Pas disa vitesh pritje, do të zgjidhet problemi me transportin për studentët e UNT-së
Pas vitesh pritjeje dhe kërkesash për një linjë direkte të autobusit, studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup më në fund do të kenë dy linja të reja drejt kampusit. Nga UNT-ja njoftuan se, në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik të Shkupit, janë siguruar linjat 17/1 dhe 17/2, transmeton Portalb.mk.
Sipas UNT-së, ndalesa e këtyre linjave do të jetë përballë Ambasadës së SHBA-së.
“Të dashur studentë të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, udhëtimi juaj drejt kampusit tani bëhet edhe më i thjeshtë. Në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik të Qytetit të Shkupit, për ju janë siguruar dy linja të reja të autobusëve (Linja 17/1 dhe 17/2), ndalesa e të cilave do të jetë përballë Ambasadës së SHBA-së”, thonë nga UNT.
Për këtë problem Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht ndër vite, pasi studentët e UNT-së prej kohësh përballen me mungesë të transportit direkt deri te kampusi. Edhe në raportimin e fundit, Portalb.mk ngriti sërish këtë çështje dhe solli shqetësimet e studentëve.
Deri tani, ndalesa më e afërt ishte te Bit Pazari, prej nga studentët duhej të ecnin rreth 10 deri në 15 minuta deri te universiteti. Edhe pse kanë të drejtë të përdorin falas transportin publik, mungesa e një linje direkte i ka detyruar të gjejnë mënyra të tjera për të arritur në universitet, përfshirë përdorimin e veturave dhe taksive.
Me linjat e reja, studentët do të kenë një mundësi më të drejtpërdrejtë për të arritur deri te kampusi.
- LEXO: Studentët e ‘Nëne Terezës’ pa zgjidhje të transportit publik, universiteti mbi një vit pret përgjigje nga Qyteti i Shkupit
- LEXO: Qyteti i Shkupit s’ua siguron linjat, studentët e UNT-së ecin në këmbë drejt universitetit
- LEXO: Shkup, studentët e UNT-së në siklet për shkak të inateve politike të autoriteteve (VIDEO)
- LEXO: Studentët e UNT-së në Shkup ende përballen me probleme të transportin publik
- LEXO: Revizioni: NTP “Shkup” nuk është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore, parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e ndërmarrjes
- LEXO: Maqedonia e Veriut është ndër vendet me transportin publik më të keq në Evropë
- LEXO: Do të ketë transport publik falas për studentët, Qeveria e RMV-së vendosi për transferimin e 120 milionë denarëve në NTP