Bum i ndërtimeve në Maqedoninë e Veriut për fitim të shpejtë: Apartamente të shtrenjta, cilësi e dyshimtë (Infografik)
Plasin gypat, nga lagështia disa herë janë mykur elementet në kuzhinë, për shkak të lidhjes së keqe të ventilimit kur gatuhet në njërin apartament aroma shpërndahet në tjetrin… me këto probleme përballet shkupjani Atanas J. edhe pas nëntë vitesh pasi bleu një apartament në një nga kompleksi e ndërtesave në rrugën “Makedonska Vojska” në Komunën e Shkupit Gjorçe Petrov, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Kur plasi gypi në apartamentin sipër nesh na bëri dëm të madh – kuzhina u bë e papërdorshme, madje u prishën edhe pllakat e shporetit, na u desh ta lyejmë sërish apartamentin. Garazhi i cili është në nivelin -1 gjatë çdo rreshje të shiut përmbytet plotësisht. Hyrja para ndërtesës është bërë aq keq dhe pikërisht aty mblidhet uji. Nuk ka asnjë izolim akustik, edhe kur flasin qetë fqinjët i dëgjojmë sikur të jenë ulur te ne në dhomën e ditës”, thotë Atanasi.
Sipas bazës online të uebfaqes Numbeo.com çmimi i apartamenteve në ndërtimet e reja në komunat më atraktive të Shkupit tejkalon edhe 2.500 euro për metër katror dhe tashmë mund të krahasohet me çmimet në qytetet evropiane. Çmimi mesatar i metrit katror në Selanik është 3.270 euro, në Riga të Letonisë është 2.720 euro, në Dortmund të Gjermanisë është 2.700 euro.
Sipas raportit të fundit të Regjistrit të Çmimeve dhe Qirave të Agjencisë së Kadastrës për tremujorin e tretë të vitit 2025 (1 korrik – 30 shtator) çmimi më i lartë për metër katror në Shkup është 189.231 denarë (3.076 euro) për një apartament prej 91 metrash katrorë në komunën Qendër.
Atanasi tregon se ndërtesën e kanë ndërtuar dy investitorë – njëri katet teke, ndërsa tjetri katet çift. Kështu, në vendin ku në njërin kat ka kuzhinë, në katin sipër tij është bërë banjo e kur plasin gypat uji nga banjot rrjedh në kuzhina.
Probleme të ngjashme ka edhe Monika Mlladenoviq, e cila në vitin 2023 është vendosur në një ndërtim të ri në lagjen Taftalixhe. Apartamentin e kishte blerë dy vite më parë për 1.250 euro për metër katror.
“Një javë pasi u vendosëm u përmbytën kuzhina dhe banjoja. Nuk mund të varnim televizorin në mur sepse nën gips-kartonin kishte tulla të kuqe të zhveshura, pa malltar, pa asgjë. Ventilimi nuk funksionon. Për një kohë të gjatë nuk kishim fletë pronësie, ndërsa kontrata e shitblerjes së apartamentit u bë vetëm pasi e morëm fletën e pronësisë. Në parking ende rrinë varur shufra hekuri, nuk është i sigurt”, thotë Mlladenoviq.
Në anën tjetër të qytetit në lagjen Novo Lisiçe shkupjanja Marija Najdova pas çdo dushi e mbledh ujin nga banjoja sepse ai shpërndahet gjithandej në vend se të shkojë drejt sifonit.
“Uji nuk ishte lidhur ende në ndërtesë, ndërsa banjot ishin të përfunduara. Problem është se nuk është bërë mirë rënia drejt sifonit. U ankuam, erdhën mjeshtrit, i ngjitën përsëri pllakat dhe përsëri është njësoj”, thotë Najdova, që gjithashtu banon në një ndërtesë të re.
Fitimi, interesi kryesor
Probleme të ngjashme ka në numrin më të madh të ndërtimeve të reja, thotë arkitekti Nikolla Vellkovski, ish kryearkitekt i Shkupit dhe ish kryetar i Odës së Ndërtimtarisë.
Sipas tij, 80 përqind e investitorëve privatë nuk janë firma ndërtimi, por njerëz që nuk janë fare në këtë sektor, ndërtojnë një herë ose më së shumti disa herë në varësi të asaj se sa lokacione do marrin, kanë edhe biznese të tjera, ndërsa interesi i tyre final është fitimi.
