Para rreth një viti, një institut kërkimor joqeveritar nga Sarajeva na ofroi të shkruanin dy zëra për një enciklopedi ndërkombëtare (EIB) që do të pasqyronte shkencërisht identitetin, trashëgiminë, burimet shpirtërore, materiale, kulturore dhe civilizuese të Ballkanit. Subjektet që duhej të zbërthenim ishin dy përbërës simbolikë, domethënës dhe të rëndësishëm të kulturës tonë, “besën” dhe revistën “Përpjekja”. Më poshtë është teksti mot à mot (fjalë për fjalë) i këtyre dy zërave:
BESA – Etimologjia e këtij shprehjeje lidhet me “be” – betim, “bëj be”, “betohem”. Ajo është një element i rëndësishëm i etnopsikologjisë shqiptare, një institucion sui generis i kulturës dhe mentalitetit shqiptar, një ius albanicus (e drejta shqiptare); një premtim që duhet mbajtur me çdo kusht, madje edhe me çmimin e jetës. Besa, e pranishme gjerësisht në epikën legjendare shqiptare (Fetiu, 2000), konsiderohet si rregulli i artë, etika e reciprocitetit, normë morale dhe kod sjelljeje. (Lolja, 2011)
Si një virtyt i një populli të lashtë, si institucion zakonor-juridik, dhe si një “produkt unik shqiptar në botë” (Greshman, tek Berisha, 2021:6), ajo haset në të gjitha sferat e jetës – nga ajo shoqërore-politike, juridike civile, deri te ajo penale. Është fjalë e nderit, betim, premtim ose armëpushim, diçka që në kulturën shqiptare konsiderohet e shenjtë, dhe thyerja e saj në të kaluarën ishte e dënueshme moralisht nga shoqëria.
Në të drejtën zakonore shqiptare, besa është një virtyt moral, një institut me rëndësi të veçantë në marrëdhëniet shoqërore dhe ndërnjerëzore. Që nga mesjeta njihet si normë e veçantë për rregullimin e çështjeve ekzistenciale të familjes, marrëdhënieve ndërnjerëzore, ndërfisnore dhe shoqërore. Ajo është e kodifikuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ka pasur një rol edhe në fenomenin e gjakmarrjes, pasi i siguronte palës tjetër lirinë e lëvizjes pa frikë nga hakmarrja.
1. Mihaçeviq, i cili në fund të shekullit XIX ka jetuar në viset malore të Shqipërisë, e përshkruan institucionin e besës si diçka që “është e barabartë me fjalën e nderit që themi ne, ajo është e shenjtë për shqiptarët”, “një premtim ose zotim për të mbrojtur njëri-tjetrin”, një entitet jetik që përshkruhet më së miri nga fjalët popullore: “Besa â ma e fortë se deka”, “Besa e burrit, pesha e gurit”, “Kau lidhet për brinash e burri për fjale”.
PËRPJEKJA – Revistë tremujore që botohet që nga viti 1994 në Tiranë, me fokus në tema nga fusha e letërsisë, kulturës, historisë, filozofisë, sociologjisë etj. Siç thekson drejtori i saj, Fatos Lubonja, ish-disident që kaloi 27 vite në burg gjatë regjimit komunist, në numrin e parë revista është konceptuar si vazhdim i revistës mujore “Përpjekja shqiptare” të sociologut, shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të njohur shqiptar Branko Merxhani (1894–1981), e cila “jetoi” vetëm tre vjet, nga viti 1936 deri më 1939, dhe kishte për qëllim të ishte një urë lidhëse mes Shqipërisë së prapambetur dhe Europës, mes elitës intelektuale dhe politike, për të nxitur mendimin, dashurinë, kulturën dhe idealet. (Editorial, 1994: 7)
Duke u bazuar në tezën e Huntington-it për vendin e ndarë (“torn country”), “Përpjekja” vëren se në Shqipëri ekziston një konflikt mes elitës kulturore me frymë perëndimore dhe një tjetre me mentalitet turko-bizantin. Rexhep Qosja, Bashkim Shehu, Edi Rama, Ardian Klosi, Ardian Vehbiu, Shkëlzen Maliqi, Ervin Hatibi janë ndër bashkëpunëtorët e rregullt të revistës “Përpjekja”. (Lubonja, 2015)
Revista boton tekste të mendimit shoqëror, tregime të shkurtra, poezi dhe ese mbi kritikën letrare dhe kulturore. Tremujorshja në fjalë përfshin gjithashtu artikuj me analiza kritike të zhvillimeve politike në vend dhe qëndrime të filozofëve dhe intelektualëve bashkëkohorë si Ernest Renan, Jürgen Habermas, George Steiner, Adam Michnik, Andrew Gumbell, Halil Inalxhik, Nathalie Clayer etj.
Ndër temat që trajton janë: postkomunizmi, kombi, shqiptarët dhe arkitektura, maskilizmi shqiptar, globalizimi, tirania dhe njeriu tragjik, hapësira morale, diversiteti fetar, gruaja, demografia…
Porosia: Besën duhet konservuar dhe socializuar, përpjekjen kreative duhet shtuar, sepse pa të edhe njeriu edhe shoqëria vdesin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.