BDI-ja në krizë, çfarë po ndodh në Reçicë të Vogël? 

Pas kalimit në opozitë pas dy dekadave pushtet në nivel qendror, rezultati i zgjedhjeve lokale 2025 ishte një tjetër goditje për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), e cila gjendet në një nga momentet më të ndërlikuara të historisë së saj politike. Derisa në opinion por edhe brenda partisë kanë filluar thirrjet për reforma, në Reçicë të Vogël ka rënë heshtja, nga BDI nuk bëjnë të ditur se çfarë ndryshimesh pritet të sjell Kongresi i dhjetorit, shkruan Portalb.mk. 

Humbja e komunave më të mëdha të cilat ‘tradicionalisht’ kanë qenë bastione të BDI-së, dhe jo vetëm kanë hapur diskutime të brendshme për përgjegjësi dhe reforma.

Periudha e zgjedhjeve lokale u shoqërua edhe me përgjime të publikuara nga funksionarëtë BDI-së, të cilat në fokus kishin Fatmir Deharin, Blerim Bexhetin dhe Musa Xhaferin, të cilat aludojnë në gjuhë të papërshtatshme, përmbajtje seksuale dhe të tjera.

Këto bënë që edhe vetë nga struktura të ndryshme të BDI-së të fillojnë reagimet e para publike dhe thirrjet për reforma brenda partisë. 

Këto reagime erdhën në momentin kur në publik zhvillohet debat i gjerë për riorganizimin e strukturave të BDI-së dhe për rolin e figurave të vjetra brenda partisë. 

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, BDI-ja mblodhi kryesinë e partisë nga ku u njoftua se deri më 20 dhjetor do të mbahet kongresi i partisë, ku ky subjekt do të shkojë në zgjedhje brendapartiake. 

Por, nga kjo parti zyrtarisht nuk përgjigjen ndaj pyetjeve gazetareske se çfarë pritet të ndodhë, a do të ketë shkarkime apo a do të tërhiqet nga pozita e liderit Ali Ahmeti.

Megjithatë, burime brenda BDI-së bëjnë të ditur se pritet të ketë ndryshime në strukturat e partisë.

Këto ndryshime madje filluan menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Evropian (BDI) – Blerim Bexheti dhe zëvendëskoorrdinatorja Arbana Pasholli u larguan nga këto funksione dhe u zëvendësuan nga Rina Ajdari dhe Dijana Toska. 

Në ndërkohë, pas zgjedhjeve, figura qendrore të partisë përfshirë liderin Ali Ahmeti janë shfaqur rrallë në publik. 

Ndryshe, në zgjedhjet lokale 2025 BDI fitoi vetëm katër komuna, asnjëra nga to prej qyteteve të mëdha.