Çdo 10 minuta: Korniza kohore e një premtimi të shkelur
Çdo dhjetë minuta vritet një grua. Çdo ditë, 140 gra dhe vajza në mbarë botën humbin jetën nga duart e partnerit të tyre ose një anëtari të familjes. Vetëm në vitin 2023, 85,000 gra dhe vajza u vranë qëllimisht.
Burimi: Radio Mof
Këto nuk janë statistika pa identitet – janë gra dhe vajza që jetojnë jetën e tyre, bija, motra, nëna dhe mikesha; anëtare aktive të komuniteteve tona, me kontributin e të cilave janë ndërtuar shoqëritë tona.
25 Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo datë u zgjodh në kujtim të motrave Mirabal nga Republika Domenikane, që u vranë për shkak tê rezistencës së tyre kundër tiranisë dhe padrejtësisë. Historia e tyre, si shumë të tjera, simbolizon guximin e grave që kanë luftuar për të drejtat e njeriut. 16 Ditët e Aktivizmit është më shumë se një fushatë – është një thirrje globale për të nderuar trashëgiminë e grave dhe për të vepruar me vendosmëri kundër akteve të papërshkrueshme të dhunës dhe për të siguruar që as edhe një grua tjetër nuk do të përballet me asnjë formë dhune.
Këtë vit, 16 Ditët e Aktivizmit vijnë në një moment kyç. Teksa i afrohemi 30-vjetorit të Deklaratës së Pekinit dhe 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kujtojmë zotimet për një botë të lirë dhe të sigurt, të bëra dekada më parë. Këto marrëveshje historike janë gurthemeli që kanë qëllim barazi më të madhe gjinore dhe fuqizimin e grave në të gjitha fushat e shoqërisë.
Në vitin 2024, ky përkujtim ndërkombëtar nxjerr në pah çështjen urgjente të femicidit. Femicidi është lloji më i rëndë i dhunës me bazë gjinore, vrasja e qëllimshme e një gruaje ose vajze bazuar në diskriminim gjinor. Stereotipet gjinore, normat e dëmshme shoqërore, diskriminimi me bazë gjinore dhe marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave vazhdojnë të nxisin femicidin në mbarë botën.
Femicidi është pjesë e një cikli të dhunës ndaj grave dhe zakonisht paraprihet nga lloje të tjera të dhunës me bazë gjinore që duhet t’i identifikojmë dhe parandalojmë. Një në tre gra – rreth 736 milionë gra në mbarë botën – ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale. Vajzat adoleshente përballen me rrezik të veçantë, me pothuajse një në katër që përjetojnë dhunë nga partneri intim deri në moshën 19-vjeçare.
Gjatë një periudhe prej 12 muajsh vetëm në Evropë dhe Azinë Qendrore, 24 milionë gra kanë përjetuar një formë të dhunës fizike ose seksuale të kryer nga partneri i tyre. Në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë dhe Moldavi, 45% e grave kanë përjetuar ngacmime seksuale, duke përfshirë ngacmimin seksual në internet. Në të njëjtat vende, 60% e grave që kanë qenë në një marrëdhënie intime kanë përjetuar dhunë fizike nga partneri. Në Turqi, 15% e femrave të moshës 20-24 vjeç janë martuar para moshës 18 vjeç.
Gratë përballen me rrezik më të madh nga dhuna gjatë krizave, si luftërat dhe konfliktet e dhunshme ose fatkeqësitë natyrore, siç janë përballur në këtë rajon. Shpeshherë dhuna seksuale përdoret si armë lufte. Vlerësohet se vetëm këtë vit në Ukrainë, 2.5 milionë njerëz, kryesisht gra dhe vajza, kanë nevojë për shërbime dhe asistencë për shkak të dhunës me bazë gjinore.
Shumë të mbijetuara mbeten pa mbështetje, dhe autorët shpesh mbeten të pandëshkuar. Mosndëshkimi mund të çojë në mungesë besimi tek institucionet dhe tek ligji, si dhe në raportim më të ulët të dhunës me bazë gjinore.
Nuk ka justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave! Kjo dhunë nuk është e pashmangshme; është e parandalueshme. 16 Ditët e Aktivizmit gjithashtu na kujtojnë të investojmë në parandalim. Provat tregojnë se ligjet e forta, kur zbatohen në mënyrë efektive, mund të ulin shkallën e dhunës. Konventa e Stambollit mbetet një kornizë kryesore udhëzuese për vendet në këtë rajon; megjithatë, vetëm legjislacioni nuk mjafton. Ne kemi nevojë për zbatim më të fortë për të siguruar akses adekuat në shërbime nga të mbijetuarit, masa mbrojtëse efektive, dëmshpërblim dhe mospërsëritje. Ne kemi nevojë për zero tolerancë për çdo akt dhune ndaj grave dhe vajzave, dhe çdo dhunues duhet të përgjigjet para ligjit. Dhe shumë e rëndësishme, adresimi i shkaqeve rrënjësore të dhunës kërkon trajtimin e pabarazive strukturore gjinore në të gjitha sferat e jetës së grave dhe vajzave, në klasë, në vendin e punës, në politikëbërje, në rrugë dhe në shtëpi; dhe sfidimin e diskriminimit me bazë gjinore, normave të dëmshme shoqërore dhe stereotipeve që përjetësojnë pabarazinë.
E për shkak se nuk ka asnjë justifikim, këtë vit, për të forcuar parandalimin e dhunës me bazë gjinore, ne në UN Women për Evropë dhe Azinë Qendrore po dëgjojmë zërin e grave dhe vajzave përmes fushatës #DëgjoTregiminESaj. Me një fokus urgjent në parandalimin e çdo forme të dhunës, përfshirë formën e saj më të rëndë, femicidin, UN Women nënvizon fuqinë e tregimit si një strategji jetike për të thyer heshtjen dhe për të nxitur mirëkuptimin për t’i dhënë fund çdo forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Ne duhet të reflektojmë se çfarë bote duam t’u lëmë si trashëgimi brezave të ardhshëm. Këte vit, derisa po i afrohemi Pekinit+30 dhe po ngjyrosim botën portokalli, është e nevojshme të ndërmarrim hapa urgjente për t’i dhënë fund femicidit.
Ky është momenti ynë për të vepruar. Thyerja e ciklit të dhunës nuk është vetëm një qëllim; është një premtim që nuk mund ta shkelim.