‘Boris Kidriç’ në Tetovë: Rrethrrotullimi u bë, shëtitorja dhe ndriçimi u harruan

Restaurimi i rrugës të shumëpërfolur ‘Boris Kidriç’ në Tetovë ende nuk ka përfunduar edhe pas një viti e gjysmë që nga fillimi i punimeve. Së fundmi u vendos rrethrrotullimi mungesa e të cilit shkaktonte kaos, ndërsa shëtitorja dhe ndriçimi publik kanë mbetur pa përfunduar, raporton Portalb.mk.

Ditëve të fundit në këtë rrugë u vendos rrethrrotullimi i cili ka zbutur kaosin në kryqëzimin e rrugës ‘Boris Kidriç’ me ‘Bllagoja Toskën’ ku krijoheshin tollovi.

Megjithatë, shëtitorja dhe ndriçimi publik kanë mbetur të pa përfunduara.

“Është duke u punuar: janë vendosur ankerat për ndriçim, ndërsa pritet montimi i shtyllave të ndriçimit dhe rregullimi i shëtitores”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Nga aty nuk dhanë afat konkret se kur pritet që ky proces të përfundojë.

Shëtitorja te rruga 'Boris Kidriç' në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shëtitorja te rruga ‘Boris Kidriç’ në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lidhur me zvarritjet e këtij projekti vazhdimisht ka pasur kritika na qytetarët dhe opozita.

Punimet për rikonstruimin e kësaj rruge janë zvarritur vazhdimisht dhe janë shoqëruar me shumë polemika, kritika dhe reagime ka pasur nga qytetarët dhe opozita, për të cilat Portalb.mk ka raportuar në vazhdimësi.

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024. Rikonstruimi i kësaj rruge ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në programin e tij 2025-2029 premton “vazhdimin e Bulevarit Boris Kidriç nga kryqëzimi me Bulevardin Bllagoja Toska deri te Stacioni i Autobusëve”.