Bullizimi është term psikologjik që për herë të parë është shfrytëzuar në vitet 1530; rrjedh nga holandishtja boele, njeri i dashur (ang. sweetheart); në shek. XVII, ka marrë kuptimin e ‘ngacmuesit të të dobëtit’ (harraser of the weak), ndërsa në kohë të sodit do të thotë “kërcënim”.
Bullizmi i referohet një lloj sjelljeje abuzive dhe të dhunshme që ndodh në mënyrë të përsëritur dhe me qëllim për të dëmtuar ose për të frikësuar një individ tjetër. Sipas Vaillancourt et. al (2008) bullizmi paraqet sjellje agresive, të përsëritur dhe të qëllimshme që përfshin një gjendje të pabarabartë të fuqive, të drejtuar ndaj një individi ose grupi individësh që nuk mund të mbrohen lehtësisht. Shkak i bullizmit mund të jetë mosha, pamja e jashtme, fizikusi, statusi social, vendbanimi, përkatësia etnike, fetare, racore etj.
Ndër hapësirat dhe objektet ku ‘sëmundja e bullizmit’ ka gjetur vend janë edhe shkollat. Bullizmi nëpër mjediset edukative-arsimore paraqet një paradoks social dhe kulturor sepse shkolla aspirohet të jetë ‘vend i shenjtë’ ku mësohet dija kultura, ku iluminohen brezat; ku synohet që ata të emancipohen, të ndërtohen si qenie të çliruara nga konfliktet fisnore, gjinore, klasore, që i përkasin primitivizmit social. Në institucionet arsimore, shpesh ndodh që përmes fjalëve apo komenteve të ndryshme nxënësi tjetër të preket në sedër, t’i ulet vetëbesimi, të krijohet te ai një psikologji e vlerës më të ulët; nxënësi i tillë nuk ndjehet komod, tërhiqet në një shpellë të veten mentale dhe psikologjike, duke u shkëputur nga rrethi, nga shokët, shoqet, duke e humbur ritmin me relacionet sociale dhe me bashkëmocanikët e vet, duke krijuar telashe familjare dhe shoqërore, sepse familja e dallon fëmijën e vet kur nuk ndjehet mirë apo ka problem. (Pajaziti, 2023)
Bullizmi zakonisht kryhet në një përqindje me të madhe nga djemtë që duan të bëjnë të fortin ose të parin në klasë apo shkollë, por po shënohet rritje e përqindjes dhe te vajzat të cilat dëshirojnë të sillen si djemtë, të shajnë, të dhunojnë, të poshtërojnë viktimat e veta. (Çako, 2017) Në hulumtimin e O’Brien të titulluar “Të kuptuarit e perspektivave bullizuese alternative nëpërmjet angazhimit kërkimor me të rinjtë” (2019) viktimat e bullizimit efektin e përshkruajnë si vijon:
“….Ti ndihesh e pasigurtë. Kjo grumbullohet e grumbullohet, dhe në fund nuk ke aspak vetëbesim.” (femër, studimi 2).
“… një gjë e përditshme, nuk mund të duroja më, më shkaktonte shumë ankth.” (mashkull, studimi 4).
“Bullizmi kibernetik është verbal, psikologjik; çdo ngacmim lëndon.” (femër, studimi 2).
“Bullizimi kibernetik është më i keq sepse njerëzit e kanë më lehtë të abuzojnë me dikë kur nuk janë ballë për ballë.” (mashkull, studimi 2).
“Nuk e shpalosja ngase frikohesha se mund të ndikonte në miqësitë e mia të tjera.” (mashkull, studimi 2).
Një shembull i pasojave tmerruese të këtij fenomeni mes tjerash janë parë më 20 prill 1999 kur dy djem adoleshentë, nxënës të shkollës së mesme kolumbiane, që supozohej se ishin viktima të ngacmimit, ekzekutuan 12 nga kolegët e tyre dhe një mësimdhënës, rast ky që është shënuar si një nga masakrat më rrëqethëse në historinë e institucioneve arsimore.
Në vitin 2019, 193 Shtete Anëtare të UNESCO-s vendosën unanimisht për shpalljen e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës dhe Ngacmimit në Shkollë, përfshirë Ngacmimin Kibernetik, duke kumtuar se dhuna e lidhur me shkollën në të gjitha format e saj është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve për shëndet dhe arsimim.
OECD, PISA (2018: 37) ka shpallur se bullizmi është i përhapur në BE: më shumë se 50% të nxënësve që kanë përjetuar bullizëm; shkalla e të qenit “shumë të bullizuar” është 6.9%, me shifrën më të lartë 14.6% në Qipro. Në Suedi nga viti 1997 ekziston një OJF, “Miqtë” që mundohet të pengojë bullizimin dhe dhunën nëpër shkolla dhe asociacione sportive.
Në hulumtimin e UNICEF-it të dhjetorit 2017 thuhej se 1/4 e fëmijëve kishin raportuar përfshirje në rrahje apo ngacmim. (kallxo.net, 2020) Prej të gjitha institucioneve arsimore kosovare, dukuria e bullizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%); në shkollat fillore përqindja e të ngacmuarve është 31.9, kurse në universitet/kolegj shumë më e vogël (4.37%). (pikepamja.net)
Një hulumtim i realizuar me 40 nxënës të shkollës fillore “Dituria” (Saraj) tregon se 64%-shi nuk e dinte se çka është bullizmi, se prej atyre që kanë përjetuar bullizëm 68%-shi janë shprehur se ka qenë si dhunë verbale, nënçmim, bërtitje. 84%-shi kanë thënë se ngacmimi ka ndodhur në oborr, 12 % në klasë dhe 4 % në holl. 88%-shi i nxënësve sarajas rrallë apo asnjëherë nuk bisedojnë në këtë temë. Ky studim ka nxjerrë në pah edhe gjetjen se 57%-shi i mësimdhënësve kanë qenë dëshmitarë të ngarjeve të këtilla të pahijshme, nga të cilat 57 % verbale dhe 43 % fizike. Është e çuditshme që 88% i mësimdhënësve rrallë ose asnjëherë nuk kanë biseduar lidhur me bullizmin. (Бабачиќ et.al, 2022: 30-31)
Në vitin 2023, pas masakrave në Beograd dhe Mlladenovac (Serbi), Ministria e Arsimit dhe Shkencës e RMV-së hapi dy adresa elektronike ku të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi mund të paraqesin dhunën e moshatarëve: [email protected] dhe [email protected].
Nga e eleaboruara më sipër konstatojmë se:
- Bullizmi është shqetësueshëm prezent në shkollat e RMV-së, përfshi edhe ato shqiptare.
- Nxënësit nuk janë të bindur se mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave japin maksimumin për luftimin e kësaj dukurie.
- Fëmijët duhet të binden që të mos frikësohen nga denoncimi i bullizmit.
- Prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët e tyre pa doreza për çështje të nënçmimit, etiketimit, përjashtimit etj.