Bexheti kundër Mexhitit: Unë, Xhaferi dhe Bejta jemi kundër formimit të një partie të re, Ganiu thotë se “nuk ka përçarje” në grupin e zjarrit

Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI, thotë se nuk e përkrah idenë që ky fraksion të formojë parti të re politike, transmeton Portalb.mk.

Qëndrimin e tij mësohet se e ndajnë edhe dy anëtarët e tjerë të “grupit të zjarrit”, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta.

“Unë, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta jemi kundër themelimit të një subjekti të ri politik. Nuk ka nevojë të formohet parti e re politike”, thotë Bexheti për portalin “Zhurnal”.

Ai beson se formimi i një partie të re politike do të çonte në fragmentim, ndarje të elektoratit shqiptar.

“Ne jemi fraksion brenda BDI-së dhe duhet t’i zgjidhim dallimet brenda BDI-së”, thotë Bexheti.

Deklarata e Bexhetit është e kundërta e qëndrimit të Izet Mexhitit. Pas zgjedhjeve të brendshme partiake në BDI që u mbajtën më 2 korrik, në të cilat ndër të tjera në vend të tij u zgjodh kryetari i degës së partisë në Çair, Bekim Neziri bëri të ditur se nuk përjashtohet mundësia e formimit të partisë së re politike.

Më pas në pyetjen e 360Gradë se cilat janë hapat që do të ndërmarrin anëtarët e fraksionit të BDI-së në të ardhmen dhe nëse mes tyre është edhe formimi i një partie të re, Mexhiti thotë se të gjitha opsionet janë në tavolinë.

“Me këtë mënyrë të organizimit të zgjedhjeve brendapartiake, që nënkupton edhe përjashtimin tonë formal nga partia, tashmë janë ezauruar të gjitha opsionet e mundshme për funksionim brenda partisë dhe është e vërtetë se anëtarësia e sinqertë që na mbështet dhe është në numër të madh kërkon reflektim dhe veprim, ndërkohë që të gjitha opsionet janë në tryezë, duke përfshirë formimin e një lëvizjeje të re politike”, ka thënë Mexhiti.

Ganiu thotë se nuk ka përçarje, do të ketë vendim pas pushimeve

Ndryshe, dje kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili po ashtu është nga grupi i “zjarrit”, ka mohuar se ka dallime mes Bexhetit-Mexhitit dhe ka theksuar pushimet vjetore si arsye për mungesën e një qëndrimi të qartë për të ardhmen e fraksioni.

“Nuk ka përçarje. Disa nga kolegët janë në pushime, mendoj se kur të kthehemi do të ulemi të koordinojmë gjithçka, por një përçarje të tillë e kam dëgjuar nga mediat. Nuk ka asgjë të tillë brenda”, thotë Visar Ganiu.

Sa i përket idesë për formimin e një lëvizjeje të re politike, Ganiu nuk e mohoi një mundësi të tillë, por shtoi se deri më tani kjo temë nuk është debatuar.

“Nuk kemi folur. Do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet se si të veprojmë më tej, pasi të na mbyllen dyert e partisë”, shton Visar Ganiu.

Analistët presin të formohet një parti e re

Krahas Çairit, zgjedhjet janë mbajtur në gjithsej 14 degë të BDI-së, me të cilat praktikisht partia ka “pastruar” nga pozitat partiake simpatizantët dhe anëtarët e “grupit të zjarrit”.

Analistët Sefer Tahiri dhe Xhelal Neziri në një bisedë për “360 Gradë” më pas dolën me qëndrime të ndryshme për besueshmërinë e procesit zgjedhor mes integristëve, por u pajtuan për një çështje – formimin e një partie të re duhet pritur nga fraksionistët e deritanishëm në BDI.

BDI-ja tani e disa muaj është e ndarë në dy grupe: “Ahmetistët” dhe “Grupi i Zjarrit”.

Përçarja në BDI filloi më 24 shtator 2022 në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, kanë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksuan që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Më 1 prill 2022, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill shpalosën fraksionin e tyre brenda partiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së.

Më 20 maj, BDI njoftoi se Kryesia Qendrore e partisë ka konstatuar “vetëlargimin” nga kryesia qendrore e partisë të pesë anëtarëve të kryesisë që vinin nga “Grupit të Zjarrit”. Ndërkaq, nga “Grupi i Zjarrit” mohuan të jenë vetë përjashtuar.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim u themelua menjëherë pas konfliktit të 2001 në Maqedoninë e Veriut.