BDI: Në Tetovë po lulëzon mafia urbane, ftojmë prokurorinë të hetojë rastet

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese për media akuzon se njerëz të afërt me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, po përfitojnë nga afërsia me këtë të fundit për të ndryshuar Planet Detale Urbanistike të qytetit, duke shkaktuar kështu kaosin urbanistik në Komunën e Tetovës, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI thonë se nuk janë të pakta rastet kur në Tetovë ngriten objekte pa pasur leje të ndërtimit, dhe ndërkohë në bashkëpunim me komunën i legalizojnë ato, në mënyrë jo të ligjshme. BDI akuzon se pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Besa, në Tetovë po lulëzon mafia urbane.

“Edhe sot jemi bërë top-temë në mediat prestigjioze ndërkombëtare dhe vendore për ndërtimet e parregullta që po ndodhin në Tetovë, si pasojë e bashkëpunimit të komunës me mafian urbane. Gati çdo ndërtim në rajonin e Tetovës, është ndërtim i egër. Mafia urbane në bashkëpunim me autoritetet komunale po i ndryshon Planet Detale Urbanistike PDU, sipas nevojës së tyre. Kështu tregon edhe hulumtimi i BIRN-it, ku ka shumë raste që investitori ka pasur leje të ndërtojë objekt me katër kate, ndërsa ka përfunduar duke ndërtuar objekt me tetë katë. E gjitha kjo bëhet pasi merret leja për ndërtim, dhe gjatë rrugës ndryshohet PDU. I pyetur nga gazetarët për këtë fenomen, Drejtori i Urbanizmit në komunën e Tetovës, Rilind Selmani tha se më mirë t’ua marrin paratë investitorëve, sesa t’ua prishin objektin. Por ai nuk sqaroi se me çfarë qëllimi bëhet ndryshimi i PDU pasi fillon ndërtimi i objekteve? Investitorët, themelet që në fillim i vendosin për ta arritur qëllimin e tyre, duke qenë të sigurtë që komuna do ta lejojë këtë”, thuhet në kumtesën e partisë.

Kjo çështje, sipas BDI-së,  ngrit dyshime që pas këtyre veprimeve fshihen vepra të rënda kriminale ku përmes tyre po pasurohen në mënyrë të paligjshme individë dhe struktura të caktuara. Nga aty ftojnë Prokurorinë themelore që të hetojë rastin.

Nga ana tjetër, sipas gjetjeve të hulumtimit “Plane të Përgjithshme Urbanistike (PPU) të vjetruara, ndryshim i shpeshtë i planeve detajore urbanisike (PDU)” i publikuar nga Qendra për Komunikime Qytetare, Komuna e Tetovës ka dhënë numrin më të madh të lejeve të ndërtimit krahasuar me shtatë komuna tjera në Maqedoninë e Veriut, nga viti 2018 deri më 2022. Raporti rekomandon që Komuna e Tetovës të fillojë me procesin e miratimit të Planit Gjeneral Urbanistik.

Kujtojmë se, ditë më parë u realizuan kontrolle të jashtëzakonshme në Komunën e Tetovës, si pasojë e legalizimit të vilës së ndërtuar pa leje të profesor Faton Murselit në Kodrën e Diellit.