Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e Dritëro Agollit trajton botën konformiste me plot falsitete, në të cilën të aftit rrinë nën hijen e injorantëve që bëjnë karierë me dekorata presidenciale.
Është kjo bota stereotipe, monotone, njëdimensionale, e pandryshueshme, e vetëmjaftueshme…, ku gjithë robërit janë të njëjtë, duken njësoj, vishen njësoj, këndojnë të njëjtat këngë, shkruajnë të njëjtin libër, portretojnë të njëjtën botë bardh-e-zi, lindin dhe vdesin njësoj brenda ferrit dhe parajsës monoforme të diktaturës moniste a demokratike – krejt një.
Është kjo bota plot Sanço Pança e mbetur pa Prometej, ku rritet rasati i kultit të baballarëve të kombit, që përveçse prijës të revolucionit janë dhe inxhinierë të shpirtit të robit dhe arkitektë të së ardhmes pa të ardhme. Detyra e tyre është mpakja e ndërgjegjes së rajës së mpirë me narkoza ideologjike dhe mbjellja e halucinacioneve që jetën mizerje e shndërrojnë në parajsë engjëjsh të hareshëm, ku s’ka vend për hajdutë, keqbërës, lypsarë, fatprerë e shpirtrobër. Në këtë parajsë, ku njerëzit nuk njohin Zot tjetër përveç faraonëve partiakë, edhe arti është ndryshe nga arti i pjesës tjetër të botës, sepse është art proletar e pragmatik, i krijuar prej artistësh të shkrirë në magmën popullore dhe në shërbim të pushtetit.
Në një sistem të këtillë nuk ekzistojnë shkallë kierarkike vlerash kulturore, letrare, shkencore… Aty ka vetëm padronë të privilegjeve, të frustruar dhe vartës kokëunjur, pa të drejtë mendimi e fjale. Aty gjithçka është dyngjyrëshe, si nata me ditën. Miqësia e sinqertë ndërmjet njerëzve është pothuajse kategori e panjohur, natyrisht, nëse nuk konceptohen për të tilla lidhjet ndërmjet punëdhënësit dhe shërbëtorit, që mbarojnë posa pushon mandati i të parit, sepse njeriu vlen për aq kohë sa ka pushtet.
Sistemi në fjalë është i pabesë. Shtyllat e tij janë mediet e verdha, mashat, hafijet dhe shpifarakët. Rregullat e mbijetesës kërkojnë që askush të mos i besojë askujt. Është kjo zeja e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Pushtetarët e shfrytëzojnë për ngritje në karrierë, kurse njerëzit e thjeshtë për çështje mbijetese dhe për shkak të frikës së futur në palcë. Viktimat e revolucionit, edhe kur gjenden përpara skuadrave të pushkatimit, si fjalë të fundit zgjedhin: “Të rrojë faraoni dhe partia!”. Kurse prometejtë, qirinj të Atdheut, rrezikojnë të vdesin si spiunë dhe të mbeten pa varr.
Këto copa jete Dritëroi i portretoi me skenime të përpikta dhe i ironizoi duke lëvizur nëpër tehun e shpatës që mund t’ia priste kokën; gjë që më së miri e ka përkufizuar studiuesi francez Alen Boske, që, pas leximit të veprës, e quajti atë: “Dinamit të mbuluar me petale”.
Pa dyshim, veprat si kjo mbeten të gjithkohshme, sepse në bërthamën e tyre lexuesit gjejnë kromozomet e sëmura të shoqërive që kanë nevojë për derman.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.