BE-ja dhe SHBA-ja me një tjetër përpjekje për ta shtyrë dialogun para

Një vit pasi në Kosovë e Serbi dorëzuan propozimin franko-gjerman, pesëshja evropiane e amerikane do të bëjë një përpjekje tjetër për të shtyrë dialogun përpara. Këshilltarët e presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë, kryeministres së Italisë dhe emisarët e BE-së e SHBA-së, pritet të ofrojnë një propozim të ri gjatë vizitës së tyre në Kosovë e Serbi këtë fundjavë, raporton Koha.net.

Me plan të ri për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të vijnë përfaqësuesit evropianë e amerikanë në fundjavë. Këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë e Italisë, si dhe emisarët nga BE e SHBA, përkatësisht, Emmanuel Bonne, Jens Ploetner, Francesco Talo, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, do të vizitojnë Kosovën e Serbinë të shtunën.

Sipas njoftimit nga Brukseli, pesëshja ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe shtensionimin e situatës.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paralajmëroi shtytje për procesin. Sipas tij, Serbisë do t`i kërkohet që t`i mbajë përgjegjës autorët e sulmit të 24 shtatorit, ndërkohë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të jetë kërkesë për të dyja palët.

“Kemi disa çështje të pazgjidhura, por veçanërisht tani ato janë pritshmëri të qarta nga Bashkimi Evropian për atë çfarë do të japë Serbia për depërshkallëzimin, veçanërisht në lidhje me mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Nga ana tjetër, ne besojmë fuqimisht se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në depërshkallëzimin, në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje”, ka thënë ai në një prononcim për “Kosovapress”.

Sarrazin iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces.

Ndonëse ka dëgjuar për planin e pesëshes euro-amerikane, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën ka thënë se nuk i di detajet e tij. Nga Pekini, ku po qëndron për vizitë, Vuçiqi të mërkurën ka thënë se do të insistojë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për Kosovën ka folur edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili po ashtu po qëndron në Pekin. Ai ka thënë së është takuar me Vuçiqin dhe se ndan shqetësimin e njëjtë me të.

Ofrimin e një propozimi për të aktivizuar palët në procesin e dialogut e pret analisti Artan Muhaxhiri.

“Është e pritshme që të vijnë me ndonjë propozim radikal, kreativ sepse natyrisht se nuk mund të vazhdohet me trajektoren e deritashme, pra nuk mund të ketë ndonjë vazhdimësi sipas kushteve që kanë qenë deri më tani se ngjarjet në veri kanë transformuar gjithë këtë dhe për këto arsye duhet që oferta e tyre të jetë e jashtëzakonshme në mënyrë që të jetë edhe e pranueshme për palën kosovare”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, ai duhet të përmbajë garancinë e ndëshkimit të Serbisë për ngjarjet në veri. “Hapi i parë duhet të jetë siguria, garancia që Serbia do të fajësohet dhe do të ndëshkohet për ngjarjet në veri dhe pastaj mund të flitet mbase edhe për një sekuencim apo për ndonjë përshpejtim duke pasur parasysh përfitimet e Kosovës pasi deri më tani edhe ky ngadalësim i procesit ka ardhur si pasojë që Kosova nuk ka përfituar shumë në rrugën evropiane”, ka thënë ai.

Vizitën e këshilltarëve e emisarëve euro-amerikanë nuk e kanë komentuar ende në Qeverinë e Kosovës.