BE: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës
Bashkimi Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas zyrtarëve të Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ligji u votua natën e së martës, pak para se Kuvendi të zgjidhte Justina Shiroka Pulën në krye të shtetit të Kosovës, që u përshëndet nga Brukseli.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujtoi se Brukseli e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion i pavarur gjyqësor, dhe këmbënguli që mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, theksoi Wiegand.
Duke iu referuar kësaj deklarate, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë që nisi iniciativën për ndryshimin e ligjit – Përparim Gruda, insistoi se Kosova nuk po shkel detyrimet e veta ndërkombëtare.
“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda gjatë një konference për media.
Ai përsëriti deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar, kur kishte thënë se i takon Kosovës të vendosë për ndryshimet në legjislacion, por që duhet të garantohet pavarësia e Gjykatës Speciale.
REL e kontaktoi Qeverinë e Kosovës lidhur me kritikat e BE-së, por deri në momentin e publikimit nuk mori përgjigje.
Gjatë shqyrtimit të parë të projektligjit më 5 tetor, kryeministri Albin Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i konsideronte ndryshimet të nxituara dhe se kishte pasur pak kohë për t’i analizuar ato, por se do t’i mbështeste.
Dhomat e Specializuara nuk pranuan të komentojnë drejtpërdrejt.
“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thanë ato për Radion Evropa e Lirë më 7 tetor.
Nga ana tjetër, BE-ja përshëndeti daljen nga bllokada institucionale, që e kishte mbërthyer Kosovën që nga viti 2025, me zgjedhjen e shefes së shtetit. Brukseli tha se pret rikthimin e stabilitetit institucional, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së rikujtoi, gjithashtu, se Kosovën e pret punë e rëndësishme. Këtu përfshihen reformat e lidhura me Planin e Rritjes dhe Reformave, zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe përparimi në bashkëpunimin rajonal dhe në integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.
“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, nënvizoi Wiegand.
Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Shiroka Pulën presidente të re në minutat e para të 7 tetorit. Zgjedhja erdhi pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutën e fundit, e cila siguroi edhe votat e deputetëve për ndryshimet ligjore që kufizojnë kompetencat e asaj që njihet si Gjykata Speciale.
Para votimit për presidenten, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet që Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Kjo ndodhi pas një dite të tërë pa rrugëdalje mes partive. Ndërkohë, protestat kundër ndryshimeve në ligj vazhduan edhe më 6 tetor, një ditë pasi ishte arritur deri te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.