Protestë e studentëve në Beograd, përfshihet kanali rus “Wagner”

Mijëra studentë, qytetarë dhe përfaqësues të partive opozitare kanë marrë pjesë pasditen e sotme në një protestë të re në qendër të Beogradit kundër mashtrimit zgjedhor, të cilin ata e akuzojnë se është organizuar nga qeveria e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit, transmeton Portalb.mk.

Të rinjtë sot kanë bllokuar një pjesë të rrugëve të Beogradit, fillimisht janë mbledhur para Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Beograd, ndërsa më vonë kanë bllokuar edhe rrugën Knez Millosh para selisë së qeverisë serbe. Ata kërkojnë nga qeveria që t’u japë një pasqyrë të listës zgjedhore për zgjedhjet e zhvilluara në vend më 17 dhjetor.

Në mesin e të mbledhurve në protestë ishte edhe kandidati për kryetar komune të Beogradit nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”, Vladimir Obradoviq dhe kandidati për deputet dhe kryetar i DS, Zoran Lutovac. Në protestë ka marrë pjesë edhe Bojan Simishiq, themelues i “Eko Gardës”, i cili tha se qytetarët nuk duan ndryshim të dhunshëm të pushtetit, por ndryshim të kushteve zgjedhore.

Ndërkohë, informacione të tmerrshme vijnë nga prokuroria serbe, e cila i akuzon të arrestuarit nga protestat e djeshme para Bashkisë në Beograd për dy krime të rënda për të cilat mund të dënohen me 12 vjet burg. Në protestat e djeshme policia ka arrestuar mbi 35 demonstrues.

Në mesin e personave të arrestuar është edhe një student 19-vjeçar, i cili u arrestua para hyrjes së Muzeut Historik të Serbisë. Avokati i tij Ivan Ninic thotë se ai u ndalua nga policët me rroba civile nga pas dhe u arrestua.

“Pra, ai nuk është arrestuar në vetë protestën, por e kanë lënë të shkojë në shtëpi dhe më pas e kanë arrestuar. Duke pasur parasysh se ai më parë kishte marrë pjesë në tubime paqësore për protesta, lind pyetja nëse një inspektor kishte për detyrë ta arrestojë pas protestave”, thekson Niniç.

Ai thotë se prokuroria e akuzon studentin se ishte mes personave që hodhën gurë në Bashkinë dhe prokuroria vendosi ta hetojë për krimet: sjellje të dhunshme në tubim publik dhe thirrje për shkatërrim me dhunë të rendit kushtetues.

Një fakt veçanërisht interesant është se Rusia vendosi të angazhohet në mënyrë aktive në sulme verbale ndaj protestave të opozitës të mbajtura në Beograd. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka akuzuar vendet perëndimore se po përpiqen të destabilizojnë situatën në Serbi, siç thotë ajo, “duke përdorur teknikat e grushtit të shtetit në Maidan”.

Megjithatë, përkundër sulmeve të tilla të pamatura ndaj Moskës për ngjarjet në Beograd, një informacion veçanërisht interesant ka publikuar sot gazeta beogradase Danas. Telegram-kanali i grupit paraushtarak rus “Wagner” ka publikuar sot një postim me temën e protestave të djeshme në Beograd.

“Si në shtëpi mes të huajve”. Beograd, godinë administrative, në të cilën opozita vërshon. Serbi, duro. Nga PMC Wagner – me dashuri”, thuhet në mesazh.

Bashkë me njoftimin me shkrim janë bashkangjitur edhe fotot që tregojnë se një nga luftëtarët e dikurshëm dhe aktual të Vagnerit ndodhej në qendër të Beogradit.

“Megjithatë, kuptohet që ai nuk është bërë pjesë e opozitës”, raporton portali rus Silovai Blok.

Ndryshe, përfaqësuesit e koalicionit opozitar serb “Serbia kundër dhunës” kanë akuzuar se në protestat e djeshme para Bashkisë në Beograd, e cila përfundoi me policë dhe qytetarë të lënduar dhe me thyerje të xhamave dhe dyerve të objektit, ka pasur provokatorë të cilët kanë marrë pjesë në skenat e dhunshme.

Rikujtojmë se president serb Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i përshkroi protestat e së dielës si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.

Parregullsitë në procesin e zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit u vërejtën menjëherë, dhe madje edhe BE i bëri thirrje Serbisë të ndërmarrë masa. Protesta e parë u mbajt më 19 dhjetor, por deri tani Vuçiq ende mbetet në pushtet.