BDI: Derisa “Vlen” fle, Kostadinovski i Kushtetueses thellon bashkëpunimin me Serbinë në Beograd
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku siç thonë nga kjo parti, në vend të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve, “po dëshmojmë një devijim serioz nga misioni i saj themelor”. Derisa “Vlen”, shtojnë ata, fle dhe hesht përballë këtyre zhvillimeve, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, po thellon bashkëpunimin me Serbinë në një moment tejet të ndjeshëm politik dhe institucional, transmeton Portalb.mk.
“Sipas njoftimeve zyrtare, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese, i përfaqësuar nga kryetari Kostadinovski dhe gjykatësja Ana Pavllovska-Daneva, në Beograd, ka realizuar një takim pune me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Vlladan Petrov, si dhe me gjykatësit Dobrosav Millovanoviq dhe Natasha Pllavshiq. Në këtë takim është theksuar gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në funksion të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Madje, sipas palës serbe, kjo vizitë ka edhe simbolikë të veçantë, pasi Kostadinovski është kryetari i parë i një Gjykate Kushtetuese që viziton institucionin homolog në Serbi që nga zgjedhja e Petrovit në këtë detyrë. Në takim janë diskutuar kompetencat e gjykatave, mënyrat e vendimmarrjes dhe sfidat aktuale, duke u theksuar nevoja për bashkëpunim më intensiv në rajon, edhe në kontekst të proceseve integruese evropiane”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Për BDI-në është e papranueshme që në kohën kur Gjykata Kushtetuese në vend “po merr vendime të njëanshme dhe jokushtetuese që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve, drejtuesit e saj të fokusohen në ndërtimin e partneriteteve që ngjallin shqetësim dhe dilema serioze në opinionin publik”.
“Në vend që të jetë garant i Kushtetutës, kjo gjykatë po shndërrohet në levë të pushtetit, duke kontribuar në reduktimin e standardeve demokratike dhe të barazisë ndëretnike. BDI vlerëson se këto veprime përbëjnë një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për rrugën evropiane të vendit. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura, të paanshme dhe në shërbim të qytetarëve, e jo të instrumentalizuara për agjenda politike që cenojnë kohezionin shoqëror dhe stabilitetin institucional”, thonë nga BDI.
Ata u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve relevante, partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik që të ndjekin me vëmendje këto zhvillime dhe të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për të minuar rendin kushtetues dhe të drejtat e fituara.
Zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese së fundmi janë shoqëruar me polemika konkrete rreth përdorimit të gjuhës shqipe, sidomos në rastin e sistemit “Safe City”. Debati shpërtheu pasi kryetari Darko Kostadinovski deklaroi se njoftimet për gjoba mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, duke ngritur shqetësime për mosrespektim të statusit të shqipes si gjuhë zyrtare dhe për qasje të pabarabartë ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo çështje e ka vendosur Gjykatën në qendër të kritikave politike dhe publike.