“Mendoj se ndërtimet e reja janë të sigurta në pjesën e statikës, por çdo gjë tjetër është sipërfaqësore dhe jocilësore. Duket bukur për syrin, e prezantojnë mirë, por blerësi më vonë do t’i shohë mangësitë. Cilësia është në nivelin më të ulët që mund të ekzistojë”, deklaroi Vellkovski.
Sipas tij problemi lind që në hapin e parë, gjatë hartimit të projektit.
“Ata e zgjedhin jo atë që di, por atë që është më i liri. Realizuesit shumë shpesh nuk janë realizues klasikë, por grupe mjeshtrish me të cilët nuk ka inxhinier që ta kontrollojë cilësinë e punimeve. Mbikëqyrja në të shumtën e rasteve është sipërfaqësore, marrin dikë vetëm sa për t’u shkruar një raport teknik në fund, ndërsa gjatë ndërtimit nuk gjendet askund. Blerësit janë të mashtruar, në letër ka edhe mbikëqyrje edhe çdo gjë që duhet, por në praktikë nuk ka”, thotë ai.
Mangësitë në cilësinë e ndërtimeve janë tregues i një problemi më të gjerë në ndërtimin e banesave, thonë edhe nga Organizata për Banim dhe Banorë (OBB), një shoqatë qytetare që punon për banim të përballueshëm dhe të dinjitetshëm si dhe për mbrojtjen e të drejtave qytetare.
“Bëhet fjalë për pasoja nga realizimi i shpejtë dhe jocilësor, kontrolli i pamjaftueshëm i fazave të ndërtimit dhe përdorimi i materialeve me cilësi të ulët. Këto probleme në të shumtën e rasteve tregojnë për lëshime sistemike në projektimin dhe në realizimin e objektit. Problem shtesë është se qytetarët shpesh nuk kanë kontrata mjaftueshëm të qarta, nuk janë të informuar për të drejtat e tyre ose nuk kanë mekanizma për mbrojtje efektive, kështu që në praktikë vështirë se mund të sigurojnë riparime ose dëmshpërblim. Kjo krijon një ndjenjë pafuqie dhe mosbesimi tek sistemi”, thonë nga kjo organizatë.
REL kërkoi qëndrim për cilësinë e ndërtimeve nga disa investitorë privatë që ofrojnë apartamente për shitje në ndërtesa të përfunduara ose në ndërtim e sipër, por asnjë prej tyre nuk deshi të jepte deklaratë.
Arkitekti Vellkovski është i mendimit se blerës për apartamentet ka pavarësisht çmimit, sepse investimi në pasuri të patundshme ende konsiderohet si një nga investimet më të sigurta.
Pasiguria në cilësinë e materialeve ishte arsyeja që shkupjani Ivan M. të vendosej në një apartament të vjetër. Fillimisht ai kërkoi një të ri, por investitorët e ndërtesave i thanë se afati i garancisë së apartamenteve ose i materialeve të instaluara në to zakonisht është dy deri në tre vite.
“Unë në atë apartament duhet të jetoj me dekada, e pas meje mbase edhe fëmijët e mi. Çfarë afati garancie janë dy vite, për televizorin kam më shumë garanci”, tha Ivani.
Prandaj, pasi i pa apartamentet e reja për disa muaj, në fund bleu një apartament në një ndërtesë në bulevardin “ASNOM”, të ndërtuar midis viteve 1985-1990 nga kompanitë e atëhershme prestigjioze të ndërtimit. Thotë se është i gatshëm të investojë më shumë për ta rinovuar, por të paktën do ta dijë se çfarë do të vendosë në të.
Pa kontroll të cilësisë, blerësit lihen pa mbështetje
Sipas ligjeve kontrollin e ndërtimeve e kryejnë disa institucione.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është kompetente për rregullativën ligjore, ndërsa kontrolli i drejtpërdrejtë i ndërtimit mbetet në nivel lokal. Komunat lëshojnë leje për ndërtim, ndjekin nëse respektohen afatet e ndërtimit në përputhje me Ligjin për Ndërtim.
Por, inspektorët e ndërtimit nuk janë kompetentë të bëjnë kontroll të cilësisë së apartamenteve. Këtë e bëjnë firmat për mbikëqyrje të cilat investitori i angazhon vetë, edhe pse mbikëqyrja duhet të jetë e pavarur nga kompania që e bën ndërtimin.
