BE do të dhurojë shtatë autoambulanca për Ndihmën e shpejtë të Shkupit

Ambasadori David Geer, kryetar i Delegacionit të Bashkimit Evropian, nesër do t’i dorëzojë Ndihmës së shpejtë të Shkupit shtatë autoambulanca të financuara nga BE-ja, transmeton Portalb.mk.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian ka siguruar shtatë autoambulanca të financuara nga BE-ja për Ndihmën e shpejtë dhe Shtëpinë Shëndetësore Shkup. Automjetet do të transportojnë të sëmurë apo të lënduar në spitalet e Shkupit. Kryeqyteti ka nevojat dhe popullsinë më të madhe në vend dhe donacioni do të lehtësojë mungesën e automjeteve”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së në vend.

Nga viti 2021 e në vazhdim, Delegacioni i Bashkimit Evropian ka ofruar sisteme të rezonancës magnetike dhe tomografisë kompjuterike në tetë spitale në të gjithë vendin.

Projektet e financuara nga BE-ja që mbështesin zbatimin e Strategjisë Shëndetësore 2023-2030 dhe sistemin e transplantit janë në vazhdim. Mbështetja për programin e skriningu dhe parandalimit të kancerit, programin e kujdesit neonatal dhe përmirësimin e aplikacionit “Termi im” janë planifikuar për financimin e BE-së në vitin 2024.

Kujtojmë se me 19 dhjetor 2023, Ministria e Shëndetësisë informoi se ka përgatitur dhe dorëzuar në Qeveri informacionin për dhënien e pëlqimit për marrjen e detyrimeve, pagesa e të cilave kërkon përdorimin e mjeteve buxhetore në vitet e ardhshme të Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e 22 autoambulancave.

Këto automjete, siç informuan atëherë nga Ministria e Shëndetësisë, do të kenë pajisje të përmirësuara mjekësore për nevojat e institucioneve në shtet, në bazë të të cilave Qeveria ka dhënë pëlqimin për blerjen e 22 autoambulancave me pajisje të përmirësuara mjekësore, sipas Ekstraktit nga Projektprocesverbali i seancës së 180-të të Qeverisë së mbajtur më datë 22 gusht 2023.