Kovaçevski u takua me Zelenskin: Vendi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën derisa është e nevojshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Dimitar Kovaçevski ka takuar sot presidentin e Ukrainës – Volodymyr Zelenskin. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, njofton Portalb.mk.

Në takim, kryeministri Kovaçevski theksoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të vendit ndaj Ukrainës në përpjekjet për mbrojtjen e vendit dhe rivendosjen e lirisë dhe paqes, e me këtë edhe të stabilitetit në rajon. Duke dënuar agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane, Kovaçevski përsëriti se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me mbështetjen e qartë dhe të fortë për Ukrainën, në vetëmbrojtjen e saj dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Maqedonia e Veriut e manifeston qartë këtë qasje si në baza bilaterale ashtu edhe në kuadër të NATO-s, si dhe me bashkimin në Deklaratën e vendeve të G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Takimi Dimitar Kovaçevski dhe Volodimir Zelenski. Foto: Qeveria e RMV-së
Takimi Dimitar Kovaçevski dhe Volodimir Zelenski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke dërguar ndihma në Ukrainë, siç ka bërë deri më tani.

Presidenti Zelenski shprehu mirënjohje për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës që nga fillimi i agresionit ushtarak, i cili është domethënës për forcat ukrainase dhe që populli ukrainas e vlerëson shumë. Presidenti Zelenski informoi për zhvillimet më të fundit të situatës në terren.