Boki 13 dhe të pandehurit e tjerë morën dënime më të ulëta në gjykimin e përsëritur për “Lidhja ndërkombëtare”, nga nëntë në pesë vjet burg për Jovanovskin
“Gjykata Themelore Penale në Shkup sot shqiptoi dënime më të ulëta në procedurën e përsëritur në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”. Me vendimin e ri të shkallës së parë, Bojan Jovanovski – Boki 13 u dënua me një dënim të vetëm prej pesë vitesh burg për veprat penale Mashtrim dhe Pastrim i parave, që është një ulje e dënimit nga nëntë vitet fillestare, raporton SDK. përcjell Portalb.mk.
E pandehura Jasna Ercegoviq u dënua me dy vite burg për Pastrim parash, në të cilin do të përfshihet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Për të njëjtin krim, Hristina Bllazhevska dhe babai i Bojanit, Mile Jovanovski, u dënuan me kusht. Bllazhevska u dënua me një vit burg me kusht, ndërsa Jovanovski me një vit e gjashtë muaj, të cilat nuk do t’i vuajnë nëse nuk kryejnë vepër të re penale në tre vitet e ardhshme.
Gjoba për personin juridik “Lidhja ndërkombëtare” mbeti një milion denarë.
Në Vendimin e parë të shkallës së parë të shqiptuar në prill të vitit 2022 parashihej një denim prej gjithsej 14 vitesh burg. Atë kohë Jovanovski u dënua me nëntë vite burg, ndërsa Ercegoviq me katër vite burg.
Në prill të vitit 2024 Gjykata e Apelit në Shkup e rrëzoi vendimin pas ankesave të të pandehurve dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Gjykata e Apelit pastaj e konfirmoi lirimin nga akuzat të ish-deputetes Frosina Tashevska Remenski për veprën penale Mashtrim dhe ia uli dënimin Mile Jovanovskit duke e dënuar me një vit burg për Trafikim të paautorizuar të armëve.
Rasti “Lidhja Ndërkombëtare” ka të bëjë me abuzimet e kryera përmes organizatës joqeveritare me të njëjtin emër, ku, sipas aktakuzës, biznesmenëve me mashtrim u janë marrë fonde për ndërtimin e supozuar të projekteve sociale dhe shtëpive për të moshuarit.
Ndryshe, Boki 13 akuzohet edhe në rastin “Reket”, ku edhe në këtë rast, Gjykata e Apelit gjatë muajit shkurt ia zvogëloi dënimin nga nëntë në pesë vjet burg.