Britania do të ndajë fonde për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe ndikimin rus në vendet e Ballkanit Perëndimor
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të mobilizojë fonde për të luftuar rrjetet e imigracionit të paligjshëm dhe rrezikun e ndërhyrjes ruse në Ballkanin Perëndimor. Kjo u njoftua gjatë takimit të djeshëm të ministrave të jashtëm nga Ballkani Perëndimor dhe shtetet anëtare të BE-së të përfshira në Procesin e Berlinit, transmeton Portalb.mk.
Në takimin dy-ditor ministror, i cili po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, morën pjesë ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Gjatë takimit, Sekretarja e Jashtme Britanike Yvette Cooper njoftoi se vendi i saj do të ndajë 10 milionë paund (11.5 milionë euro) për programe inovative që synojnë luftimin e rrjeteve të imigracionit të paligjshëm, dhe 4 milionë paund shtesë do të ndahen për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes kibernetike të vendeve të Ballkanit nga ndikimi rus.
“Ne e dimë se siguria e Ballkanit Perëndimor ndikon në sigurinë e të gjithë Evropës dhe sigurinë tonë këtu në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Yvette Cooper në takim.
Përveç ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në takim morën pjesë edhe ministra ose zyrtarë të lartë nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Greqia, Bullgaria dhe të tjerë.
Kujtojmë se Britania mbështetje për Maqedoninë e Veriut ka ofruar edhe nga ekspertë britanikë për prokuroritë publike maqedonase përmes Programit për Përmirësimin e Demokracisë në Ballkanin Perëndimor, i cili zbatohet në pesë vende të Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.
Programi përfshin 4 komponentë: forcimin e institucioneve gjyqësore, vendimmarrjen e pavarur të prokurorisë, transparencën e përmirësuar, qasjen publike dhe praktikat e përmirësuara të dënimit, si dhe qeverisjen dhe llogaridhënien e përmirësuar.
Përveç kësaj, si një hap themelor brenda projektit, u ra dakord për finalizimin e Metodologjisë për vlerësimin e kompleksitetit të rasteve. Programi do të përfshijë gjithashtu trajnime të strukturuara për prokurorët publikë mbi disa tema specifike. Në të njëjtën kohë, një pjesë e programit do të përfshijë mentorim të drejtpërdrejtë në raste komplekse me qëllim vëzhgimin e përvojës dhe praktikave më të mira nga Mbretëria e Bashkuar në zhvillimin dhe efikasitetin e procedurave prokuroriale.