BDI: Mexhiti premtoi projektin për ndërtimin e hyrje-daljes së re në Gazi Babë, tani nuk ka plan konkret për realizim

BDI Çair sot denoncoi se kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar projektin për ndërtimin e hyrje-daljes së re në Gazi Babë dhe se tani nuk ka plan konkret për realizim të këtij projekti, njofton Portalb.mk.

“Kryetari i komunës premtoi publikisht projektin për ndërtimin e hyrje-daljes së re në Gazi Babë, duke deklaruar se investimet kapitale janë tashmë të siguruara dhe se realizimi i këtij projekti ishte vetëm çështje kohe. Ky projekt u prezantua si një zgjidhje strategjike për lehtësimin e trafikut dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Sipas premtimeve të tij: Hyrje-dalja e re do të krijonte qasje më të lehtë drejt Autokomandës, Do të përmirësonte lidhjen me rrugën ‘Cvetan Dimov’ dhe rrugën ‘Xhon Kenedi’. Ndërsa në raste trafiku të rënduar, rruga ‘Jahja Pasha’ do të shërbente si alternativë funksionale për qytetarët. Sot, qytetarët përballen me një realitet krejt tjetër. Nuk ka transparencë mbi fondet e premtuara, nuk ka plan konkret për realizim, dhe nuk ka asnjë shenjë serioze se investimet kapitale që u promovuan ekzistojnë realisht”, akuzojnë nga BDI Çair.

Nga partia pyesim publikisht kryetarin e Çairit se ku janë investimet që u premtoan si të sigura? Ku është projekti konkret dhe në cilën fazë ndodhet? dhe A u përdor ky projekt vetëm si mjet për të fituar vota?

“Qytetarët e Çairit meritojnë zgjidhje reale, jo marketing politik dhe premtime elektorale pa mbulesë. Infrastruktura rrugore nuk është slogan, por nevojë jetike për banorët që çdo ditë përballen me trafik të rënduar dhe mungesë planifikimi urban”, thonë nga partia.

Nga BDI Çair kërkojnë transparencë të plotë për projektin dhe financimin e tij, afate konkrete për realizim dhe përgjegjësi politike për çdo premtim të pambajtur.