Bixhoz me Kosovën?!

Gjendja ne veri të Kosovës pa arsye dramatizohet në përmasa të fajtorit ndërkombëtar, madje duke pasur përkrahë fuqinë më të madhe të botës. Asaj fuqie tani i afrohet edhe ai që ata i patën bombarduar, kurse i largohemi ne që na shpëtuan! Vështirë e kemi ta kuptojmë se nuk zgjidhet momenti i duhur, por aleati i duhur, sepse me te të gjitha momentet bëhen të duhura. Sikur s’po e kuptojmë se mirësia e tyre pushon atje ky fillon mendjemadhësia jonë!

Njëherë Çerçil në shaka deklaron se – “ai që në moshën rinore nuk është i majtë s’ka zemër, por nëse me atë bindje vazhdon edhe në moshën e pjekurisë ai s’ka tru”! Duket se te ne ndonjëherë mungojnë të dyja. Drama që ka shkaktuar udhëheqja kosovare në rajon duke hy në trukat serbe, jep në dije se do persona kyç ose s’kanë zemër ose s’kanë tru! Madje edhe satanizimi i një draft-statuti të hartuar nga shteti amë për “Zajednicën” thithë diçka nga ky definicion. Për më shumë, edhe vet komunikimi diplomatik dhe etiketimet ndaj kryeministrit shqiptar shumë ngjasojnë në ndonjërën apo në të dyja! S’bën, marrëdhëniet të prishen me të gjithë, aq më pak me SHBA-në dhe shtetin amë, madje, duke ironizuar me draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Rama do duhej ta dorëzonte një të tillë në Serbi për Luginën e Preshevës.

Gjeopolitika e tanishme rajonale e lyp që ShBA të afrohet edhe me shtetin serb, dhe është normale që dinamika e raporteve Serbi – ShBA të ndryshojë sepse ai shtet kujdeset për gjithë botën. Nuk duhet hamendur se Serbia tani lyp shpëtimin nga ShBA sepse Rusia perëndon. Ajo që ndodhi me organizatën fashiste dhe kriminale Wagner është vetëm dëshmi për rrethanat atje! Bota, asnjëherë si këto ditë nuk ka qenë aq e frikësuar, kur mendonte se armët nukleare mund të binin në duar të terroristëve! Andaj edhe Kosova duhet të tregojë më shumë kreativitet politik për t‘iu përshtatur rrethanave aktuale sa i përket politikës së jashtme dhe assesi të mos mendojë se Serbia nuk mund të krijojë marrëdhënie miqësie edhe me shtetet që kanë kontribuuar më së shumti në themelimin e shtetit të Kosovës. Kosova nuk e ka luksin që të japë leksione lidhur me politikën e jashtme të ShBA-së apo BE, ani pse ka të drejtë të shpreh shqetësimet e saj! Askush s’i ka faj Kosovës që s’ka ministër adekuat për punë të jashtme.

Realisht, nëse de-eskalimi nuk ndodh, e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia me mjeshtri di t’i fsheh manipulimet e veta – thotë Rama! “Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!” E atëherë për kushedi sa kohë edhe kontrollin formal të shtetit mbi krejt territorin në veri do ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it. Ne nuk mund të bëjmë vepra të mëdha, por të vogla në mënyrë të madhe. Neve tani na duhet dëshmi se ne s’jemi si ata, e jo e kundërta, pra ajo që ata bënin një kohë dhe e paguan shtrenjtë.

Para do ditësh, presidenti amerikan Bajden nënshkroi vazhdimin e një Urdhri Ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, ku preket direkt edhe Kosova. Çka është ai urdhër dhe pse ka rëndësi?

Para do kohësh, Shtëpia e Bardhë me anë të një komunikate njoftoi se presidenti amerikan Bajden e kishte nënshkruar vazhdimin e “emergjencës kombëtare” sa i përket Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për Urdhrin Ekzekutiv të nënshkruar 22 vjet më parë nga ana e presidentit të asokohshëm Xhorxh Bush, ku thuhet se: “Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim të Ballkanit Perëndimor… vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të rrallë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.”

Lidhja ekonomike ShBA-Serbi!

