Trump pranoi kërkesën e Orbanit: Sanksionet ndaj gazit rus për Hungarinë, hiqen për një vit

Pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Viktor Orbán pohoi triumfues përpara gazetarëve se kishte marrë prej kreut të shtetit amerikan premtimin se gazi dhe nafta ruse e përdorur prej vendit të tij, do të përjashtohen për një vit nga sanksionet, shkruan Top Channel

Marrëveshja është një fitore për kryeministrin hungarez, por edhe për vetë Trumpin, duke qenë se Budapesti është i angazhuar për një sërë investimesh në fushën e energjisë në SHBA.

Presidenti amerikan e lavdëroi në mënyrë të përsëritur Orbanin gjatë takimit të tyre, duke lënë kështu mënjanë mosmarrëveshjet mbi fakti që Hungaria vazhdon të blejë naftë prej Moskës, e duke zgjedhur të fokusohej më tepër në ngjashmëritë që kanë axhendat e tyre të politikës së emigracionit.

“Unë mendoj se krerët e tjerë europianë ata duhet ta respektojnë Hungarinë dhe ta respektojnë shumë këtë lider, sepse ai kishte të drejtë për emigracionin. Sepse shikoni se çfarë ndodhi në Europë: atje kanë vërshuar njerëz nga disa vende të cilat nuk i njohim fare”-shprehet Trump.

Hungaria varet nga Rusia për 74% të gazit dhe 86% të naftës së saj, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar të vitit 2024. Por Trump u tregua menjëherë i hapur për t’i lejuar një përjashtim nga sanksionet amerikane për dy kompanitë e mëdha ruse të naftës që hyjnë në fuqi më 21 nëntor, duke argumentuar se Hungaria nuk ka dalje në det e nuk ka porte – prandaj ka vështirësi më të madhe në sigurimin e furnizimeve përmes rrugëve alternative.

Më pas ai kritikoi vendet e tjera europiane pa i përmendur ato, që kanë dalje në det, por vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus. Veç bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe të tregtisë temë e takimit ishte dhe lufta në Ukraine. Trump dhe Urban diskutuan edhe për samitin SHBA-Rusi. Muajin e kaluar Trump njoftoi se do të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin në Budapest. Megjithatë takimi u shty pasi Rusia refuzoi një armëpushim.