Blerim dhe Nita Grubi sonte ngjiten në “MusicaPoesia” në Milano

Sot, më 28 shkurt 2026, në orën 16:00, Fondazione Luciana Matalon në Milano hap dyert për një tjetër mbrëmje të veçantë artistike në kuadër të ciklit “MusicaPoesia”, këtë herë me interpretimin e Duo Grubi, një bashkëpunim unik familjar që ka fituar vëmendje në skena të ndryshme evropiane, shkruan Portalb.mk.

Në skenë ngjiten violisti Blerim Grubi, emër i njohur i muzikës së dhomës në Ballkan, me rrënjë artistike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe pianistja Nita Grubi nga Maqedonia e Veriut.

Babë e bijë sjellin në Milano një interpretim që veçohet për harmoni të rrallë muzikore, ndjeshmëri emocionale dhe një dialog të natyrshëm në skenë, të ndërtuar ndër vite bashkëpunimi.

Programi i kësaj mbrëmjeje është i përqendruar në vepra të njohura të repertorit romantik, me një udhëtim muzikor nga lirizmi i Schubert-it, te ngjyrat poetike të Schumann-it dhe kulmimi dramatik i Chopin-it:

  • Franz Schubert -pjesë nga Sonata D827 “Arpeggione” (Allegro moderato)
  • Robert Schumann -Märchenbilder, Op. 113
    (Nicht schnell-re minor; Lebhaft – fa mazhor; Langsam, mit melancholischem Ausdruck -re mazhor)
  • Frederic Chopin -Ballade nr. 1 në sol minor, Op. 23

Koncerti i sotëm në Milano konsiderohet një tjetër dëshmi e pranisë dhe suksesit të artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, duke sjellë kulturën dhe interpretimin e tyre në një qendër të rëndësishme artistike si Milano.