Pjesëmarrja e emisarit të ShBA-së për Ballkani Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe ambasadorit të ShBA-së, Kristofer Hill në Beograd në ceremoninë e themelimit të Këshillit Amerikano-Serb të Biznesit është një mesazh i qartë se Serbia hovshëm, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht lidhet për ambientin korporativ të ShBA-së, përkundër veprimeve të shumë lobeve Amerikane-Shqiptare që bëjnë zënka mes veti! Kurse dy shtetet shqiptare Shqipëria dhe Kosova as që kanë menduar të themelojnë një lidhje të tillë. Është absurd, madje e dhimbshme që dy shtetet shqiptare të mos bëjnë lidhje korporatash ekonomike, biznesesh tregtare, politike e kulturore me aleatin më të madh të tyre ShBA-në! Pa to mbetemi me dashuri boshe, e cila fare lehtë mund të zvogëlohet, Pra, sikur jemi talentuar që kërcimet t’i bëjmë pa parashutë. Kurse në anën tjetër serbët me anë të lidhjeve aktive, madje pa shkëndija dashurie themelojnë shoqata biznesesh me ShBA-në!

Kurti me plotë autogola!

Kurti ka problem serioz me konturat elementare të ndërtimit të një politike konstruktive. Ndonjëherë kapricat, inatet dhe komplekset mbizotërojnë ndaj arsyes. E filloi kot me targat, si hap i parë i shtrirjes së sovranitetit, kurse në fakt ky duhej të ishte hapi i fundit. E vazhdoi me rezultatet e zgjedhjeve dhe forcat speciale, duke harruar se kishte nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, të cilën pastaj filloi ta përdhosë i ndikuar nga frika e ngopjes së opozitës keqdashëse dhe dëshpërimit të opinionit të painformuar. Fakt se ngopja e opozitës pas pranimit të “Zajednicës” nga ana e Kurtit reflektoi si pandërgjegje, pa dallim të asaj se Kurti dha nënshkrim për diçka që dikur “bombardonte” parlamentin dhe se tani “ai paska lëpi atë që për vite kishte pështyrë”! Por, një politikan i pjekur nuk do duhej të binte në grackën e kapricave të opozitës me shumë hipoteka, së paku jo për çështje aq të ndjeshme për shtetin.

Duket se kjo shumë i pëlqeu Vuçiqit, i cili sikur e kuptoj se mund t’ia drejtonte topin Kurtit për do autogola në dëm të Kosovës. Tani më, dukshëm është larguar synimi i ashtuquajtur integrim i serbëve në veri dhe ka minuar atë që pritej ose që të paktën, shpresohej – kthimin e tyre kah institucionet e shtetit të Kosovës. Për më keq, ata tani vetëm sa i kanë forcuar edhe më shumë lidhjet me Beogradin, madje duke shfrytëzuar benefite financiare nga Prishtina. Në fakt ajo popullatë e vogël serbe në veri qëllimisht e fiksuar nga ana e Beogradit dhe nga veprimet e dëmshme të qeverisë kosovare, vetëm se largoi marrëveshjen e duhur, e cila po mos të realizohet tani, rrezikon një enklavë afatgjate ndërkombëtare me epilog të panjohur në të ardhmen. Kurse të gjitha analizat tregojnë se për do vite, ajo popullatë do jetë e përgjysmuar, pa potencial objektiv destabilizues. Andaj qasja duhej me një fjalor të butë konstruktiv duke i afruar nga vetja, e jo duke u imponuar edhe më shumë të kërkojnë shpëtim nga Beogradi dhe bandat e nëntokës serbe. Ta mendojmë se sa fuqi do kishin fjalët e Kurtit pas zgjedhjeve lokale, kur ai do thoshte se i kanë fituar zgjedhjet lokale në veri, por se nuk është mirë për demokracinë kosovare që aty të ushtrohet pushtet me 3% votues! Ajo do e gjunjëzonte politikën serbe, në vend që t’i përgatiste penalti. Për fat të keq tani iu dha teren grupeve kriminale të instrumentalizuar nga vet Vuçiqi tejet dinak.

“Zajednica” në esence s’është asgjë e veçantë!

Me vite, pjesa veriore e Kosovës ka funksionuar “kokë më vete”, formalisht si pjesë e Kosovës, kurse realisht si pjesë e ndikimit serb. Të ashtuquajturat “organe të përkohshme”, komunale kanë funksionuar si organe paralele, madje sipas sistemit të Serbisë. Andaj me arsye parashtrohet pyetja se si është e mundur që gjithë ai investim lokal e ndërkombëtar të rrëzohet si një kullë prej letre, me një shenjë të bërë nga Beogradi? Pse është dashur aq gjatë të vazhdohet ky “status-quo”, që nuk ka prodhuar integrim, madje tani akoma edhe më shumë të provokohet në favor të kundërshtive ndaj Republikës së Kosovës? Këtu kemi një diskrepancë të madhe mes mendjes, realitetit dhe qëllimeve!

