Bullgaria do të dërgojë ambasador të ri në Shkup nga komisioni historik
Bullgaria propozoi Zhelazko Radukovin për ambasador në Shkup nga pozita e sekretarit organizativ të komisionit të përzier për çështje historike dhe arsimore, raportojnë mediat bullgare, transmeton Portalb.mk.
Ai njihet se po punon në mënyrë aktive për “mbrojtjen e të drejtave dhe trashëgimisë kulturore-historike të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut”. Mandati i ambasadorit aktual në Shkup, Angel Angelov, përfundon në qershor 2024.
Diplomati i karrierës është propozim i zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme bullgare Maria Gabriel.
Përveç diplomatit, Radukov shërben edhe si sekretar organizativ i pjesës bullgare të komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Nga viti 2021, Zhelasko Radukov ishte përgjegjës për Ministrinë e Punëve të Jashtme për Republikën e Maqedonisë në kontekst bilateral dhe evropian, përkatësisht ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në “propozimin francez”.
Në shpjegimin e propozimit shkruhet se ai kishte rolin kyç në “krijimin dhe zbatimin e Kompromisit Evropian të vitit 2022, si dhe në negociatat dypalëshe për Protokollin e Takimit të Dytë të Komisionit Ndërqeveritar sipas nenit 12 të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, nënshkruar në qershor 2022.
Kujtojmë se Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për çështje Arsimore dhe Historike nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria është themeluar në përputhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë për të kapërcyer mosmarrëveshjet historike, arsimore dhe kulturore midis dy vendeve, Për aktivitetet e Komisionit në fjalë nuk është dëgjuar më asgjë që nga takimi i fundit në tetor 2022.
Komisioni deri tani ka miratuar dhe publikuar rekomandime për përmirësimin e teksteve të historisë për klasën e VI në Maqedoninë e Veriut dhe për klasën e V në Bullgari, si dhe rekomandime për nderim të përbashkët të figurave të mesjetës – Shën Kirili dhe Metodi, Shëm Klementi, Shën Naum dhe mbreti Samuel.