Ose, me fjalë të tjera, ai që ndërton ai vendos edhe se kush do ta kontrollojë.
Sipas Regjistrit të çmimeve dhe qirave të pasurive të patundshme nga korriku deri në shtator të vitit 2025 numri më i madh i apartamenteve janë shitur në komunën Qendër të Shkupit (611), pastaj vjen komuna e Aerodromit me 515 dhe Karposhi me 440 transaksione për shitblerje dhe qira të apartamenteve.
“Komuna nuk është kompetente për vërtetimin e cilësisë së apartamenteve të përfunduara, kjo rregullohet me kontratë midis realizuesit (investitorit) dhe klientit”, na u përgjigjën nga komuna Qendër.

Dejan Miteski, kryetar i Komunës së Aerodromit, thotë se në biseda joformale edhe deri te ai kanë arritur ankesa nga bashkëqytetarët, por se komuna nuk ka kompetencë në atë pjesë.
“Deri në vitin 2005 mbikëqyrjen mbi objektet e kategorisë së dytë e bënin komunat dhe lëshonin leje përdorimi. Pastaj kjo ndryshoi dhe tani nuk është më kështu. Mbase duhet të kthehet përsëri ajo dispozitë”, thotë Miteski për REL.
Çdo ndërtesë duhet të ketë një kompani të zgjedhur që është menaxhuese e licencuar me objektet banesore. Aktualisht ka 62 kompani me licenca të tilla. Por edhe ata i kanë duart e lidhura.
“Ka reagime edhe te ne, janë të shumta. Shumë ndërtesa nuk kanë rrjete hidrantësh dhe aparate kundër zjarrit. Qytetari ka blerë garazh, por nuk ka hapësirë për të hyrë në garazh. Ose, janë bërë vende parkimi mbi shina, kështu që nuk ka qasje deri te to. Ose, investitori i ka shitur edhe hapësirat e përbashkëta në ndërtesë. Nëse ndërtesa është brenda afatit të garancisë, ne i drejtohemi investitorit, kështu që ka ndërmjetësim, negociata… Por, pasi t’i ketë dorëzuar çelësat përgjegjësia e investitorit sikur mbaron”, na tha menaxherja e një kompanie të tillë.
Në vendin tonë ekziston edhe Komision Rregullator për Banim, por as ai nuk është kompetent për kontrollin e cilësisë së apartamenteve të sapondërtuara.
Ankesat në qorrsokak, qytetarët gjinden vetë
Pasi e pa që nuk ka zgjidhje, për Atanasin nga Gjorçe Petrovi, si opsion i vetëm për tu mbrojtur sado pak ka qenë pagesa e sigurimit vjetor në një kompani sigurimesh. Pas një prej dëmeve të shumta ai nga sigurimi ka marrë 30.000 denarë.
Monika Mlladenoviq nga Taftalixhe pas konflikteve të shumta dhe të ashpra me investitorin, u përpoq të ankohej në komunë. I thanë të plotësonte një formular, konsultoi një avokat dhe u tërhoq kur e pa se do t’i futej një procedure gjyqësore të gjatë dhe të kushtueshme.
“Në fund, vendosa të riparoj atë që mund të riparohej dhe ta ruaj shëndetin tim”, tregon Monika se si përfundoi kalvari i saj.
Myk dhe lagështi në ndërtesat e reja
Arkitekti Vellkovski, nga ana tjetër, bën thirrje që shteti dhe komunat të marrin masa dhe t’i përforcojnë kontrollet sepse shitja e apartamenteve jocilësore po bëhet një dukuri masive.
Sipas raportit të fundit tremujor në Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave të Patundshmërive nga korriku deri në shtator të vitit 2025 janë shitur pasuri të patundshme në një vlerë të përgjithshme prej 305 milionë eurosh.
Numri më i madh i shitblerjeve të pasurive të patundshme, një e treta e numrit të përgjithshëm, janë shitblerje të apartamenteve.
Gjithashtu, në këtë raport thuhet se në Agjencinë e Kadastrës të Pasurive të Patundshme janë regjistruar 26.463 fletë parashënimi – gjë që tregon se sa objekte po ndërtohen dhe së shpejti do të gjenden në tregun e pasurive të patundshme.