Biden do të dërgojë ndihmë ushtarake për Izraelin dhe do t’i afrojë anijet dhe avionët në Mesdheun Lindor

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor në një demonstrim mbështetjeje pas sulmit të Hamasit, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Sekretari Austin shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë municione për Izraelin dhe se ndihma për sigurinë do të fillojë të dërgohet të dielën. Pentagoni do të shtojë gjithashtu avionë luftarakë në rajon, tha ai, transmeton Zëri i Amerikës.

Presidenti amerikan Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të dielën se ndihma shtesë për Forcat e Mbrojtjes izraelite ishte nisur për në Izrael dhe mbështetje e mëtejshme do të vazhdonte në ditët në vijim, tha Shtëpia e Bardhë pas telefonatës mes tyre.

Zoti Austin tha se ka urdhëruar zhvendosjen e një flote anijesh që përfshin aeroplanmbajtësen Ford, më pranë Izraelit.

“Kam urdhëruar që aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford të vendoset në Mesdheun Lindor,” tha ai në deklaratën e tij.

Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

Mbi 1.000 persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite, shkruan REL.

Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2.300 persona janë plagosur.

Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.

Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.

“Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.

Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.

Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se 74.000 persona në Rripin e Gazës janë strehuar në disa shkolla, pasi Izraeli u bëri thirrje banorëve që jetojnë rreth Gazës që brenda 24 orëve të evakuohen.

Kjo agjenci po ashtu konfirmoi se një prej shkollave që ajo drejton në këtë zonë ishte cak i një sulmi të dielën, por tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur viktima si pasojë e sulmit.

Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.

Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.

Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.