BDI: Në vitin 2024 Ministria e Ekonomisë nuk i ka dhënë licencë diskotekës, pretendimet se ka lëshuar licencë të rreme janë sajesë

Nënkryetari i BDI-së, tha se ministria e Ekonomisë gjatë vitit 2024 nuk ka lëshuar licencë, për shkak se nuk ishin plotësuar kushtet dhe se diskoteka nuk ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, transmeton Portalb.mk.

“Pretendimet se dikush ka lëshuar një licencë të rreme janë një sajesë e plotë. Nëse dikush konkretisht sekretari do të merrte para korrupsion për ta lëshuar licencës, do të ishte lëshuar dhe regjistruar në ministri, por edhe në regjistrin e licencave i cili përditësohet vazhdimisht çdo muaj me të dhënat e fundit”, tha Arbër Ademi nga BDI.

Ai shtoi se nëse dikush ka falsifikuar një dokument jashtë institucionit përgjegjësia është e individit apo e grupit që ka bërë të njëjtën gjë dhe duhet të ketë përgjegjësi.

“Në përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia që duhet të kenë zyrtarët e partisë së tyre, në radhë të parë kryetarin e Komunës së Koçanit dhe pushtetarët në MPB të Koçanit, të cilët ndodheshin çdo ditë në objektin ku ndodhi ngjarja tragjike, qeveria e VMRO DPMNE-së po përdor trillime për ta orientuar zemërimin drejt kërkimit të përgjegjësisë atje ku nuk ka. Në pyetjet nëse janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme në vitin 2012 dhe nëse është konstatuar se hapësira e klubit të natës i plotëson standardet për mbrojtjen nga zjarri, daljet e sigurisë dhe kapacitetin evakuues, përgjigja është e thjeshtë. Në vitin 2012, pra 13 vite më parë, nëse objekti plotësonte kërkesat minimale teknike për të kryer ndonjë aktivitet, në vitin 2024 nuk plotësonte kushtet për të kryer aktivitetin e një kabareje apo klubi nate. Ndaj është thelbësore të dihet se cilat institucione dhe zyrtarë dhe me vendim të kujt lejohet që në vitin 2024 dhe 2025 kjo kompani të ushtrojë aktivitetin e një klubi nate apo kabareje dhe që ky objekt të funksionojë pa licencë”, tha Ademi.

E vërteta rreth përgjegjësisë sipas BDI-së është si më poshtë:

1. Aksidenti ka ndodhur në kohën kur VMRO DPMNE ka qenë në pushtet me kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal apo komunal në Koçan, është kryetar i Komunës së Koçanit nga radhët e VMRO-së dhe shef i MPB-së së Koçanit me propozim të kryetarit.
2. Ministria e Ekonomisë në vitin 2024 pikërisht për mosplotësim të kushteve; nuk ka dhënë miratim për klubin e natës, as shërbimet administrative në Ministria e Ekonomisë lëshon licencën për të operuar këtë kabare apo klub nate. Dikush po tenton ta defokusojë këtë fakt me një gjoja falsifikim që nuk dihet nëse ekziston, kush e ka bërë dhe ka shumë mundësi që është krijuar pikërisht për të shmangur përgjegjësinë për kryetarin e bashkisë dhe ata që kanë 3 vite në pushtet dhe kanë lejuar të zhvillohen mijëra ngjarje për një vit të tërë pa leje në objektin ku ndodhi ngjarja fatale.
3. VMRO DPMNE nuk ka 1 muaj në pushtet, ka gati 1 vit në pushtet. Në atë vit reformuan tërësisht Ministrinë e Ekonomisë dhe e shndërruan në Ministrinë e Çështjeve Ekonomike dhe Punës. Në vitin e kaluar janë të përgjegjshëm dhe është dashur të mbajnë shënim se çfarë po ndodhte me objektet dhe të kontrollojnë përmes institucioneve të tyre se aty nuk ka pasur kushte për një lokal nate dhe për këtë arsye nuk ka pasur licencë për klub nate të lëshuar në vitin 2024.l
4. Kryetari i Komunës së Koçanit, Papazov, jo vetëm që ishte i detyruar të dinte, por edhe të ushtronte kontroll të përditshëm mbi funksionimin e objekteve nën juridiksionin e tij. Në Koçan, si komunë me 31.602 banorë dhe vetëm 2 vende që operojnë një klub nate apo kabare, Papazov dhe autoritetet e komunës e dinin dhe ishin të detyruar ta dinin se kompania MMMM Cafe Dooel Koçani nuk kishte licencë dhe nuk i plotësonte kushtet.

Ademi tha se në ditët në vijim do t’i japin publikut dokumentacionin dhe provat e plota se kush, si dhe në çfarë mënyre e ka lejuar të ndodhë kjo tragjedi dhe do të paraqesin një raport dhe prova të detajuara në Prokurorinë Publike për të nisur procedurën për përgjegjësi penale për personat dhe institucionet kompetente, “sepse duhet të ketë përgjegjësi dhe kjo tragjedi nuk duhet të lejohet të përsëritet më”.

Më 16 mars, zjarri në diskotekën e Koçanit mori jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit. 

Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar. 

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.