk është e njohur për Ministrinë e Administratës Publike. Sapo dokumentacioni të dorëzohet në formë letre, institucioni ynë do të veprojë menjëherë në përputhje me përgjegjësitë e tij për të finalizuar procesin”, thanë nga Ministria e Administratës.
Sipas Ministrisë së Politikës Sociale çerdhja pritet të nisë funksionimin në gjysmën e parë të vitit 2025 por pa specifikuar datë konkrete.
- LEXO: Çerdhja në Komunën e Tearcës mori leje, por institucionet nuk e tregojnë datën kur do të hapet
- LEXO: Tre vite pas fillimit të punimeve, prindërit e mbi 150 fëmijëve në Komunën e Tearcës ende presin që çerdhja t’i hapë dyert
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 20221, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale mbeti te rrjeti i ujësjellësit.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore janë AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore janë EuroConsult LTD-Shkup.