Bullgaria vendosi rafinerinë e “Lukoil”-it në Burgas nën kontroll shtetëror për shkak të sanksioneve amerikane 

Parlamenti bullgar ka miratuar ndryshime ligjore me të cilat rafineria e madhe e “Lukoil”-it në Burgas vendoset nën kontrollin e shtetit, pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj gjigantit rus të naftës, transmeton Portalb.mk.  

Përveç “Lukoil”-it, Donald Trump vendosi sanksione edhe ndaj kompanisë “Rosneft”, për shkak të refuzimit të Vladimir Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Lukoil” është pronare e rafinerisë “Neftohim”, e cila është më e madhja në Ballkan, që nga viti 1999. 

“Sanksionet amerikane, të cilat do të hyjnë në fuqi më 21 nëntor, do të çojnë në ndërprerjen e punës së rafinerisë, për shkak të refuzimit të partnerëve kontraktualë për të kryer pagesa ndaj kompanive që i përkasin “Lukoil”-it,” thuhet në projektligjin e propozuar nga koalicioni qeverisës. 

Sipas ligjit, do të caktohet një administrator i posaçëm që do të ketë të drejtë të ushtrojë të drejtat e votës së aksionarëve. Ai gjithashtu do të ketë mundësi të shesë aksione te një pronar i ri, gjë që sipas opozitës, mund të shkaktojë padi ligjore. 

Ligji u miratua me procedurë të përshpejtuar dhe mori mbështetjen e shumicës së deputetëve. 

Javën e kaluar, deputetët bullgarë miratuan masa të përkohshme kufizuese për eksportin e produkteve të naftës, përfshirë edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, me qëllim që të mos cenohet furnizimi i brendshëm pas sanksioneve amerikane ndaj burimeve energjetike ruse. 

Rafineria “Lukoil-Neftohim” ka rol të rëndësishëm në ekonominë bullgare dhe vitin e kaluar ka realizuar të ardhura prej rreth 4.7 miliardë eurosh.