Beogradi s’i dëgjon ndërkombëtarët – do t’i çojë përpara masat e reja kundër Kosovës
Ndërkombëtarët nuk e kanë bindur Serbinë që të heqë dorë nga masat e reja ndaj Kosovës. Me gjithë reagimet, Beogradi zyrtar ka shprehur qëndrimin se do ta mbajë në fuqi vendimin për ta shpallur Kosovën zonë të veçantë sociale dhe do ta miratojë në Kuvend ligjin për juridiksionin mbi veprat penale në Kosovë. Kundër kësaj mësymjeje është deklaruar edhe Gjermania, raporton Koha.net.
Serbia ka vendosur t’i çojë përpara masat e reja kundër Kosovës, duke shpërfillur thirrjet që ia kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që ato të stopohen.
Të hënën Qeveria e Serbisë e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.
Këtë veprim të Serbisë ndërkombëtarët e kanë cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimeve të marra.
Autoritetet në Beograd shprehën qëndrimin të premten se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk do të merren parasysh.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, vendimet synojnë përmirësimin e jetesës së serbëve.
“Legjislacioni në fjalë është në të vërtetë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, duke qenë në linjë me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitet në rajon. Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialog, thuhet se dialogu duhet të ketë synim përmirësimin e jetës së njerëzve”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Serbisë.
Pas reagimit të Kosovës, SHBA-së dhe BE-së, të premten ka reaguar edhe Gjermania.
Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit më me ndikim në BE ka kërkuar zbatimin pa vonesa të marrëveshjes së arritur një vit më parë.
“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale shkel qartë obligimet e saj nga dialogu. I kërkojmë Serbisë që ta rishqyrtojë. Të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagim të MPJ-së së Gjermanisë.
Vendimet e Qeverisë së Serbisë janë paralajmëruar në shtator nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Por, në atë kohë ndërkombëtarët nuk patën reaguar.