Pushteti i kaluar kosovar blinte kohën duke menduar se një ditë ajo nga vetvetja do kthehej nga institucionet e Kosovës, kurse Kurti me gabimet e tij vetëm se i shtoi jetë largimit të tyre për qëllime të vetat elektorale. Ai lëshoj shansin të gjuante penaltinë që iu dha pas zgjedhjeve lokale me bojkot të popullatës serbe. Në fakt, pas shpalljes së rezultateve të “fitoreve” me 2-3% ai duhej të dilte me një deklaratë historike: “Ne nuk duam kryetar komunash pa legjitimitet, sepse atë e kemi përjetuar në lëkurën tonë. Se ajo popullatë është e jona, andaj ne i anulojmë rezultatet e zgjedhjeve”. Kjo do ishte një bombë në oborrin e Vuçiqit dhe njëherit relaksuese për ambientin politikë dhe të sigurisë. Bashkësinë ndërkombëtare dukshëm do e kthente kah vetja dhe do e hapte rrugën drejtë operacionalizimit të Marrëveshjes së Ohrit me Aneksin. Ndoshta Kurti brenda do humbiste do pika momentale, por gjithë politikën e intrigave serbe do e shndërronte në një peshk të hedhur në të thatë dhe do fitonte simpatinë e miqve tanë tradicional. Pozicionet e Prishtinës dukshëm do fuqizoheshin. Kurti pak do flijonte që Kosova shumë të përfitonte. Tani, e gjithë kjo na përkujton në atë fabulën kur njëri e pyet tjetrin se “a hyhet në këtë lumë”? Ai e përgjigjet – “po more”. Por kur ia nisi me u mbyt, ai shtoi – “por ti nuk më pyete se a dilet“!

Vet fakti se në Aneksin e Marrëveshjes potencohet qartë se statusi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe duhet të rregullohet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, siç janë përcaktuar nga ndërmjetësimi i BE-së, nënkupton se statusi i asaj Bashkësie komunash nuk përfshinë ndryshime në Kushtetutën e Kosovës (sepse qartë pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese). Pra, Asociacioni do bëhej pa ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, që në asnjë mendim qoftë edhe laik s’mund të kuptohet se asociacioni do fitonte atribute autonome, e assesi federale. Fundja, kompetenca të caktuara ekzekutive, madje edhe si obligim i kanë të gjitha komunat e botës.

Këtu duket se populizmi i kryeministrit, qëndroi mbi interesat vitale të Kosovës. Sot të lëvdohet Serbia si palë konstruktive e të sanksionohet Kosova është si një gjuajtje në zemër të shqiptarisë në të cilën dikush aq shumë për dekada thirrej. Por, atij që e bënë gabimin nga inati, e keni vështirë t’ia dëshmoni. U lansua rrejshëm frika për “Republika Srpskën”! Njerëzit me frikësime preken nga frika për të bërë pikërisht atë nga e cila kanë më shumë frikë. Këtu vështirë kuptohet Ralf Emerson që thotë, se për ta mundur frikën gjithmonë bëje atë që ke frikë ta bësh!

Idoli për Çe Gevarën duket se e përcjellin liderin e humbur në kohë dhe ideale të kota. Madje edhe presidentja sikur jeton me një fikë, kurse ministra e punëve të jashtme është gjynah i vetes e i popullit. Ndokush dikujt duhet t’i thotë mjaft bixhoz me shtetin dhe popullin! Përndryshe do të shndërrohemi në një Gazë palestineze, ku sa herë liderëve të Hamasit u zbrazen xhepat, shkrepin do raketa dhe dhjetëra fëmijë viktima! Kryeministri mund të ketë komplekse, hatërmbetje, mospajtime, urrejtje a mosdurime ideologjik ndaj një “perandorie imperialiste”, megjithatë atë luftë të tijën ai nuk mund ta bëjë nga pozita e kryeministrit të një vendi që është krijuar dhe që ekzistenca e të cilit varet mu nga vetë ajo perandori. Frikohem se po vjen koha, kur kryeministri do mbetet mes vetshpalljes serbe dhe një konference ndërkombëtare, ku Marrëveshja e Ohrit do dukej si një e afërt e ndjerë! Do politikanë janë sikur sytë – gjithçka tjetër shohin pos vetes!